Luiza Gega lindi në Dibër më 5 nëntor të vitit 1988. Kur ishte fëmijë, familja e saj u zhvendos në qytetin e Durrësit. Luiza është e vetmja në familje që merret me sport. Qysh e vogël ajo ka qenë mjaft aktive dhe sa herë që bëheshin garat në shkollë ajo dilte e para. Shpejtësinë e saj e pikasi një i afërm, i cili i sugjeroi familjes së Luizës që ta çonte vajzën në shkollën “Mjeshtëria Sportive” në Durrës, ku ai jepte mësim. Rrugëtimi i saj në këtë sport nisi në Tiranë për krosin kombëtar, që zhvillohej nga kodrat e Liqenit, një garë prej 3000 metrash. Në atë garë Luiza doli e para edhe pse ishte më e vogla në moshë mes nxënësve të ardhur nga qyteti i Durrësit. Kur mbaroi shkollën e mesme ajo u regjistrua në Universitetin e Sporteve në Tiranë.
Luiza Gega, mban rekordet e 800, 1500 dhe 3000 metrave me pengesa. Ajo është atletja që mbajti flamurin shqiptar në Lojërat Olimpike të Rio-s dhe nënkampione aktuale e Evropës në garën prej 3000 metrash me pengesa. Edhe pse në Shqipëri mungojnë kushtet që ajo të stërvitet si të gjithë kolegët e saj nëpër botë, sërish dëshira dhe pasioni që Luiza ka për këtë sport e ka bërë që mos të dorëzohet përballë vështirësive, por të bëhet një shembull i mire për brezat e rinj.