Ditmar Mara ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të huaja në degën e gjuhës angleze. Që në moshë të vogël ka nisur të luajë basketboll, duke qenë pjesë e ekipeve të Tiranës dhe Partizanit si dhe ekipit kombëtar të basketbollit U-20. Pas një dëmtimi që pësoi gjatë një ndeshjeje, ëndrra e tij për këtë sport u ndërpre. Kohët e fundit Ditmari është angazhuar me shoqërinë civile, një fushë që i pëlqen dhe që synon të investojë në të ardhmen. Në një intervistë për CMG ai na tregon për eksperiencën si basketbollist si dhe angazhimin e tij me shoqërinë civile.
CMG: Si ish basketbollist me talent, na tregoni për fillimet tuaja në këtë sport
Ditmar Mara: Kjo është një ndër periudhat më të bukura që e kujtoj gjithmonë me shumë mall. Mbaj mend se e kam nisur basketbollin në të njëjtën moshë kur kam hyrë në klasën e parë, isha pak më i bëshëm në atë kohë dhe kujtoj se ka qenë dëshirë e prindërve të mi, por veçanërisht e babit. Si fëmijë 6 vjeçar më kujtohet periudha kur shkoja në stërvitje që zhvillohej tek palestra e shkollës së mesme ekonomike. Dua të them se ka pasur faza të ndryshme ku kujtoj me shumë respekt dhe trajnerët e parë, zysh Klesta, zysh Alma, padyshim më vonë trajnerin e shkëlqyer dhe mbi të gjitha një njeri të rrallë si profesor Arben Alimehmeti.
CMG: Ju keni luajtur me disa ekipe basketbolli, si Tirana dhe Partizani. Çfarë kujton nga koha kur ishit pjesë e këtyre skuadrave?
Ditmar Mara: Unë jam rritur tek ekipi i Tiranës, mund të them se jam produkt i ekipeve zinxhir të kësaj skuadre. Në moshën 15 vjeçare kam nisur të luaj me ekipin e të rinjve dhe në moshën 17 vjeçare kemi fituar kampionatin dhe të gjitha kupat e mundshme. Atë vit me sa mbaj mend e kemi mbylluar kampionatin pa asnjë humbje. Patjetër që kjo si rrjedhojë e një ekipi me djem shumë të talentuar, të cilët më vonë spikatën edhe në ekipet e të rriturve, por dhe stafi drejtues me drejtimin e një nga legjendat e koshit profesor Astrit Grevën dhe zëvendës trajner profesor Arian Kristanin. Si familje tiranase gjithmonë kam pasur mbështetjen e plotë për të qëndruar te Tirana.
Në klubin e Tiranës kam luajtur për reth 6 vite dhe lëvizja te rivali i përjetshëm Patizani nuk u prit me ovacione le të themi, por përsëri prindërit asnjëherë nuk kanë shfaqur preferenca, mjaftonte që unë të ndjehesha mirë dhe i lumtur. Në klubin e Partizanit të drejtuar nga i ndjeri profesor Arben Fagu, përgjegjësia ishte padyshim më e madhe se te Tirana, pasi tani unë nuk isha një lojtar thjesht i ri, por kontributi ishte akoma më i madh.
CMG: Keni bërë përpjekje gjatë periudhës kur luanit që të luaje edhe me ndonjë ekip jashtë Shqipërisë?
Ditmar Mara: Kam pasur një mundësi shumë të mirë për të luajtur në një ndër ekipet më të mira në Turqi, mbase fatmirësisht nëse do ishte shfrytëzuar, por fatkeqësisht kjo mundësi erdhi në një moshë shumë të re dhe nuk u arrit të konkretizohej.
CMG: Po me ekipin kombëtar të basketbollit sa vite keni luajtur dhe cilat ndeshje të kanë emocionuar më tepër?
Ditmar Mara: Në parantezë dua të them se pas një ndalese të gjatë Federata Shqiptare e Basketbollit rifilloi grumbullimin e ekipeve të moshave në vitin 2015. Në këtë vit unë pata mundësinë e parë të përzgjidhesha në ekipin kombëtar U-20 për kampionatin europian. Në një ndeshje pregatitore në Mal të Zi pësova një dëmtim, relativisht të rëndë për sportin e basketbollit, aty unë këputa ligamentin dhe pësova një çarje të meniskut. Ky ishte një peng i madh për mua sepse ishte viti i fundit që mund të luaja me këtë kombëtare, pasi kalohej kufiri i moshës.
Si çdo sportist që ka ëndërr të përfaqësojë vendin e tij, dëshira për t’u rikthyer në kombëtare ishte shumë e madhe. Pas një sezoni në ekipin Ardhmëria Basket në superligën shqiptare ku i jam shumë mirënjohës trajnerit, profesor Afrim Bilalit një nga legjendat e koshit shqiptar, asokohe ishte dhe zëvendës trajner i kombëtares, i jam shumë mirënjohës për mbështetjen e pamasë dhe besimin që pati tek unë. Në vitin 2017 unë u përzgjodha si pjesë e kombëtares shqiptare në eliminatoret e Kupës ë Botës, ku luajtëm kundër ekipit të Holandës dhe Austrisë, fatkeqësisht duke i humbur të gjitha ndeshjet, por duhet përmendur se në Holandë bëmë një ndeshje mjaft të mirë.
CMG: Keni ndonjë idhull të basketbollit?
Ditmar Mara: Idhull i padiskutueshëm ka qenë Kobe Bryant, një atlet model dhe mbaj mend kur isha fëmijë shikoja me orë të tëra videot e tij.
CMG: Pse u shkëputët nga basketbolli dhe a keni ndonjë peng?
Ditmar Mara: Shkëputja nga basketbolli erdhi si pasojë e një dëmtimi përsëri në të njëjtin gju, ku unë isha operuar. Ky dëmtim erdhi në një ndeshje kupe, por mund të ketë qenë dhe si pasojë e mbingarkesës. Në përfundim të atij sezoni, me dhimbje shumë të madhe vendosa të ndërpres vazhdimësinë në sportin që deri në atë kohë kishte qenë një pjesë e pandashme e jetës time, pra nga mosha 6 vjeçare deri në moshën 23 vjeçare. Të them të drejtën sa herë takoj shokët e sportit rikujtojmë kohët e mëparshme dhe këto janë pjesët që të mungojnë më shumë. Djemtë që vazhdojnë stërvitjen dhe sakrifikojnë janë me të vërtetë për t’u përgëzuar sepse duhet thënë që kushtet nuk janë, por pasioni i shtyn të mbyllin sytë para vështirësive dhe të ecin para.
CMG: Një fushë tjetër e juaja kohët e fundit është dhe angazhimi me shoqërinë civile ku keni monitoruar zgjedhjet në Shqipëri, por dhe jashtë? Na tregoni pak për këtë eksperiencë.
Ditmar Mara: Unë kam nisur aktivitetin si anëtar i Shoqatës për Kulturë Demokratike (SHKD) në gusht të vitit 2020 ku dhe mora pjesë si vëzhgues ndërkombëtar me kohë të shkurtër në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, si pjesë e rrjetit europian të monitorimit të zgjedhjeve (ENEMO). Në të njëjtin vit jam përzgjedhur në misionin e monitorimit të zgjedhjeve lokale në Ukrainë si vëzhgues afatgjatë, mision i cili për shkak të gjendjes nga pandemia u krye online. Ndërkohë këtë vit SHKD monitoroi zjedhjet parlamentare në Shqipëri, ku mora pjesë si vëzhgues afatgjatë. Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë dhe shumë e vlefshme për mua dhe me të vërtetë që më pëlqen analizimi i situatës politike në vend, por dhe në vende të ndryshme.
CMG: Ju pëlqejnë udhëtimet dhe ku keni udhëtuar?
Ditmar Mara: Nuk besoj se ka njeri që do t’i përgjigjej jo kësaj pyetje. Fatmirësisht kam pasur mundësi të udhëtoj në vende të ndryshme të Europës si Itali, Francë, Gjermani, Holandë, por dhe në vende ku mbase nuk do na shkonte mendja të shkonim për turizëm le të themi, si për shembull Armenia. E konsideroj veten shumë me fat që kam pasur mundësi të udhëtoj dhe mendoj se çdo udhëtim jo vetëm që na mëson, por na jep edhe një perspektivë dhe na frymëzon për jetën.
CMG: Ditmar së fundi një mesazh urimi për festat e fundvitit.
Ditmar Mara: Unë i uroj të gjithë shqiptarët për një vit sa më të mbarë dhe kryesorja shëndetplotë.
CMG: Faleminderit për intervistën Ditmar.
Ditmar Mara: Faleminderit ju për mundësinë.
Intervistoi: Gazmend Agaj