Në Europë po shkëlqen një brez i tërë futbollistësh, bij të prindërve emigrantë. Dikur prindërit e tyre ikën nga Shqipëria, për një mundësi më të mirë punësimi dhe jetese, me plot ëndërra e dëshira për t’í parë të realizuara në një të ardhme. Por sado ambiciozë, kurrë nuk e kishin menduar që për bijtë e tyre do të flitej në faqet e gazetave, në ekranet e televizorit dhe se këta djem dikur fëmijë, sot 18-20 vjecarë do të paguheshin me miliona euro. Bëhet fjalë për futbollistët e një brezi të ri, kryesisht të datëlindjes së viteve 2000. Ka disa vite që kjo dukuri është prezente, këta djem të talentuar, luajnë në klubet më të rëndësishme të Europës dhe një pjesë kanë arritur që të kthehen në elementët më të rëndësishëm të skuadrave të tyre. Këta djem të rinj, futbollistë të talentuar, shqiptar me gjak dhe zemër, janë kthyer në shpresën më të madhe të kombëtares shqiptare të futbollit, e cila më shumë se asnjëherë tjetër e ka hangarin plot me talente që luajnë nëpër Europë.
Marash Kumbulla ( foto Koha Jone)
Marash Kumbulla
Quhet Marash Kumbulla, është vetëm 19 vjeç, por në Itali ka tërhequr një vëmendje të jashtëzakonshme me paraqitjet e tij në fushën e lojës. I lindur në Peschiera del Garda më 8 shkurt 2000, nga prindër shqiptarë, Kumbulla u rrit te të rinjtë verdheblu, ku e nisi futbollin në moshën 8 vjeç. Kumbulla është një prej emrave më të rëndësishëm në repartin e mbrojtjes së ekipit të Veronës ku luan si mbrojtës. Djali i talentuar jo më kot është pagëzuar si “një mur i lartë dhe i fortë para derës” nga “Gazzeta dello sport”. Marash Kumbulla është një futbollist që ka nënshtetësi të dyfishtë. Pas suksesit me ekipin e Veronës në Itali, Edy Reja e ka grumbulluar në kombëtaren shqiptare, duke mos i kursyer aspak vlerësimet për këtë futbollist. Marash Kumbulla vjen nga një familje e madhe në numër, ku të gjithë pjesëtarët jetojnë në Itali.
Historia e familjes së tij është e ngjashme me të qindra emigrantëve që kapërcyen Adriatikun drejt italisë. Babi i tij mbërriti duke rrezikuar jetën me një skaf. Puna e parë që bëri ishte murator, punë të cilën e ka bërë me ndershëmri duke rritur 7 fëmijë, njëri prej tyre Marash Kumbulla.
Si një shqiptar, në një familje numeroze, plot vëllezër, kushërinj e miq, u rrit në Itali Marash Kumbulla me ëndrrën që në të ardhmen do të bëhet futbollist i madh. Ai ka të njëjtin emër me gjyshin e tij, që është ndarë nga jeta, gjë që tregon për rrënjët e forta me atdheun dhe familjen e tij. Marash Kumbulla lufton përditë në fushë, për të arritur më të mirën. Ai ëndërron të bëhet kampion, i duket një rrugë e gjatë, e vështirë por jo e pamundur. Ai nuk i trembet asgjëje, është shumë serioz në atë që bën, mbase më shumë se duhet. Ai hyri në dhomën e zhveshjes së Verona mjaft i ri, por ka fituar respektin e të gjithëve. Bashkëlojtarët dhe stafi teknik e duan fort. Gjithcka po shkon mirë për të, gjithçka po ndryshon, madje edhe në gjërat e vogla. Për shembull, kërkesat për fanellat e tij janë rritur shumë kohët e fundit. Emri i tij është në gojën e të gjithëve.
Tomas Strakosha (foto Top Channel)
Thomas Strakosha
Mjafton të themi “Strakosha” dhe i kemi thënë të gjitha. Pasi “Strakosha junior” po ndjek shembullin e babait të tij, Foto Strakosha, ish yll i kombëtares shqiptare, portier dhe kapiten, i cili ishte ndër të parët që firmosi kontrata për të luajtur kryesisht në klubet e Greqisë. Ish-portieri legjendar i Kombëtares sonë, Foto Strakosha ka dy djem të mrekullueshëm që luajnë futboll. Më i talentuarai prej tyer është Thomas Strakosha. Edhe ai portier, sipas shëmbullit të babait të tij. Portieri i Lacios dhe Kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha, është ndër futbollistët e talentuar, që nuk është dorëzuar para asnjë vështirësie. Italia është bërë atdheu i tij i dytë, ku ka ngritur karrierën, miqësitë dhe dashurinë e tij. Futbolli ka qenë ëndërra e tij, por kishte edhe një ëndërr edhe më të fshehtë: të bëhej portieri më i fortë në botë. Thomas ka luftuar shumë për ta bërë ëndrrën realitet. Stërvitej shumë dhe gjente frymëzim tek babai i tij. “Jam lindur dhe kam jetuar vetëm me një hero në jetën time dhe ai është babai im, idhulli im, Fotaq Strakosha. Quhem Thomas Strakosha dhe kjo është historia ime”, do të deklaronte ai në një video me të cilën përshëndeste fansët e tij të shumtë nëpër botë. Thomas Strakosha ka një publik të tërë që e ndjek me zemër, nuk janë thjesht italianët që shohin tek Thomas barrierën mbrojtëse të ekipit të zemrës, por edhe shqiptarët në mbarë botën, që shohin tek Thomas, portierin barriere për të ecur përpara në betejat kuq e zi.
Armando Broja ( foto Shkodra Sport)
Armando Broja
Në fund, ylli i momentit, Armando Broja.
22-vjeçari ka bërë që në Angli të flitet për të javë pas jave, duke impresionuar me paraqitjet në kampionatin më të fortë në botë. I lindur në Slough (Angli) nga prindër shqiptarë, futbolli ka qenë pjesë e jetës së Brojës që prej kohësh. Ai luante rregullisht me kushërinjtë, mamanë dhe tezen në park kur ishte i vogël dhe ndërsa ishte pjesë e ekipeve të të rinjve të klubeve profesionale, babai i tij e merrte për seanca stërvitore shtesë, pasi mbaronte punën. Broja që fëmijë e pëlqente shumë futbollin dhe kishte ambicie të luante për më të mirët.
I çmendur pas futbollit, duke parë klipet e sulmuesit legjendar të Brazilit, Ronaldos, Broja po jeton ëndrrën e tij në skenën e madhe të futbollit profesionist, në një klub anglez, në vendin ku lindi futbolli dhe ku u vendosën për të jetuar prindërit e tij emigrantë. Kur ai futet në lojë, sytë e të gjithëve përgatiten fort për një goditje speciale, për diçka që ndryshon fatin e lojës dhe ne shpresojmë edhe të kombëtares. Vetëm 20 vjeç, i lindur dhe i rritur në Angli, i kultivuar në një ndër shkollat më frytëdhënëse të futbollit, Broja zgjodhi fanellën kuqezi, që t’i bëjë të gjithë të ëndërrojnë. Kur ai godet, gjithçka tjetër ndalon, pos topit, që përfundon në fundin e rrjetës. Ai është vetëm në hapat e parë të karrierës, por shkallët drejt madhështisë, super talenti Armando Broja, po i bën galopant. Neritana Kraja