Presidenti i Komitetit Paraolimpik Ndërkombëtar (IPC) Andrew Parsons i deklaroi të mbyllura Lojërat Paraolimpike Dimërore të Pekinit 2022.Parsons tha se “Pekin 2022” ka shënuar një agim të ri për Lojërat Dimërore Paralimpike, në fjalimin e tij gjatë ceremonisë së mbylljes të mbajtur në Stadiumin Kombëtar."Organizim i mrekullueshëm, mjedise të gjalla dhe sport i jashtëzakonshëm janë fjalët për të përshkruar këto lojëra në Pekin. Sigurisht që Kina ka vendosur një pikë referimi për të gjitha Lojërat e ardhshme Dimërore. Kina është tani një fuqi paraolimpike e sporteve dimërore," tha shefi i IPC .Pekini hyri në histori si qyteti i parë që ka pritur si Lojërat Paralimpike Verore,ashtu edhe ato Dimërore. Flamuri Paralimpik u është dorëzuar zyrtarëve të Milanos dhe Cortina d'Ampezzo, qytetet pritëse të Lojërave Paraolimpike Dimërore 2026, në ceremoninë e mbylljes së Lojërave të Pekinit 2022

Interi gabon në Torino, përfitojnë Milani dhe Napoli

Milani mundi 1-0 Empolin në javen e 29-të të Serisë A në mbrëmje, duke u konfirmuar në krye të renditjes. Një ndeshje e vendosur nga kuqezinjtë me një gjuajtje në hyrje të zonës nga Kalulu në minutën e 19-të. Torino ndali Interin në barazim 1-1 dhe tashmë skuadra e Inzaghit e sheh veten vetëm 3 pikë përpara Juventusit që ndodhet e katërta dhe 4 pikë larg kryesusve të Milanit. Edhe pse kanë një ndeshje më pak, atë ndaj Bologna në “Dall’Ara”, zikaltërit tashmë ndodhen në krizë dhe në këtë fazë të dytë kanë gabuar gjithçka.Nuk ndodhi e njëjta gjë me Napolin,që nuk gabon 2 herë rradhazi.Ekipi i Spaletit fitoi 1-2 në transfertën e vështirë të Veronës.Juventusi ka marrë fitoren e rradhës në kampionat duke blinduar vendin e katërt dhe tani shpreson ti bashkohet ekipeve kryesuese në luftën për titull.Ekipi i Alegrit triumfoi 1-3 në transfertën e vështirë ndaj Sampdorias duke mos e vënë në pikpyetje fitoren për asnjë moment.

Bayerni ndalet përsëri dhe Dortmundi i afrohet

Bayern Munich ndalet përsëri në Bundesligë,këtë herë nga Hofenhaim në barazim 1-1.Baumgartner ishte ai që ndëshkoi bavarezët,ndërsa në fundin e pjesës së parë i zakonshmi Robert Lewandovski barazoi shifrat.Bayerni ishte dominues në lojë por pa mundur të gjejë dot golin e fitores.Borusia Dortmund fitoi 1-0 ndaj Arminia Bielefeld dhe i afrohen me 7 pikë kryesuesve të Bayernit.Verdhezinjtë mund ta ngushtojnë edhe më shumë diferencën,pasi kanë një ndeshje më shumë për të luajtur kundër Mainz.

Psg fiton mes vërshëllimave të tifozëve

Paris Saint-Germain ka mundur 3-0 Bordeaux në javën e 28-të të kampionatit, por ky sukses nuk ka shërbyer për të qetësuar tifozerinë e parisienëve, e pakënaqur pas eliminimit të pësuar në Champions League kundër Real Madrid. Ndeshja e luajtur në Parkun e Princave, në fakt, është karakterizuar nga vërshëllimat e vazhdueshme të publikut, të cilat janë bërë më të forta kur topi ka shkuar në këmbët e Lionel Messi-t dhe Neymar-it, me këtë të fundit që ka marrë edhe fyerje të rënda nga tifozeria ultras. Lojtari që i ka shpëtuar sulmeve të tifozëve ka qenë Kylian Mbappe, i cili ka zhbllokuar edhe ndeshjen në minutën e 24-të.Marseja është rikthyer te fitorja pas 3 ndeshjesh,pasi mposhti në transfertë Brest me rezultatin 1-4.Me këtë fitore ata ngjiten në vendin e tretë në klasifikim,me pikë të barabarta me Nicën.Lioni u mund thellë në shtëpi 2-4 nga Rennes.

Mbappe pritet të firmosë me Realin këtë javë sipas mediave spanjolle

Duket se telenovela Mbappe-Real Madrid po shkon drejt fundit. Pas një marrëveshjeje në parim, të arritur prej disa kohësh, siç raporton “Marca”, kjo do të jetë java e nënshkrimit të fenomenit francez, i cili deri të premten duhet të mbyllë marrëveshjen e tij të re me klubin spanjoll. Pavarësisht përpjekjeve të minutës së fundit të PSG-së për të rinovuar kontratën me yllin e saj, Mbappe eshte bindur nga projekti madrilen. Ndeshja e Champions League, pak ditë më parë, shuajti çdo dyshim për francezin, i cili tashmë është gati të nënshkruajë me Realin. Mbappé do të fitojë rreth 25 milionë euro në vit, me një bonus nënshkrimi nga 60 deri në 80 milionë euro. Njoftimi aktual i klubit spanjoll, megjithatë, nuk do të vijë menjëherë.

NBA,Phoenix Suns të pandalshëm

Phoenix mbetet skuadra më e mirë këtë sezon në NBA, duke qenë ekipi i vetëm që ka kaluar kuotën e 50 fitoreve dhe i vetmi i kualifikuar në play off. Suns mundën 140-111 Lakers, në një takim të dominuar gjatë gjithë kohës. Booker me 30 pikë e 10 asist ishte më i mirë për Phoenix. Në krahun tjetër, LeBron James realizoi 31 pikë, por që mbetën për statistikë. Dueli më i fortë ishte ai mes Golden State dhe Milwaukee Bucks që përfundoi 122-109.Klay Thompson ishte më i miri në parket me 38 pikë,5 asiste dhe 6 rebound. Fiton edhe Brooklyn, që mundi 110-107 New York në derbi, sfidë ku u dallua Kevin Durant, autor i 53 pikëve. Fitore në kohën shtesë korri edhe Philadelphia, që mundi 116-114 Orlando. Embiid realizoi 35 pikë, mbështetur nga Harden e Harris me nga 26 pikë secili. Skuadra e Dallas, falë 26 pikëve të Luka Doncic, mundi 95-92 Boston, ndërsa Memphis triumfoi 125-118 ndaj Oklahomës.