Ditët e dimirit të vitit 2022 për Pekinin, por edhe mbarë botën do të kenë ngrohtësinë e veçantë që do të dhurojë olimpiada dimërore, eventi sportiv që ka marrë prej kohësh vëmendjen e publikut në shkallë globale. Mbresat e pashlyera të Olimpiadës botërore të verës së vitit 2008, thërrasin për një përjetim tjetër të bukur, për emocione e ndjesi të reja, të cilat krahas surprizave që priten, disa e kanë zbuluar “fshehtësinë “ e tyre. Tashmë pothuaj se çdo gjë është gati dhe ka mbetur vetëm vrapimi i ditëve për të arritur tek ceremonia e hapjes dhe startimi i garave.
Mikpritja tradicionale dhe e ngrohtë kineze ka hapur krahët e dashurisë e miqësisë për të gjithë ata që do të garojnë, delegacionet e ndryshme dhe miq e dashamirës nga e gjithë bota. Pekini shkëlqen nga masat e gjithanëshme të organizimit, i cili edhe kësaj radhe do të mahnisë botën. Fshatrat olimpike e paralimpike janë gati për t’u shërbyer të gjithë stafeve në zonat e konkurimit në Pekin, Yanqing (Janqin) dhe Zhangjiakou (Çan gjia kou). Në një kohë rekord filluan dhe përfunduan komplekset e ndryshme në zonën konkurimit dhe testet e realizuara deri tani kanë qënë të suksesëshme, duke dhënë garancinë e funksionimit normal të çdo hallke.
Fshati olimpik dhe ai paralimpik në Pekin është i shtrirë në një zonë prej 330.000 metrash katrorë, me një grup prej 20 ndërtesash, të cilat kanë kapacitetin e mjaftueshëm për të pritur në kushte komode 2338 pjesmarrës në Lojërat Olimpike dhe 1040 të atyre Paralimpike. Apartamentet janë të gjëra, me kapacitetin më të madh prej 5 vetash, me dhoma të ndara . E veçanta është se në sejcilin apartament ka një shtrat inteligjent që kontrollon gjendjen e përgjithëshme përpara gjumit. I një përmase dhe konceptimi tjetër është fshati olimpik i vendosur në zonën e Zhangjiakou(Çan gjia kou), ku janë të gatshme 31 ndërtesa me 1668 apartamente e 2737 shtretër.
Në këtë zonë do të vihen në përdorim 655 automjete me hidrogjen në funksion të shërbimeve të transportit dhe logjistikës. Në këtë zonë ka dy uzina të prodhimit të hidrogjenit dhe tetë stacione të mbushjes, të cilat garantojnë një furnizim të sigurt e në çdo kohë. I konceptuar dhe realizuar përmes një teknologjie shumë të lartë është edhe fshati olimpik në zonën e Yanqing-ut (Janqin), ku harmonia me natyrën e bën këtë zonë që të ketë një pamje përrallore, duke lënë gjurmë ta pashlyeshme tek sejcili pjesmarrës që është i vendosur këtu. Dëbora i jep një hijeshi tjetër gjithë këtyre fshatrave olimpik, duke i rritur shkëlqimin që ata kanë marrë nga ndërtimet, të cilat janë miqësore edhe me mjedisin.
Që në fillim organizatorët janë investuar në realizimin e një Olimpiade të gjelbër, me synimim për të përdorur 100 % energji të gjelbër dhe të pastër dhe teknologji pa lëshim karboni në prodhimin e akullit.
Funksionimi normal i transportit është një tjetër vëmendje e shtuar e organizatorëve. 278 kilometër korsi të dedikuara rrugore do të jenë të gatshme për t’u përdorur nga pjesmarrësit në Lojërat Olimpike Dimërore. Këto korsi mbulojnë rrugët dhe autostradat që lidhin aeroportet me zonat olimpike. Përgatitja e tyre logjistike ka përfunduar dhe ata do të lëshohen në përdorim në periudhën e mbërritjes së delegacioneve pjesmarrëse dhe gjatë ditëve të zhvillimit të Olimpiadës. Shkurtimi i kohës së lëvizjes është pjesë e kushteve optimale për të cilat organizatorët kanë menduar deri në detajet më të vogla, që çdo gjë të funksionojë normalisht. Masat e tjera që lidhen me pastrimin e dëborës nga rruga në kushtet e shfaqjes së motit ekstrem, përbëjnë një tjetër përgjegjësi e cila ka marrë vëmendjen e duhur. Praktimi i korsive të dedikuara në një qytet me trafik shumë të madh si Pekini, dëshmon se çdo masë dhe çdo detaj është i rëndësishëm dhe pjesë e një ambienti funksionues në ditët e paharruara të Lojërave Olimpike.
Komuniteti i madh i sportistëve nga e gjithë bota dhe delegacioneve që i shoqërojnë do të ketë mundësinë e përzgjedhjes së ushqimeve sipas shijeve, kërkesave dhe traditës së vendeve të ndryshme.
Është një sipërmarrje e vështirë pasi kulturat e ndryshme kanë diferenca të mëdha në këtë drejtim, por edhe kjo pjesë ka zgjidhjen e vet të shkëlqyer. Në publikimin e menusë për sportistët pjesmarrës, evidentohet fakti se do të ketë 678 lloje gatimesh, si në asnjë rast tjetër të mëparshëm dhe çdo ditë do të ofrohen rreth 200 lloje nga këto gatime. Është mundësuar kështu që sejcili vend të gjejë ato çfarë i kërkon nga mjeshtria e spikatur e kuzhinës komplekse, të cilin do ta udhëheqin specialistët kinezë, të përgatitur prej kohësh në këtë drejtim. Ushqimet e ndara në 12 kategori do të jenë të specifikuara në bufenë e kuzhinës aziatike, asaj kineze, bufenë e ushqimeve muslimane, të gatimeve të çastit, të sallatave, ëmbëlsirave, çajrave e të tjerë.
Si ushqimet karakteristike kineze nga provincat më të njohura e të spikatura të Sichuanit (Sëçuanit), Guandongut (Guandongut), Shandong (Shandonit) e të tjerë, si ato të vendeve perëndimore apo të vendeve të ndryshme do të realizohen mbi bazën e menusë për të cilën ka punuar prej një kohe të gjatë një grup pune me ekspertë rë sporteve dhe e miratuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
Mensat do të jenë të organizuara për të pranuar gjatë 24 orëve sportistët pjesmarrës, duke shmangur mbipopullimin dhe ngarkesën në orare të ndryshme. Robotët inteligjentë do të jenë të pranishëm në çdo moment për të dhënë këshillat dhe orientimet për shërbimet e kërkuara.
Për temperaturat shumë të ulta veçanërisht në në zonën e Zhangjiakou, janë ndërmarrë e po eksperimentohen maska e doreza të teknologjisë së lartë për të ngrohur sportistët. Studiuesit në shkollën e shkencës e të inxhinierisë së tekstileve të Universitetit Tiangong (Tiangon) në Tianjin (Tianxhin) po i realizojnë, duke sjellë kështu një produkt aq të domosdoshëm për kushtet e ftohta të motit. Maskat dhe dorezat kanë të integruar teknologjinë më të fundit në komponentët e ngrohjes së bashku me ato fleksibël ku përfshihet një algoritëm inteligjent i kontrollit të temperaturës.
Sensorët e fuqizuar nga algoritmi mbledhin temperaturat e trupit dhe të jashtme dhe kontrollojnë ngrohjen. Maskat kanë nga dy deri në katër pjesë ngrohëse, ndërsa dorezat kanë nga një për çdo gisht.
Nga rrugët tek njësitë akomoduese, nga ushqimet tek maskat e dorezat olimpike për të ngrohur atletët pjesmarrës, nga atmosfera mikpritëse tek shkëlqimi i Pekinit dhe qyteteve të tjera, çdo gjë është tashmë gati për startin e madh. Krahas atletëve dhe delegacioneve pjesmarëse, Kina ka rikonfirmuar vullnetin dhe gatishmërinë për të pritur përfaqësues të medias nga e gjithë bota, për të raportuar në mënyrë të hapur e krejt trasparente. Fakti që më shumë se 2500 gazetarë kanë paraqitur aplikime për regjistrim për të pasqyruar këto lojëra dhe ato po konfirmohen, është tregues i asaj se liria e raportimit është në themelin mediatik të promovimit sa më të plotë e pa kufizime të kësaj ngjarjeje të madhe.
“ Ne do të vazhdojmë të ofrojmë lehtësi dhe ndihmë për reporterët e mediave të huaja për punën e tyre në Kinë” nënvizoi në një konferencë shtypi ditët e fundit, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin (Uan Uenbin). Raportimet për ecurinë e përgatitjeve kanë qënë të mirepritura nga gazetarë nga e gjithë bota dhe në vijimësi ka patur informacione që kanë pasqyruar punën e bërë. Në një distancë kohore prej 14 vitesh Pekini, si asnjë qytet tjetër në botë realizon mbajtjen e Lojërave Olimpike Verore e Dimërore, duke treguar vitalitetin dhe fuqinë e një shteti të madh, ta zhvilluar e me kapacitete sfiduese në çdo fushë.
Suksesi i Lojërave Olimpike tashmë pret të çertifikohet nga performanca e atletëve dhe shkëlqimi i shpirtit olimpik, nga organizimi i perfeksionuar deri në detajet më të vogla dhe nga shfaqja e pakursyer e mikpritjes së veçantë kineze. Të gjitha sëbashku do t’i japin Lojërave Olimpike Dimërore një ndriçim magjepës që kurrsesi nuk mund të errësohet nga ngjyrosje keqdashëse politike e prapaskena me “ bojkote diplomatike”.
Veprime të tilla që nuk të çojnë askund dhe dëmtojnë edhe thelbin e Lojërave Olimpike, nuk mund të dëmtojnë suksesin e pritshëm. Suksesi i Lojërave asnjëherë nuk është përcaktuar se zyrtarë të njerit apo tjetrit vend kanë marrë pjesë apo i kanë ndjekur nga afër këto lojëra. Ai sukses qëndron brenda garave, brenda shpirtit olimpik, brenda mirëkuptimit të atletëve dhe tek fuqia organizuese.
Pekini i afrohet çdo ditë që kalon festës së madhe, ku bujaria do të shfaqet në dimensionin e saj më të madh për të mirëpritur kultura nga e gjithë bota në emër të sporteve, por më gjerë se kaq, në emër të qytetërimit.
Gëzim Podgorica