Në prag të Festës së Pranverës, festës më të rëndësishme tradicionale kineze, blerja e mallrave për festën nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë në internet është bërë moda e re e kinezëve.

Të hënën në mbrëmje, gati 20 milionë përdorues kinezë të internetit blenë artikuj cilësorë nga vendet e Evropës Qendrore e Lindore (EQL) me vlerë mbi 5.7 milionë dollarë amerikanë, brenda vetëm tre orësh. Në transmetimin e drejtpërdrejtë të së hënës, uji i trëndafilit nga Bullgaria, maskat kozmetike “Korres” nga Greqia, vera e bardhë “Beres” nga Hungaria, pastruesi kozmetik “Bielenda” nga Polonia, kremi për trupin “Stenders” nga Letonia etj., u pritën shumë mirë nga përdoruesit kinezë të internetit dhe i gjithë inventari u shit brenda disa minutash.

Kjo veprimtari është nismë e Grupit Mediatik të Kinës (CMG), një nga mediat kineze me ndikim më të madh, dhe u transmetua nga platforma më e njohur kineze e biznesit elektronik "Taobao".

Në fakt, produktet bujqësore shqiptare nuk janë të panjohura për konsumatorin kinez. Në nëntorin e vitit 2018, mjalti, çaji i malit, vera dhe produkte të tjera bio shqiptare që u paraqitën në edicionin e parë të Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit në Shangai, u mirëpritën gjerësisht nga vizitorët kinezë.

Pasi u nënshkruan më 5 shkurt dy protokolle të karantinës midis Kinës dhe Shqipërisë, mjalti dhe produktet e bulmetit shqiptar priten të futen në tregun gjigant të vendit me popullsinë më të madhe në botë.