Basketbollistet e Vllaznise (fb)
Janë luajtur vetëm dy nga tri ndeshjet e javës së 11-të të Superligës në basketboll për meshkuj. Takimi Kamza Basket-Teuta, ku përballë ishin dy ekipet e kreut, nuk u zhvillua për arsye teknike. Sipas klubit durrsak, në mjediset jashtë sallës sportive në Kamëz kryheshin punime dhe ishte e pamundur të zhvillohej normalisht sfida. Ndërkohë, Vllaznia fitoi 116-110 ndaj Tiranës pas kohës shtesë në “Fahrie Hoti”, një ndeshje spektakolare (koha e rregullt përfundoi 99-99). Fitore që barazon të dyja ekipet në renditje me nga 17 pikë, duke e bërë të bukur kampionatin. Për Vllazninë u dallua Butler me 31 pikë, mbështetur nga Shetsnai me 21 pikë. Për Tiranën, më i miri në parket ishte Clark me 31 pikë, ndërsa Hamati e Hysenagolli e mbyllën me nga 24 pikë e 13 rebound secili, por që s’mjaftuan për të fituar. Partizani fitoi me lehtësi 80-54 derbin me Dinamon, duke iu larguar fundit të renditjes. Ndeshje e dominuar nga të “kuqtë”, superiorë në fushë gjatë gjithë kohës. Të gjithë titullarët e Partizanit realizuan mbi 10 pikë.