Altin Rraklli u largua nga Shqipëria në fillim të viteve 90-të, për të mbërritur atje ku kishte ëndrrën, tek futbolli më elitar i botës siç ishte ai gjerman. Karriera e futbollistit do të ishte nga më brilantet, teksa do të bëhej titullar i disa ekipeve në Bundesligë, por njëherazi një nga titullarët e përfaqësueses sonë për shumë vite. Në karrierën e kavajasit ka shumë episode goli dhe performance të shkëlqyer, por padyshim sulmuesi i kombëtares identifikohet me atë gol spektakolar që shënoi në ndeshjen Gjermani – Shqipëri. Kavaja e traditës së futbollit nuk kishte si mos të ndikonte në talentin e djalit të saj, teksa kudo në lagjet e Kavajës luhej dhe flitej vetëm për futboll. Altini do t’i rrëmbente Kavajës më të mirën e futbollit. Në një intervistë ekskluzive për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) ai tregon për karrierën e tij sportive si dhe planet për të ardhmen.


CMG: Përshëndetje Z.Rraklli dhe faleminderi për këtë intervistë në Radio Ejani.

Altin Rraklli: Faleminderit për ftesën, pavarësisht se kam vite që jam larguar por zemra dhe shpirti im është gjithmonë këtu.

CMG: Kthehemi vite pas. Ju jeni larguar nga Shqipëria për në Gjermani dhe në atë kohë ishin të rrallë futbollistët që kishin fatin të luanin me ekipet e huaja elitare të futbollit. Si e kujtoni largimin tuaj në atë kohë?

Altin Rraklli: Largimi im ishte pas vitit 1990, kur Shqipëria u hap dhe të gjithë e kishin mendjen të iknin dhe futbollistët ishin nga të parët që kërkonin të dilnin në Europë, pra ishte objektivi kryesor i çdo futbollisti. Konkretisht ikja ime ishte në mes të një rastësie dhe një fati. Unë po bëhesha gati të shpërngulesha në Greqi sepse kisha disa oferta konkrete për në shtetin grek, ku dhe kishim mbaruar një ndeshje miqësore me kombëtaren e Greqisë dhe unë shënova për fat të mirë në atë ndeshje në stadiumin “Qemal Stafa” ku fituam me rezultatin 1-0. Ajo ishte dhe ndeshja e parë miqësore pas periudhës komuniste dhe pata shumë kërkesa për në Greqi.

Rastësisht doli një ofertë nga Gjermania nga një ish patrioti im kavajas që iku me ambasadat në Gjermani dhe kishte krijuar lidhje miqësie me presidentin e Friburgut. Kështu ndodhi rastësisht që unë shkova atje për dy javë provë stërvitjeje, por pas tre ditësh nënshkrova kontaratën sepse ata e panë që unë kisha diçka.

CMG: Sa e vështirë ishte të luaje në një kampionat elitar gjerman për një futbollist shqiptar?

Altin Rraklli: Ishte shumë e vështirë sepse ne vinim nga një vend me mentalitet ndryshe. Unë e kam ndjekur që fëmijë futbollin italian dhe isha tmerrësisht i dashuruar mbas atij futbolli, dhe kjo më kishte bërë mirë dhe përgatitur deri diku, por futbollin gjerman nuk e njihja përveç kombëtares gjermane që e shikonim nëpër evenimente si kampionat botëror dhe europian. Kjo ishte diçka e panjohur për mua, por fatmirësisht falë dhe rinisë time e kapa dhe u ambientova shpejt me skuadrën, gjuhën dhe mentalitetin, gjë që më ndihmoi për ecurinë time.

CMG: Z.Rraktlli ju keni qenë dhe një prej futbollistëve elitar të kombëtares sonë. Keni ndonjë moment të veçantë që keni përjetuar kur luanit me kombëtaren shqiptare të futbollit?

Altin Rraklli: Duke u aktivizuar gjatë me ekipin kombetar, pothuajse nga viti 1991 që kam bërë ndeshjen e parë dhe deri në vitin 2005, pra 14 vjet dhe është një periudhë e gjatë ku automatikisht ke shumë aspekte dhe raste për t’i mbajtur në kujtesë me ekipin kombëtar. Unë fatmirësisht kam shënuar disa gola me ekipin kombëtar, por patjetër golat kundër Gjermanisë, Anglisë dhe Rusisë që ishin elita e futbollit europian në atë kohë, kanë ngelur në kujtesën time. Gjithmonë jam munduar që të jap më të mirën me kombëtaren sepse bluzja e ekipit është e rëndë dhe nuk është si nëpër klube, është vendi ynë, është atdheu yt dhe ti mundohesh ta përfaqësosh në mënyrën më të mirë. Patjetër që mund të kisha bërë mirë kur e shoh me këndvështrimin sot, por si rini ku çdo i ri mënyra e konceptimit ka prioritete të tjera. Kemi lënë gjëra që duheshin bërë, por e përgjithshmja është që me ekipin kombëtar kam pasur periudha dhe momente fantastike sepse ishim një grup shumë i mirë lojtarësh.

Ndërkohë që unë fillova ishin dhe disa lojtarë të vjetër, ku kemi arritur brezin e Sulejman Demollarit dhe Sokol Kushtës me shokë. Pastaj brezi i ri me Foto Strakoshën, Geri Çipin, Ervin Skelën, Altin Lalën, Bushin, Taren dhe Bogdanin. Pra kemi qenë një brez fantastik që kemi kaluar jo vetëm mirë në futboll, pra në fushë brenda por edhe jashtë saj dhe kjo ngel në memorie që nuk harrohet kurrë.

CMG: Jeni akoma miq e shokë edhe kësaj dite me njëri tjetrin?

Altin Rraklli: Patjetër që jemi miq të mirë dhe kjo është më e bukura e futbollit.

CMG: Keni luajtur në kampionatin shqiptar të futbollit me ekipet e Besës dhe Tiranës. Momentet më të bukura me cilin ekip i keni përjetuar?

Altin Rraklli: Të dyja periudhat kanë ndryshim nga njëra- tjetra se me Besën e kam filluar futbollin. Nuk kam fituar ndonjë trofe apo ndonjë gjë të rëndësishme, ndërsa me Tiranën erdha lojtar i pjekur dhe isha në fund të karrierës sime ku fitova titullin kampion, dolëm në finale të Kupës së Republikës ku e humbëm për një penallti. Pastaj luajtëm turin e parë të Champions League ku u kualifikuam, pra arritëm suksese të mëdha me Tiranën sepse dola për herë të parë në jetën time kampion, dhe patjetër që kjo ngel në memorie dhe është diçka e veçantë për çdo lojtar. Të dyja skuadrat janë të rëndësishme për mua si Besa e Kavajës ashtu dhe Tirana janë skuadra tradite, mbi të gjitha Tirana që është skuadra elitë e futbollit shqiptar. Të dyja këto skuadra do ngelen gjithmonë në zemrën time.

CMG: Aktualisht ju e keni lënë futbollin e luajtur në fushë, por nuk e keni lënë atë si trajner ku jeni çertifikuar nga UEFA dhe FIFA. Flasim për kurset kualifikuese që ju keni bërë pasi keni lënë futbollin si futbollist?

Altin Rraklli: Unë pasi mbarova futbollin edhe me kontaktet që kisha në klubet gjermane mundohesha të isha afër dhe ish klubeve të mia, pastaj ngaqë e kishim më të lehtë në Federatën Shqiptare të Futbollit ku kishte bashkëpunim gjithmonë me UEFA dhe Federatën Italiane të Futbollit. Pra federata jonë u çertifikua nga FIFA dhe UEFA që kishte të drejtë të liçensonte trajnerë profesionistë që njiheshin në të githë botën, dhe unë mora pjesë në të gjitha këto kurse, gjithmonë duke mos anashkaluar praktikën aktuale nëpër klube të ndryshme.

Unë në Gjermnai i studioja dhe stërvitjet, trajningun modern në të gjitha aspektet, i kam bërë të gjitha trajnimet e mundshme nga UEFA C që është liçensimi më i ulët dhe deri te UEFA pro, që është më i larti. Marr pjesë dhe sot në çdo seminar që organizon federate gjermane e futbollit në trajnimin ose gjërat e reja që dalin në futbollin tekniko-taktik, por deri më sot pavarësisht përpjekjeve të mia për të stërvitur një skuadër profesionale akoma nuk kam marrë ndonjë ofertë që të stërvis. Unë besoj se i kam këto aftësi që të drejtoj një skuadër profesionale drejt suksesit, por kjo gjë konfirmohet vetëm në momentin që unë e kam një skuadër dhe jam në pritje akoma.

CMG: Nëse do të vijë ndonjë ofertë nga Kina për të trajnuar një ekip futbolli atje, ju do të shkonit si trajner futbolli?

Altin Rraklli: Patjetër, jo vetëm Kina por kushdo qoftë. Kina patjetër sepse vitet e fundit ka investuar jashtë mase dhe investon akoma, është një shtet i fuqishëm që po investon fuqishëm në sport. Unë kam disa miq që merren atje momentalisht me sportin. Patjetër që do ta merrja një ofertë edhe nga Kina pavarësisht se është larg, por futbolli nuk njeh largësi. Kështu që unë jam i gatshëm në çdo sfidë ta marr përsipër.

CMG: Nëse do të ishe sërish futbollist çfarë do të ndryshoje?

Altin Rraklli: Në qoftë se do të luaja sot futboll, patjetër që unë di më shumë sesa dija atëhere, do isha shumë më i pjekur, do bëja shumë më pak gabime, do t’i zgjidhja situatat shumë më mirë sesa i kam zgjidhur deri më sot, sepse pjekuria dhe eksperienca të mësojnë më shumë në jetë. Konkretisht nuk kam bërë ndonjë gabim nga paaftësia, por çdo gjë vjen nga eksperienca, pra kur je futbollist nuk e ke eksperiencën e duhur, por duhet të kesh njerëzit e duhur që të menaxhojnë dhe të të mësojnë. Fatkeqësisht unë nuk kam pasur njerëzit e duhur që të më mësonin dhe ndoshta të më jepnin një drejtim më të mirë në karrierën time. Për ne është e rëndësishme shumë dhe pjesa e menaxhimit të lojtarëve. Unë po mundohem të bëj dhe vetë këtë pjesën e menaxhimit, ku kam disa lojtarë të vegjël, por që janë të premtueshëm dhe menaxhimi është pjesa kryesore, dhe që kam gabuar në kohën time duke mos e menaxhuar veten time ashtu siç duhet.

CMG: Djemtë tuaj e kanë pasion sportin dhe a doni që ata të bëhen futbollistë?

Altin Rraklli: Patjetër që po dhe nuk besoj se ka prind shqiptar që pavarësisht ka luajtur apo jo futboll profesionist, nuk do që fëmija të bëhet futbollist sepse shqiptari e do futbollin. Kryesorja për fëmijët e mi është që ata e kanë pasion të dy, dhe në momentin që zgjohen shkojnë direkt tek topi dhe kjo është gjëja më kryesore për një fëmijë.

CMG: Para një viti jeni vlerësuar me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenit i Republikës. Cilat ishin emocionet që përjetuat pas marrjes së këtij titulli?

Altin Rraklli: Unë kam marrë dy tituj në karrierën time pas futbollit, një çmim nga Federata Shqiptare e Futbollit “Legjenda e Futbollit Shqiptar” si dhe titulli më i madh është patjetër nga Presidenti i Republikës që është një nder i jashtëzakonshëm për mua. Ilir Meta nuk është vetëm një President, por është një sportdashës dhe që në kohën që unë luaja futboll i ka ndenjur pranë ekipit kombëtar në çdo ndeshje, dhe unë i jam mirënjohës dhe për këtë çmim që më dha.

CMG: Për disa vite keni qenë dhe trajner i kombëtares së femrave. Cili është niveli i futbollit të femrave sot në Shqipëri?

Altin Rraklli: Futbollin e femrave unë e nisa nga zero, pra në Shqipëri nuk ekzistonte fare. UEFA dhe FIFA federatës tonë i vunë një kusht që të formohej ekipi kombëtar i femrave dhe kampionati shqiptar i futbollit të femrave. Në atë kohë unë e mora përsipër nga presidenti federatës që ma dha mua këtë detyrë, pavarësisht se unë pretendoja që të merrja një ekip meshkujsh dhe ja kërkova presidentit të federatës një ekip meshkujsh për karrierën time që kisha me ekipin kombëtar. Besoj unë jam i vetmi që nuk kam pasur ndonjëherë shansin të marr një ekip meshkujsh që të tregoja aftësitë e mia nëse kisha talent për të drejtuar një skuadër apo jo. Megjithatë unë u mundova që të bëja më të mirën, duke mbledhur lojtaret më të mira në diasporë dhe krijuam ekipin kombëtar.

Në momentin që i futëm këmbët dhe ishim në vendin e fundit sepse aty e fillon, dhe brenda dy viteve arritëm të shkonim deri në vendin e 75-të të renditjes së FIFA-s, dhe ky është tregues për mua që futbolli i femrave arriti diçka. Futbolli i femrave në Shqipëri mesa kuptoj unë po mbështetet nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe kjo është gjë e mirë, por duhet të theksojmë diçka që futbolli i femrave në krahasim me atë të meshkujve është një diferencë jashtëzakonisht e madhe, sepse vetë forca e femrave nuk krahasohet me forcën e meshkujve. Pra gjithmonë do të jetë në rangun amator, megjithatë është gjë e mirë që futbolli i femrave të eci dhe t’ju jepet mundësia femrave, që e kanë pasion futbollin dhe ta luajnë këtë sport sepse është një gjë shumë pozitive.

CMG: Jetoni prej vitesh në Gjermani, por me çfarë merreni aktualisht atje?

Altin Rraklli: Për momentin, unë kam pesë vite që jam kthyer në Gjermani, në kohën kur ika nga kombëtarja e femrave. Dua ta theksoj se mënyra se si ika nga kombëtarja e femrave patjetër që le shumë për të dëshiruar dhe që më ka ngelur pak peng, sepse u sulmova nga të gjitha krahët, qoftë nga media por dhe nga sektorët e futbollit të femrave dhe presidentët që donin që unë të largohesha dhe aty të vinte dikush tjetër që ishte më mirë për ata që të bënin punët e tyre.

Gjithë kohën tani kam kërkuar të merrem me futbollin e meshkujve, pra me futbollin e vërtetë në Gjermani. Nuk është e lehtë sepse konkurenca është shumë e madhe, sidomos unë që nuk kam eksperiencë si trajner meshkujsh, pavarësisht se unë kam besimin e madh tek vetja ime që mund të arrij, por në Gjermani është konkurencë e madhe dhe duhet të kesh një mbështetje shumë të fuqishme që të marrësh një ekip profesionist. Për momentin unë po stërvis një ekip fëmijësh aty në zonën ku jetoj, dhe po merrem me ndërtime dhe investime në imobilare bashkë me bashkëshortin e motrës sime, i cili dhe ai ka qenë futbollist në Gjermani. Pra, pak nga futbolli dhe pak nga të tjerat, por që gjithmonë afër futbollit dhe kjo nuk diskutohet.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe miqtë tuaj.

Altin Rraklli: Unë i përshëndes të gjithë dëgjuesit e radios, të gjithë sportdashësit, të gjithë shqiptarët, dhe patjetër që ne ikim jashtë por zemrën dhe shpirtin e kemi gjithmonë në Shqipëri, do kthehemi gjithmonë këtu, pushimet do t’i bëjmë në Shqipëri dhe këtë ja sugjeroj dhe të tjerëve.

CMG: Faleminderi për intervistën dhe ju uroj shëndet dhe suksese në vijimësinë e karrierës suaj sportive.

Intervistoi: Gazmend Agaj