Grykat e Osumit, ose siç quhen ndryshe "Kanionet e Skraparit",formojnë kanionin më të madh lumor në Shqipëri.
Kjo mrekulli e natyrës gjendet në rajonin jugor të Shqipërisë, përkatësisht në Qarkun e Beratit.
Peisazhet mbresëlënëse e bëjnë këtë kanion një nga më tërheqësit në rajonin e Ballkanit.
Kanioni i Osumit 13 km i gjatë është krijuar prej forcave gërryese dhe tretëse të lumit me të njëjtin emër, të ushtruara në masën shkëmbore gëlqerore të strukturës antiklinale të Çorovodës.
Gjerësia e tij është 4 deri në 35 m dhe thellësia e shpate vertikale arrin deri në 80 m.
Supozohet që koha e formimit të tij të jetë 2 deri në 3 milionë vite më parë.
Në muret vertikale gëlqerore ndodhen shpella të mëdha, të formuara nga proceset e karstit.
Nga fundi i muajit prill deri në mesin e muajit qershor, në këtë kanion, zhvillohet sezoni i sportit të rafting. Sportistë nga Italia, Anglia, Çekia, Gjermania dhe shumë vende të tjera vijnë për të ushtruar në ujrat e tij këtë sport të bukur.