Paulo Dybala ndodhet në vitin e fundit të kontratës me Juventusin. Prej kohësh agjenti i tij po bisedon me drejtuesit e klubit italian në lidhje me rinovimin, por marrëveshja finale është shumë larg. “Paulo nuk do të firmosë kontratën e re”, u raportua disa ditë më parë nga Argjentina. Agjentit të Dybala, Jorge Antun, iu premtua në tetorin e kaluar rinovimi me rrogë sezonale prej 8 milionë eurosh (+2 milionë të tjera në formë bonusesh). Gjithsesi, te Juventusi e kanë “harruar” premtimin dhe nuk kanë ndërmend të ofrojnë kaq shumë për rinovimin. Dybala duhet të ulë pretendimet e tij, përndryshe do të largohet në verë si lojtar i lirë.28-vjeçari mbajti shiritin e kapitenit në takimin e së shtunës kundër Udineses, realizoi golin e parë në suksesin 2-0 të ekipit të Max Allegrit dhe nuk festoi fare, duke shfaqur hapur mërzitjen e tij në lidhje me situatën e krijuar.Interi është një nga klubet që po ndjek me interes situatën e lojtarit ofensiv. Nëse zgjatja e bashkëpunimit me Juventusin nuk do të ndodhë, kampionët e Italisë janë gati t’i plotësojnë çdo dëshirë për ta transferuar në Milano.