Foto: VCG
Organi botëror qeverisës i futbollit FIFA dhe ai evropian UEFA kanë pezulluar klubet dhe ekipet kombëtare ruse nga të gjitha garat deri në një njoftim tjetër.
Në një deklaratë të përbashkët, institucionet kryesore të futbollit thonë se shpresojnë se situata në Ukrainë do të përmirësohet ndjeshëm dhe me shpejtësi, në mënyrë që futbolli të mund të jetë përsëri një vektor për unitetin dhe paqen mes njerëzve.
Vendimi i FIFA-s do të thotë se Rusia nuk do të lejohet të luajë ndeshjet në play-off të Kupës së Botës gjatë muajve të ardhshëm dhe Kupën e Botës 2022 në Katar.
UEFA gjithashtu i ka dhënë fund partneritetit të saj me kompaninë shtetërore ruse të energjisë “Gazprom” në të gjitha garat.
“Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe mbulon të gjitha marrëveshjet ekzistuese, duke përfshirë Ligën e Kampionëve të UEFA-s, garat e ekipeve kombëtare të UEFA-s dhe UEFA Euro 2024”, -thuhet në deklaratë.