Foto: ATSH
Luiza Gega dhe Izmir Smajlaj janë dy kampionët shqiptarë që sollën 3 medalje nga Kampionati Ballkanik i Atletikës, që u zhvillua në Stamboll të Turqisë.
Pas suksesit, ata u takuan me kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shprehu mirënjohjen për rezultatet e arritura. Veliaj tha se Smajlaj dhe Gega janë dy modele që vlejnë të ndiqen nga të gjithë të rinjtë shqiptarë, citon “ATSH”.
“Luiza dhe Izmiri kanë pasur një sezon fantastik dhe e kanë nisur me këmbë të mbarë vitin 2022, një vit i veçantë për ne sepse Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Dy të rinjtë tanë model, kanë marrë medalje ari, respektivisht në kërcim së gjati dhe në garën 3 mijë metra, ku jemi shpallur kampionë ballkanikë, Luiza për herën e tetë dhe Izmiri për herë të gjashtë. Të rinjtë kanë dy modele për të ndjekur. Jam super krenar për ju! Fakti që vini me këto medalje në vitin ku Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë, do të thotë se çdo investim te rinia është një investim që ia vlen”, -u shpreh Veliaj.
Ai tha se investimet e bashkisë së Tiranës në sport po japin çdo ditë e më shumë fryte, duke veçuar sidomos terrenet sportive, pistat e reja të vrapit dhe së fundmi, edhe pishinat e notit në zonën e Liqenit.
Smajlaj dhe Gega vlerësuan mbështetjen dhe investimin e bashkisë për sukseset e sportistëve elitarë. Të dy sportistët konfirmuan se objektivi i radhës janë Lojërat Olimpike “Paris 2024”.