Geri Kusi ka studiuar për Shkenca Juridike në Universitetin e Tiranës.
Në vitin 2019 jeta merr një tjetër drejtim për të, pasi bashkë me pesë shokë të tij kanë themeluar një klubin e futbollit “Napoli Club Albania”, i cili njihet si klub zyrtar nga “Napoli Club Zyrtar”, duke funksionuar zyrtarisht. Nga 5 themeluesit, tashmë Klubi i tifozëve të ekipit futbollistik të Napolit në Shqipëri numëron mbi 500 anëtarë.
CMG: Geri ju dhe futbolli. Çfarë ju lidh bashkë dhe kur filloi pasioni për këtë sport?
Geri Kusi: Futbolli është pasion i rritur nga unë, familja dhe shoqëria ime.
Gjunjët e mij qysh i vogël qëndronin të vrarë, duke luajtur e duke u zbavitur në lagjen, e cila kishte plot zhurmë. Aty nisi në fakt çdo gjë, ndoshta çdo ditë e më shumë për t’i dhënë më tepër garanci vetes. Deri në vitin 2017 unë luaja shumë futboll, por pas një lëndimi të fortë ndalova dhe nuk luajta më.
CMG : Pse studiuat për drejtësi dhe e latë për t'u marrë me sport?
Geri Kusi: Unë në fakt u nisa për t’u bërë gazetar sportiv. Fillimisht mora këto ndikime sepse prindërit e mi e paragjykonin sportin, si diçka e cila do të më linte pa të ardhme. Ndaj, zgjodha më pas Juridikun. Nuk pendohem për asgjë sepse gjërat në jetë vijnë vetë. Kështu erdhi dhe ky klub për mua, si diçka më e bukur se vetë zgjedhjet e mia në jetë.
CMG: A mendon që ka ende paragjykime nga prindërit, duke mos i lënë fëmijët të ndjekin pasionet?
Geri Kusi : Po. Shoh shpesh që fëmijët janë nën trysninë për të zgjedhur një degë e cila konkretizohet me punë menjëherë. Nuk i lënë të zgjedhin të ardhmen sipas gjykimit të tyre. Në fund të ditës një njeri e di mirë se çfarë është i aftë të bëjë dhe ky paragjykim ka ardhur koha të rrëzohet.
CMG: Ju jeni produkt i ëndrrave tuaja apo i shoqërisë?
Geri Kusi: Jo, absolutisht. Unë, jam unë. Vetëm këtë i them vetes. Jam reflektim i diçkaje që kam dashur ta kem vetë dhe çdo gjë që kam bërë e kam pasur vizion timin.
CMG : Cilat kanë qenë fillesat për të hapur “Napoli Club Albania”?
Geri Kusi: Ishim vetëm pesë miq që patëm këtë ëndërr. Sot që flasim jemi një grup prej 500 vetash, por nuk ka qenë e lehtë. Na është dashur të shohim në prespektivë, të presim shumë gjatë dhe të besojmë fort. Pritëm një mbështetje nga Klubi Zyrtar i Napolit dhe ata na njohën pas 6 muajsh. Gjatë gjithë kësaj kohe në vijonim të shtoheshim gradualisht. Në email-in që ne dërguam e parashikuam që do të ishim shumë më shumë se në fillim. Tifozët e Napolit në Shqipëri janë të shumtë. Më pas në email-in pasardhës ata na mbështetën. Bëmë një analizë se sa persona çdo ditë shtohen apo dhe largohen. Ky ishte sensi i parë i nisjes.
CMG: Çfarë të vjen në mendje direkt lidhur me "Skuadrën e Napolit"?
Geri Kusi : Unë jam një nga fansat e çmendur të këtij Klubi dhe nuk do të mund të flisja në një formë tjetër përveçse të përmendja një emër. Ai është Diego Armando Maradona, vetëm kështu njihet Napoli dhe historia e futbollit.
CMG: A ju ka ndodhur që në stadium nga euforia të jeni përplasur me brohoritje kundrejt fansave të klubeve të tjera?
Geri Kusi : Nxitje te tilla ka shpesh, por un jam një fans i lojës dhe jo i momenteve të tilla. Nëse shkoj në stadium shkoj për të qenë i përqendruar dhe për të parë lojën.
CMG : Cili stadium ju ka dhënë më tepër emocion kur e keni pare nga afër?
Geri Kusi: Absolutisht, stadiumi i Diego Armando Maradonës. Pra, stadiumi që mban emrin e tij. Ka qenë i vetmi rast ku unë nuk kam parë fare ndeshjen, por shikoja vetëm stadiumin gjithë kohës.
CMG : Në Klubin e Napolit ka më shumë femra apo meshkuj?
Geri Kusi: Nuk besoj që do të doje te dëgjoje teori klishe që ka më shumë vajza se djem, sepse nuk është kurrë e vërtetë. Futbolli gjithmonë ka më shumë fansa djem. 99% janë djem dhe 5% jane vajza. Mosha mesatare e tyre shkon në 41 vjeç.
CMG: Cilat janë kartat për t’u antarësuar dhe çfarë përfitimesh kanë anëtarët e klubit?
Geri Kusi: Jemi prej këtij viti 500 anetarë në të gjithë Shqipërinë ku nga data 3 qershor kemi nisur një tur anëtarësimesh. Të jesh anëtar i “Napoli Club Albania” ka shumë përfitime.
10% ulje në biletë për të gjithë anëtarët zyrtarë
Në abonimet njëvjeçare në Tibo përfitojnë 10% ulje plus Tibo Mobile falas.
15% ulje në Muzeun e skuadrës.
Ulje në sitin zyrtar të skuadres me 10% ulje vetëm anetarët.
Unë i ftoj të gjithë që të anëtarësohen nëse kanë dëshirë.
Intervistoi Megi Latifi