Foto:abc.news.al
Kampionia e Shqipërisë për femra në futboll, "Vllaznia" e Shkodrës ka debutuar me sukses në futbollin europian.
Futbollistet kuqeblu arritën të mposhtnin me rezultatin 1-0 kampionen e Sllovakisë, Spartak Myjava, duke siguruar pjesëmarrjen për në turin vendimtar “play-off” të UEFA Women Champions League.
Në takimin e zhvilluar në Petrovac të Malit të Zi, golin vendimtar e realizoi Jehona Shala në minutën e 44-t.
Tashmë ekipi shkodran do të presë shortin e 1 shtatorit për të mësuar kundërshtarin e radhës. Pas këtij suksesi presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka shprehur krenarinë për suksesin e Vllaznisë, që kualifikohet në 32 skuadrat më të mira të Europës. “Një arritje që na bën të gjithëve krenarë për investimin që kemi bërë për futbollin e vajzave në këto vite dhe në të njëjtën kohë na nxit që të punojmë akoma më shumë. Gjithë futbolli shqiptar është krenar për këtë skuadër” u shpreh Presidenti Duka në mesazhin e tij.
Nëse do të kalojë fazën e “play-off”, që luhet me sistem vajtje-ardhje, atëherë kampionia e Shqipërisë "Vllaznia" do të shkruante historinë si skuadra e parë shqiptare për femra që luan në fazën në grupe të UEFA Women Champions League.(Fatosi)