Foto:ATSH
Fondacioni UEFA për fëmijët do të japë 1 milion euro për iniciativat bamirëse që fokusohen te fëmijët në Ukrainë të prekur nga sulmi rus. Lajmin e bëri të ditur presidenti i organit qeverisës të futbollit evropian, Aleksander Ceferin, raporton “Reuters”.
“Fëmijët janë shumë të cenueshëm gjatë konflikteve dhe është detyra jonë të ndihmojmë në mbrojtjen e të drejtave të tyre themelore dhe shëndetit të tyre", -tha në një deklaratë Ceferin, i cili është gjithashtu kryetar i fondacionit.
Fondacioni do të japë një fond të mëtejshëm ndihme urgjente prej 100.000 euro për Federatën e Futbollit të Moldavisë, e cila po punon me organizatat humanitare për të ndihmuar fëmijët dhe refugjatët që kanë ikur nga Ukraina.
"Ne po kalojmë kohë të paprecedentë, me mijëra familje ukrainase që kërkojnë strehim në vendin tonë", -tha presidenti i Federatës së Futbollit të Moldavisë, Leonid Oleinicenco.
Fondi i ndihmës emergjente do të përdoret gjithashtu pjesërisht për t'i siguruar spitalet e fëmijëve në Ukrainë me ilaçe dhe furnizime.