Agim Abdullahu jeton prej 30 vitesh në Austri dhe që nga viti 1998 ka filluar të merret me sportet luftarake siç është Kickbox-i. Ai ka zhvilluar shumë ndeshje në Austri dhe në vende të tjera, duke arritur rezultate pozitive në këtë sport. Dy herë kampion në Kickbox dhe dy herë në MMA, Abdullahu në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) na tregon për karrierën e tij sportive si dhe integrimin në Austri në një moshë të re.
CMG: Si e keni nisur karrierën sportive dhe pse pikërisht me sportet luftarake, siç është Kickbox?
Agim Abdullahu: Unë që prej vitit 1998 nisa të bëja një kurs për truprojë dhe më hyri në qejf kickbox. Që në atë moment kam filluar të merrem me këtë sport.
Agim Abdullahu (Facebook)
CMG: E keni filluar këtë sport kur ishit në Austri?
Agim Abdullahu: Unë jetoj prej 30 vitesh në Austri. Kam ardhur këtu në vitin 1993 kur isha në moshën 13 vjeç. Kam qenë në moshën 18 vjeçare kur kam nisur këtë sport këtu në Austri.
CMG: Si u përshtatët me jetën në Austri në moshë të re?
Agim Abdullahu: Unë kam ardhur shumë i vogël dhe kam shkuar në shkollë këtu. Në fillim e kam pasur shumë të vështirë sepse nuk dija gjuhën, por ngaqë këtu njoha dhe shumë shqiptarë, ne e dimë se si funksionojnë gjërat. Fillimisht e kam pasur vështirë të mësoja gjuhën, por më vonë u përshtata dhe tani e ndjej veten në dy vendlindje, dnë vendlindjen time në Podujevë, por dhe në Austri ndjehem sikur jam në vendlindjen time.
CMG: Si kanë qenë rezultatet e para të ndeshjeve që ju keni zhvilluar?
Agim Abdullahu gjate nje ndeshje ne Kickbox (Facebook)
Agim Abdullahu: Siç e përmenda e kam filluar në vitin 1998 dhe në vitin 2005 kam zhvilluar ndeshjen e parë për titullin e Austrisë në Kickbox në Federatën ISKA. Në vitin 2006 kam bërë 8 ndeshje për titullin ndërkombëtar në Kickbox. Pastaj kam lënë kickbox-in dhe kam hyrë në MMA dhe në fund të vitit 2006 kam konkuruar për titullin e Austrisë në këtë sport ku arrita sukses. Në vitin 2008 kam garuar për titullin e Europës dhe në vitin 2015 me suksese më të mëdha me Kristjan Goluboviçin në Vienë të Austrisë, ku përfundova ndeshjen me shumë sukses dhe këtë të gjithë shqiptarët e dinë.
Agim Abdullahu me medaljet e fituara (Facebook)
CMG: Cilat kanë qenë vështirësitë që keni përjetuar deri në nivelin që keni arritur në sport?
Agim Abdullahu: Unë rrjedh nga një familja shumë tradicionale dhe në fillim familja ime ka pasur vëshirësi që ta konceprojë këtë sport, por me kohën e panë se është dëshira ime dhe e pranuan. Sidoqoftë kam luftuar shumë që familja ta pranojë këtë lloj sporti dhe unë të kisha suksese.
CMG: Na tregoni për jetën e një sportisti në Austri. Cilat janë privilegjet, anët pozitive, por dhe ato negative?
Agim Abdullahu: Në fillim si i ri që isha, kur fillova me sport ushtarak e ndjen pak veten lart. Sot është dëshira e çdo të riu, ndërsa kur arrin një moshë më të më madhe është akoma më mirë. Edhe pse ka shumë vëshirësi, unë mendoj se duhet të jesh njeri shumë i mirë, i talentuar dhe i suksesshëm dhe mundesh të arrish suksese.
CMG: Kujt ja dedikoni suksesin tuaj deri tani?
Agim Abdullahu: Suksesin tim së pari ja dedikoj familjes që e ka pranuar, shoqërisë, trajnerit dhe të gjithë atyre që më mbështesin në këtë sport. Gjithashtu nuk dua të harroj dhe fansat e mi që janë të shumtë, duke i falenderuar shumë të gjithë shqiptarëve kudo që janë për mbështetjen.
Agim Abdullahu ne nje ndeshje ne Kickbox (Facebook)
CMG: Përveç sportit, çfarë angazhimesh të tjera keni në Austri?
Agim Abdullahu: Unë kam dy lokale në Austri dhe merrem me gastronomi. Prej shumë vitesh që në moshën 16 vjeçare punoj në fushën e gastronomisë.
CMG: E vizitoni shpesh vendlindjen?
Agim Abdullahu: Unë edhe pse kam shumë vite që jetoj në Austri, jam shqiptar dhe e ndjej veten shqiptar. Sa herë që më premton koha vizitoj vendlindjen sepse kam lindur në atë tokë dhe e ndjej veten si te shtëpia.
CMG: Në Austri keni miq vetëm shqiptarë apo dhe të komuniteteve të tjera ndërkombëtare?
Agim Abdullahu pas nje ndeshje (Facebook)
Agim Abdullahu: Në përgjithësi shoqëria ime këtu në Austri është shqiptare, por kam dhe vendas që jetojë këtu sepse unë kam kryer dhe shkollimin këtu, jetoj prej shumë vitesh dhe kam shumë shoqëri që janë austriakë. Mua më respektojnë shumë këtu si person ashtu dhe nga ana e sportit, më njohin sepse kam bërë dhe shumë ndeshje. Njeriu kur punon në gastronomi është pak më ndryshe sepse të njohin të gjithë dhe austriakët më respektojnë shumë.
CMG: Cilat janë planet tuaja në të ardhmen në lidhje me sportin?
Agim Abdullahu: Në fund të vitit mendoj se do të kem një ndeshje meçi.
CMG: Ndeshjet ju i zhvilloni në Austri apo dhe jashtë saj?
Agim Abdullahu.(Facebook)
Agim Abdullahu: Unë ndeshjet i zhvilloj dhe jashtë Austrisë, si në Çeki dhe vende të tjera. Dëshira ime është të bëj një ndeshje në vendlindje Prishtinë, por nuk e di nëse do ta realizoj sepse dhe mosha bën punën e vet. Do të jetë meçi i fundit dhe do ta përfundoj karrierën sportive.
CMG: Faleminderit për intevistën dhe ju uroj shëndet e suksese.
Agim Abdullahu: Faleminderit, dhe dua të falenderoj të gjithë fansat e mi, të gjithë shqiptarët kudo që janë. Jam krenar që jam shqiptar dhe që kam një mbështetje aq të madhe nga shqiptarët kudo që janë.
Intervistoi: Gazmend Agaj