Indrit Çullhaj është padyshim një kampion absolut në Shqipëri në sportin e xhudos, po ashtu edhe një medalist nëpër garat jashtë kufijve të vendit. Ai është fitues i 99 medaljeve në turne të ndryshëm, tre herë kampion i Ballkanit dhe 15 vjet kampion i Shqipërisë.
Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për fillimet në këtë sport, arritjet dhe medaljet e fituara në gara ndërkombëtare si dhe objektivat në të ardhmen.
CMG: Si ka nisur pasioni për sportin e xhudos?
Indrit Çullhaj: Sportin e xhudos e kemi nisur në lagjen tonë, ku një fqinj hapi një palestër mundje. Aty e nisëm si mundje, por nuk e dinim saktë se çfarë do të thotë xhudo. Gjatë rrugës kemi bërë stërvitje, kemi avancuar duke marrë pjesë dhe nëpër gara ku mësuam se sporti kryesor që bënim është ai i xhudos. Babai ishte ai që mori këtë nismë të mirë sepse ne kemi qenë të tre si vëllezër problematikë në lagje dhe babai na tha që këtë fuqi që kishim ta shfrytëzonim për mire. Ai ia arriti qëllimit, duke na sjellë këtu ku jemi sot.
CMG: Duke ditur që xhudo në Shqipëri nuk ka qenë aq shumë i njohur si sport, keni hasur në vështirësi në fillimet tuaja për vijimësinë e këtij sporti?
Indrit Çullhaj: Kjo është e vërtetë sepse kur dilnim jashtë shtetit e kemi pasur shumë problem sepse nuk na njihnin si shtet, si sportista të xhudos sepse nuk kishim akoma rezultate dhe nuk na hapnin dyert në gjithë Europën. Puna jonë e madhe që bëmë familjarisht bëri që ne të marrim medalje, që të na njohin shtetet e tjera, të na hapnin dyert sepse ne në çdo aktivitet që shkonim jashtë përfaqësonim shtetin tonë. Kështu që xhudo filloi duke u ngritur falë nesh, falë punës dhe mundit tonë dhe gjithë klubit që ne stërvitemi. Me arritjet tona Shqipëria u njoh shumë dhe u shtuan më shumë klubet në vendit tonë, u zgjerua emri i xhudos në gjithë Shqipërinë. Duke marrë medalje, sporti i xhudos avancoi dhe jashtë trevave shqiptare.
CMG: Ju personalisht keni qenë i suksesshëm në xhudo, por a e ndjeni veten kampion në këtë sport?
Indrit Çullhaj: Realisht do ta ndjej veten kampion kur të arrij ëndrrën dhe synimin që unë kam. Unë nuk ngopem duke marrë medalje. Kam marrë 99 medalje të para në turne të ndryshëm, jam tre herë kampion i Ballkanit, 15 vjet kampion i Shqipërisë, i pesti në Lojërat Mesdhetare, i shtati në Kampionatin e Kupës së Europës dhe i pesti prapë në Kupën e Europës. Pra kam rezultate shumë të arta, dhe jam i vetmi sportist që kam marrë një titull si sportisti më i mirë i të gjitha kohërave, që në themelimin e sportit të xhudos deri më sot. Kështu që nuk jam i kënaqur sepse synimet e mia janë të qarta drejt asaj që unë kërkoj.
CMG: Cili nga aktivitetet ndërkombëtare ku ju keni marrë pjesë ju ka lënë më shumë mbresa?
Indrit Çullhaj: Çdo garë ka ndjesinë e vet, kur cek një garë apo prek një medalje në shtëpi, një nga këto tregon një histori më vete. Kështu që nuk ka mbarim historish, por më e mira është titulli kampion Ballkani, ku jam ndeshur me kampiona shumë të fortë, duke përmendur serbët, bullgarët apo rumunët që vijnë nga shtete shumë të forta, të cilët kanë lëvizur gjithë Europën para nesh, dhe kanë qenë shumë të përgatitur. Ndonjëherë kush është më i përgatitur, ai fiton dhe realisht çdo garë ka emocionet e veta.
CMG: Secila garë ka momente të mira, por ka dhe ato të vështirat. Ka pasur momente të vështira Indriti në gara?
Indrit Çullhaj: Kur ma bën këtë pyetje më vijnë në mendje një milion momente të vështira. Realisht ka pasur dhimbje, ka pasur lumturi dhe lloj-lloj variantesh, por ka pasur dhe dëmtime që gjithmonë thoja ka ardhur momenti mos të tërhiqem, por duhet rikuperuar për të ardhur akoma më i fortë. Të njëjtën gjë kam bërë gjatë gjithë kohës dhe nuk jam tërhequr kurrë. Kështu që kam shumë kujtime të tilla gjatë garave.
CMG: Sa orë në ditë stërviteni?
Indrit Çullhaj: Unë mund të stërvitem normalisht kur nuk kemi aktivitet rreth dy herë në ditë. Ndërsa kur kemi aktivitet pastaj e shtojmë pjesën e stërvitjes, duke bërë tre herë në ditë. Kështu që është një lloj përgatitje e kombinuar para garave.
CMG: Në familjen tuaj sporti i xhudos është kthyer në traditë, ku ju keni dhe palestrën tuaj. Flasim për këtë aktivitet dhe si është pjesëmarrja e të rinjve për të mësuar këtë sport?
Indrit Çullhaj: Vëllai im i dytë është trajner i klubit Tirana, dhe ne jemi familjarisht të punësuar aty duke përfaqësuar klubin Tirana. Gjithashtu jemi klubi më i fortë në të gjithë Shqipërinë duke qenë kampion i vendit. Ne kemi shumë talente të rinj që stërviten tek ne, kemi Erisa Brahimin që ka një premisë të madhe për të qenë në gjurmët e Majlinda Kelmendit, kemi Arbër Çullhain, Jon Vernuzi që është pretendent dhe ka qenë kampion i Ballkanit. Jemi duke u stërvitur shumë fort, dhe shpresoj që kemi për të sjellë medalje shumë më të mëdha sesa janë marrë ndonjëherë në vendin tonë.
CMG: Ju jeni stërvitur dhe në Kosovë. Pse zgjodhët këtë vend për t’u stërvitur përpara garave?
Indrit Çullhaj: Në fakt mua më është bërë ftesë për të ikur dhe jetuar në Rusi, por atje është një vend i ftohtë dhe larg njerëzve. E kam provuar për të shkuar dy-tre herë në Rusi ku kam bërë dhe përgatitje e stërvitje, por më afër në Kosovë. Unë mbarova dhe shkollën në Pejë, dhe gjatë kohës që kam ndenjur atje kam ngritur shumë nivelin e xhudos falë trajnerit Dritan Kuka dhe njerëzve të mrekullueshëm që ka aty afër, si Majlinda, Distria, Nora, Akili e shumë miq të tjerë që i kam kolegë. Puna jonë e përbashkët dhe e fortë ka arritur që të sjellë rezultate për Shqipërinë dhe na ka ndihmuar shumë që ne të avancojmë dhe vendi ynë të njihet edhe në arenën ndërkombëtare.
CMG: Sa mbështetje keni pasur nga shteti shqiptar gjatë rrugëtimit tuaj në xhudo?
Indrit Çullhaj: Me thënë të drejtën në fillimet e para asnjë mbështetje, kisha 10 vjet kampion që merrja medalje ndërkombëtare dhe nuk kam pasur asnjë mbështetje. Ndërkohë që këto 3-4 vitet e fundit kam pasur mbështetje nga Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj Erjon Veliaj. Unë dëshiroj të falenderoj Debora Kecin, Ministrinë e Mbrojtjes dhe ministrin Niko Peleshi sepse çdo sportist që është kampion janë mësuar në ushtri. Dua të falenderoj dhe sponsorin tim që e kam në krah, Kristian Boçin dhe shokun tim Gencin, dhe këta janë dy njerëz të mrekullueshëm që më janë gjendur pranë, më kanë mbështetur gjithmonë që unë të ndjek si aktivitetet ashtu dhe përgatitjet jashtë.
CMG: Ju keni qenë në shumë vende të botës, po në Kinë keni shkuar?
Indrit Çullhaj: Unë kam qenë dhe në Kinë, ku kemi bërë përgatitje një javore. Madje në aktivitetet jashtë kam bërë dhe garë e përgatitje me kinezë. Di që e kanë xhudon shumë mirë, dhe kemi shkëmbyer eksperienca dhe vazhdoj të mbaj kontakte, herë atë vijnë tek ne dhe herë ne shkojmë tek ata duke bërë pregatitje me kombëtaren e tyre.
CMG: Cila është fusha që ju keni studiuar, dhe përveç xhudos keni ndonjë pasion tjetër?
Indrit Çullhaj: Unë kam mbaruar shkollën për menaxhim biznesi dhe informatikë. Kjo ka qenë një nismë që e mori trajneri i Kosovës që unë të futesha aty në shkollë dhe e përfundova. Kisha synime për të bërë shkollën e fiskulturës dhe dëshirën që të bëhesha oficer i lartë, ëndrra fëmijërore.
CMG: Si ka qenë ky vit për ju në lidhje me sportin e xhudos?
Indrit Çullhaj: Ky vit ka qenë shumë i vështirë sepse kam pasur dy dëmtime te pjesa e duarve, disa tendina i kam pasur problem, llogarit që pjesët e duarve i kam pjesët kryesore në trup sepse gjithë kohës me ato luftojmë. Unë i kam pasur pak të dëmtuara dhe nuk më kanë lejuar të avancoj më lart. Jam duke i rikuperuar dhe shikoj që po vij akoma më i fuqishëm.
CMG: Cilat janë objektivat tuaja në të ardhmen?
Indrit Çullhaj: Në të ardhmen kam shumë qejf të futem në zonën e medaljeve në Kampionatin e Botës, ajo është ëndrra ime. Shpresoj të bëhet dhe të kualifikohem për në Paris në 2024 sepse një olimpiadë e kapa kualifikimin për të shkuar, por e çuditëshme që në atë olimpiadë kam luftuar mrekullisht, kam qenë shumë favorit me pikë dhe gjithçka, por brinja më ishte krisur që në minutat e para dhe nuk e kisha ndjerë. Kam luftuar deri në fund dhe 20 sekonda para se të binte gongu, veç kur më jep një therje të fortë, ulem dhe nuk u ngrita dot më. Arbitri tha se nëse nuk ngrihesh i jep fitoren tjetrit sepse kështu është rregullorja. Unë realisht kisha shumë dhimbje, shikoja vëllain që më thoshte të çohem se është olimpiadë dhe kemi punuar katër vjet për këtë garë. Kjo ishte një dhimbje shumë e madhe që nuk di se si ta përshkruaj.
CMG: Familjen e keni pasur gjithmonë mbështetje në rrugëtimin tuaj sportiv?
Indrit Çullhaj: E gjithë familja ime ka qenë një mbështetje e madhe, dhe kemi qenë të gjithë bashkë që unë ta avancoja sa më lart. Është një kontribut i dhënë nga të gjithë. Fillimet e para kur kam nisur sportin i thoja familjes se nuk do shkoj më sepse nuk keni para për të paguar palestrën, dhe realisht falë tyre, këmbënguljes time dhe punës jam këtu ku jam sot.
CMG: Së fundit një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe miqtë tuaj.
Indrit Çullhaj: Unë i përshëndes të gjithë dhe i ftoj që të merren me aktivitet sportiv sepse shëndeti më i pastër është të merremi me sport, larg rrugëve dhe problemeve. Sporti është e ardhmja e fëmijëve tuaj, sporti është shëndeti dhe gjithçka.
Intervistoi: Gazmend Agaj