Stoli kuqezi ka kaluar shumë trajnerë, shqiptarë dhe të huaj. Secili solli frymën e tij dhe filozofinë e futbollit që përfaqësonte, duke iu bashkuar ëndërrës sonë për një kombëtare shpresëdhënëse dhe rezultative. Disa prej tyre, nuk patën rezultatin që tifozat kuq e zi shpresonin, të tjerë na ndezën shpresat, ndërsa ndonjë tjetër na bëri të besonim tek ëndërrat. Në rubrikën tonë do ju njohim me ta, duke u ndalur më pas tek tre më të spikaturit në betejat për gola dhe pikë kualifikuese.


astrit hafizi (foto panorama)

astrit hafizi (foto panorama)

Astrit Hafizi


Astrit Hafizi është njëri nga trajnerët e suksesshëm të kombëtares. Ka qenë një futbollist i VllazniSë, me të cilën e lidh jo vetëm origjina e tij nga Shkodra, por edhe simpatia dhe kontributi, ndonëse ka luajtur edhe me klube të tjera. Një moment i rëndësishëm i karrierës së tij është drejtimi i skuadrës kombëtare. Ai ka qenë trajner i kombëtares për tre vjet, nga viti 1996. Ishte një periudhë ndër më të vështirat social-politike, pasi në vend kanë shpërthyer piramidat financiare dhe FIFA e UEFA ndalojnë zhvillimin e aktiviteteve ndërkombëtare. Periudhë e vështirë në akomodime, grumbullime, pagesa, etj, e megjithatë Astrit Hafizi nuk u dorëzua. Duke bërë ndryshimet e nevojshme në skuadër dhe duke sjellë emra të rinj, që më vonë u bënë titullar, si Bogdani, Tare, Bushi, Murati, Fakaj, etj, ai arrin të krijojë bërthamën e një ekipi kombëtar që do të sprovohej në përballje të vështira.

Stoli kuqezi i Hafizit është 4 fitore, 7 barazime e 14 humbje. Nga barazimi 0-0 me Greqinë në Tiranë, tek përballja historike me Gjermaninë, ku humbja e ngushtë dhe numri i golave, lanë mbresa të jashtëzakonshme tek sportdashësit tanë.


xhani de biasi (foto supersport)

xhani de biasi (foto supersport)

Xhani de Biazi


Xhani de Biazi është padiskutim trajneri më i suksesshëm i Kombetares Shqiptare. Ai që qëndroi më gjatë se kushdo tjeter në stolin kuqezi, thuajse 6 vjet dhe arriti që të bënte atë që çdo paraardhës i tij u përpoq të realizonte ëndrrën e gjithë shqiptarëve për të shkuar në një Europian të futbollit.

Në vitet që drejtoi Kombëtaren, ai luajti 53 ndeshje dhe mori prej tyre një bilanc shume pozitiv.

Xhani De Biazi drejtoi kuq e zinjtë përgjatë eliminatoreve të evropianit 2016 dhe eliminatoreve të botërorit 2018 në Rusi. Meritë e tij është jo vetëm pse kualifikoi Shqipërinë në një evenimnet të rëndësishëm, por i ndryshoi fytyrë dhe mentalitet kombëtares. Xhani De Biazi e mori Kombëtaren pa zhurmë dhe pa bujë, madje edhe pëprmes një skepticizmi, por arriti që të ndërtonte një kombëtare që i ngriti peshë zemrat e shqiptarëve. Përvec teknikave të lojës dhe skemave, arriti të krijonte një frymë besimi dhe dëshire për fitore tek futbollistët, duke i thirrur krenarisë së tyre kombëtare. Ai grumbulloi një numër të madh futbollistësh të cilët luanin në klube me emër të Evropës dhe u besoi atyre, duke vjelë edhe rezultate pozitive. Madje, arriti të krijonte një lidhje të fortë shpirtërore me ekipin dhe vendin tonë, saqë mori si pasaportë të dytë edhe pasaportën shqiptare. Kjo bëri që të pagëzohej me simpati edhe si me pseudonimin shqiptar Gani Abazi.


edi reja (foto fshf))

edi reja (foto fshf))

Edoardo Reja


Aktualisht ekipi kombëtar drejtohet nga Edoardo Reja. Më 17 prill 2019, u zyrtarizua si trajneri i ri kombëtares në një marrëveshje shtatë-mujore, duke zëvëndësuar bashkëkombasin e tij Christian Panucci i cili ishte shkarkuar për rezultate negative.

Edoardo Reja është një trajner me shumë eksperiencë, tek i cili besohet shumë. Kjo pasi në këtë fazë, ekipi ynë kombëtar ka futbollistë të mirë që luajnë me ekipe të mira por që kanë nevojë për një trajner ekspert për t’i vendosur në fushë. Filozofia e Reas është që të ndërtojë një grup futbollistësh që të identikojë kombin. Për këtë projekt ka punuar që në krye të herës, kur në vitin 2019, e mori këtë detyrë dhe në vazhdim.

Edy Reja është një emër i njohur në futbollin italian. Trajneri 77-vjeçar ka drejtuar një sërë skuadrash në serinë A në Itali dhe Kroaci, ndërsa tashmë ndodhet në pankinën shqiptare.

Gjatë kësaj periudhe ekipi në drejtimin e Reas është ndeshur me skuadra të mëdha dhe me lojtarë të rëndësishëm duke u paraqitur përgjithësisht mirë, por pa e përmbushur kualifikimin e ëndërruar për Botërorin. Megjithatë Reja konstaton se ekipi ynë është në rrugë të mbarë sepse po punon për perspektivën e vitit 2024.


Neritana Kraja