Foto:panorama

Foto:panorama

Kampionati shqiptar i futbollit ka marrë pushimet dimërore dhe ka shkuar në gjysmën e rrugës.Ky sezon nisi me disa skuadra që pretendonin titullin kampion, megjithatë pas 15 javësh tashmë është një ide më e qartë për ekipet favorite, që deri në fund do të provojnë për të marrë trofeun më të lakmuar futbollistik në vend. Tirana, me meritë arriti që të shpallej kampione dimri, duke e mbyllur vitin 2021 me 33 pikë, pesë më shumë se Kukësi i vendit të dytë. Trajneri Orges Shehi i ka marrë maksimumin skuadrës bardheblu, duke koleksionuar 10 fitore, tre barazime dhe vetëm 2 humbje. Kryeqytetasit janë skuadra më kompakte në mbrojtje, me vetëm 11 gola të pësuar. Tirana ka arritur që të shënojë 28 gola, vetëm një më pak se Kukësi që krenohet me sulmin më të mirë në këto 15 javë të para. Seferi, Xhixha dhe Ngo kanë shënuar 18 gola, më shumë se gjysmën e golave të realizuar deri më tani nga bardheblutë.Shehi ka paralajmëruar se ekipi nuk ka nevojë për shumë ndryshime, duke besuar tek grupi aktual dhe ka deklaruar se në merkato do të ndërhyhet vetëm nëse do të ketë ndonjë element që do të bëjë diferencën në grupin aktual. Deri më tani, shifrat flasin në favor të Tiranës, që është në gjueti të titullit të 26-të.