Java e 11-të e Superiores nuk solli ndryshime tek kreu i rënditjes ,pasi Tirana e vendit të parë dhe Kukësi që e ndjek, i kanë marrë pikët e plota. Bardheblutë mposhtën Egnatian, që mbetet në zonën e ftohtë, ndërsa verilindorët nuk u kursyen me Kastriotin e vendit të fundit dhe i shënuan 6 gola. Vllaznia e vendit të tretë nuk e mbajti dot ritmin e skuadrave kryesuese. Shkodranët barazuan me Teutën, me këta të fundit që janë parakaluar nga Laçi e Partizani. Kurbinasit realizuan pesë gola në portën e Dinamos dhe tani janë dy pikë larg vendit të tretë, sikurse Partizani. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja mori pikët e plota kundër Skënderbeut, që i pa edhe skuadrat rivale të humbnin këtë javë. Polemikat ishin të shumta në këtë duel, për shkak të një goli që nuk u akordua për korçarët në fillim të pjesës së dytë.

Kategoria e Parë, ndalet Bylisi dhe përfiton Erzeni

Në javën e 12-të të Kategorisë së Parë, Bylisi nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë në Pukë përballë Tërbunit. Ballshiotët kryesues të kampionatit shënuan barazimin e parë sezonal në kampionat. Erzeni konfirmon pretendimet e tij, duke shkatërruar 4-1 Lushnjën. Falë këtij suksesi dhe hapit fals të Bylisit në Pukë, diferenca mes dy skuadrave ka shkuar në tre pikë.Apolonia mori një fitore në minutat e fundit përballë Korabit. Tomori mposhti minimalisht 1-0 Besëlidhjen falë golit të shënuar nga Manellari në minutat e para të sfidës. Me të njëjtin rezultat fitoi edhe Butrinti përballë Besës së Kavajës. Një gol i Turbinës 5 minuta nga përfundimi i sfidës, i ka mohuar fitoren skuadrës së Maliqit dhe e gjithë sfida u mbyll në barazim 1-1. Shkumbini dhe Pogradeci kanë ndarë nga një pikë mes tyre, pasi kanë barazuar 1-1 në Peqin.

Armando Broja rikthehet titullar dhe shënon përsëri në Premier Ligë

Armando Broja gjeti golin e rradhës në Premier Ligë me Southamptonin. Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare ishte fantastik me lëvizjen e bërë në zonë dhe më pas e çoi topin në rrjetë kundër Brighton. Ky ishte goli i pestë sezonal i Brojës, që numëron tre gola në Premier League dhe dy në Kupë, duke u bërë shënuesi më i mirë U20 në të gjitha garat në Angli.Broja, 20 vjeç e 85 ditë, bëhet lojtari i dytë më i ri në historinë e Premier League, që shënon në të tria ndeshjet e para si titullar në kampionatin anglez.

Liga Unike e basketbollit, fitore për kampionët në fuqi

Kampionët e Golden Eagle Ylli kanë vazhduar me fitore në xhiron e pestë te ndeshjeve në Ligën Unike të basketbollit, Shqiperi-Kosove.Ata mundën Kamza Basket me rezultatin 89:75. Deri në këtë fazë të sezonit, Golden Eagle Ylli ka katër fitore dhe një humbje, kurse Kamza Basket ka dy fitore dhe tri humbje. Tirana Neptun ka mposhtur në shtesë Teutën me rezultatin 72:79.Koha e rregullt u mbyll në barazim 65-65,ndërsa në shtesë Tirana ishte më mirë duke shënuar 14 pikë,kundrejt 7 pikëve të kundërshtarëve. Tashmë të dy skuadrat kanë nga tri fitore dhe dy humbje. Rahoveci ka shënuar fitore në transfertë ndaj Vllaznisë me rezultatin 84:93. Te Vllaznia u dallua Matthew Butler me 19 pikë, pesë kërcime dhe gjashtë asistime, kurse te Rahoveci u dallua Milik Yarbrough me 20 pikë e 12 kërcime. Të dy skuadrat kanë nga një fitore dhe katër humbje. Peja ka shënuar fitore ndaj Prizrenit 16 me rezultatin 97:60.Vendasit ishin më të mirë nga fillimi deri në fund, për të shënuar një fitore të merituar. Te Peja u dallua Dardan Berisha me 24 pikë e dhjetë asistime. Tashmë të dy skuadrat kanë nga tri fitore dhe dy humbje.

Zhan Jun vlerëson trajnerin e dorëhequr të Kinës Li Tie

Eksperti kinez i futbollit Zhan Jun tha se ai kurrë nuk i ka vënë në diskutim aftësitë e Li Tie, i cili dha dorëheqjen si trajner i Kinës javën e kaluar. Një deklaratë e lëshuar nga Federata Kineze e Futbollit të premten e kaluar tha se Li kishte dhënë dorëheqjen, por nuk dha arsyet e sakta për dorëheqjen e tij. Zhan sugjeroi se Li e kishte dëshmuar veten si një trajner i aftë futbolli.“Megjithëse kisha kritika për përzgjedhjen e ekipit të Li Tie dhe performancat në fushë, kurrë nuk i kundërshtova kredencialet dhe aftësitë e tij stërvitore”, tha ai në intervistën për Xinhua. “Ai është ende një nga trajnerët më të mirë vendas të gjeneratës së tij”, shtoi ai.Li Xiaopeng është zgjedhur për të plotësuar vendin vakant të lënë nga Li dhe ai pritet të bashkohet me kombëtaren kineze në Shangai të martën.Ndeshja e parë e Li Xiaopeng në krye të stolit kinez do të jetë transferta kundër Japonisë më 27 janar 2022.

Ning Zhongyan merr medalje argjendi në Botërorin e patinazhit

Kinezi Ning Zhongyan vazhdoi të tregojë formë të mirë në kampionatin boteror të patinazhit të shpejtësisë në sezonin 2021-22, duke fituar një medalje të argjendtë me një kohë rekord kombëtar prej një minutë dhe 41.38 sekonda në garen 1500 metra për meshkuj, në Salt Lake City të SHBA-së. Kjo është medalja e tretë në po aq Kampionate Botërore për 22-vjeçarin. Jam vërtet i kënaqur me kohën time,dhe që vendosa rekordin e ri kinez përsëri" tha Ning për faqen zyrtare të turneut pas këtij suksesi.

Serie A,Milani merr kreun e rënditjes,Interi e ndjek me vendosmëri

Milani është ngjitur në krye të rënditjes së Serisë A.Kuqezinjtë mundën 2-0 Salernitanën me golat e Kessie dhe Salemakers.Pas tyre vjen Interi që nuk di të ndalet,dhe mori 3 pikë në një transfertë të vështirë si ajo e Romës.Djemtë e Inzaghit fituan 0-3 që në pjesën e parë.Calhanoglu dhe Dzeko gjetën golin duke vazhduar formën e tyre pozitive, ndërsa gjeti golin e parë edhe Dumfries.Shkundjen e madhe në klasifikim e bëri Atalanta, që mundi Napolin 2-3.Bergamaskët larguan Napolin nga vendi i parë,por dëshmuan që janë dhe ata favoritë për titullin kampion.Atalanta tashmë qëndron 4 pikë larg Milanit.Juventusi mundi Genoan 2-0 dhe u ngjit në vendin e pestë. Diferenca me kreun tashmë është 11 pikë,por skuadra e Allegrit objektiv të parë për momentin ka të futet në zonën Champions.

Chelsea dorëzon vendin e parë pas shumë javësh

Chelsea u mund 3-2 në derbin e Londrës nga West Hemi dhe pas shumë javësh lëshoi kreun e rënditjes.Nga ky hap falls përfituan Man.City dhe Liverpool,që e parakaluan në rënditje. Ekipi i Klopp arriti një fitore minimale 1-0 në transfertë ndaj Wolves. Ishte Divock Origi që zhbllokoi rezultatin vetëm në minutat e fundit duke e çuar Liverpoolin +1 nga Chelsea. Manchester City qëndron tashmë në krye të rënditjes pas fitores 1-3 në fushën e Watford,me 1 pikë më shumë se Liverpul, dhe 2 më shumë se Chelsea. Tottenham dhe Manchester United kanë marrë pikët e plota dhe shohin drejt vendit të katërt, që mbahet nga West Ham United. “Spurs”-at kanë fituar ndeshjen e tretë radhazi me Antonio Conten në stol.Londinezët triumfuan me rezultatin 3-0 kundër Norwich. Manchester United ia doli me Ralf Rangnick në stol, kundër Crystal Palace. Fred i nderoi “Djajtë e kuq”, duke shënuar golin e fitores.

Reali fillon arratinë. Atletico dhe Barcelona munden

Real Madrid ka fituar një tjetër betejë të vështirë, ndaj Real Sociedad në transfertë. Madrilenët e kanë çuar në tetë pikë diferencën me Sevilla të vendit të dytë, pasi sot ndaj baskëve fituan me rezultati 2-0.Festa u prish disi në minutën e 17-të, pasi Karim Benzema ka ndjerë një shqetësim në këmbë dhe la fushën e blertë. Ai nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen që Real Madrid do të luajë në mesjavë kundër Interit në Champions League. Në kampin e Real Madridit janë duke shpresuar që sulmuesi francez të rikuperohet të paktën për në fundjavë, kur do të luhet derbi i Madridit ndaj Atleticos.Këta të fundit u befasuan nga Mallorca në Wanda Matropolitano.Skuadra e Simeones u mposht në minutat shtesë me rezultatin 1-2. Xavi ka pësuar humbjen e parë si trajneri i Barcelonës pasi është mposhtur me rezultatin minimal në shtëpi 1-0 nga Betis. Katalanasit patën disa raste të mira për shënim, si dhe u përpoqën të kishin shumicën e ndeshjes në kontroll, por në fund nuk rezultoi ashtu si pritej. Kështu, Betis ngjitet në vendin e pestë me 27 pikë, ndërsa Barcelona qëndron në vendin e shtatë me 23 pikë.

Bajerni fiton klasiken e Gjermanisë

Klasikja e Gjermanise u fitua nga Bajerni i Mynihut. Kampionët e Gjermanisë likuiduan Borussia Dortmund me rezultatin 3-2 dhe Robert Lewandowski ishte ai që ndëshkoi dy herë ish-skuadrën e tij.Brandt dhe Halaand shënuan për vendasit, ndërsa përveç Levandovskit edhe Coman gjeti golin në këtë sfidë për bavarezët. Bayer Leverkusen nuk është kursyer kundër Greuther Furth, pasi ka fituar me rezultatin e thellë 7-1 dhe tani numëron 7 pikë më pak se kryesuesit e Bayern Munich. Freiburg ka triumfuar me rezultatin 6-0 kundër Borussia M’Gladbach dhe ka vendosur një rekord të ri në Bundesliga.Skuadra gjermane shënoi 5 gola për 25 minuta, gjë që nuk e kishte bërë asnjë ekip deri më tani në kampionatin gjerman.Freiburg i shënoi të gjithë golat në pjesën e parë dhe mori tre pikët në fund, duke mbajtur vendin e katërt në klasifikim.

Psg bën hap falls,por ruan diferencën me vendin e dytë

PSG rrit diferencën në 13 pikë me Marseille, edhe pse këtë javë barazoi kundër Lens në transfertë. Skuadra e Pochettino ishte shumë pranë humbjes, por Wijnaldum në shtesë barazoi dhe takimi përfundoi me rezultatin 1-1. Gjithsesi Marseille ishte mundur më parë, nga Brest 1-2 dhe nuk ndryshoi shumeçka në rënditje. Fitore për kampionët e Lillë, e dyta radhazi, kundër Troyes me përmbysje.

Egjipt, trajneri pëson infarkt nga emocionet e golit në minutën e fundit

Një lajm tragjik nga Egjipti tronditi boten e futbollit.Adham Al-Selehdar, trajneri i Al-Majd Al-Iskandari, vdiq pas një infarkti në ndeshjen kundër Al Zarka, sfidë e vlefshme për kategorinë e dytë të këtij vendi. Zemra e trajnerit nuk duroi dot, pas golit që zhbllokoi sfidën, që u shënua nga skuadra e tij në minutën e 92-të.Emocione shumë të forta që për fat të keq i kushtuan jetën.Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve dhe dërgimit të shpejtë në spital, Adham Al-Selehdar nuk ia doli të fitojë këtë sfidë.Sipas asaj që deklarojnë drejtuesit e klubit, zemra e tij pushoi së rrahuri përpara se të mbërrinte në spital. Një lajm tragjik që ka tronditur botën e futbollit në Egjipt dhe jo vetëm.

NBA, humbasin kryesueset e Lindjes dhe Perëndimit

Janë mposhtur në ndeshjet respektive të fundit në NBA dy kryesueset e Lindjes dhe Perëndimit. Brooklyn mundet në shtëpi 111-107 nga Chicago, falë 60 pikëve të realizuara nga dyshja LaVine-DeRozan.Një mbrëmje e keqe edhe për Golden State, që mposhtet nga San Antonio 112-107, pavarësisht 27 pikëve të Curry. Buzëqeshin kampionët në fuqi të Milwaukee, që fitojnë 124-102 kundër Miamit edhe pa Giannis Antetokounmpo. Atlanta Hawks-Charlotte Hornets ishte një nga ndeshjet më të bukura në NBA, që përfundoi me rezultatin 127-130. Miles Bridges ishte i papërmbajtshëm, me 32 pikë të shënuara. Fantastik ishte edhe Kelly Oubre Jr, autor i 28 pikëve. Toronto Raptors ka surprizuar skuadrën e Washington Wizards, që e ka mposhtur 102-90. Kanadezët shënuan 21 pikë më shumë në gjysmën e parë të ndeshjes dhe atë diferencë e menaxhuan deri në fund, duke marrë fitoren e 11-të sezonale. Pascal Siakam ishte lideri i Raptors, me 31 pikë të shënuara.

Dueli “thriller” Hamilton-Verstappen, kampioni vendoset në garën e fundit

Ljuis Hemilton dhe Maks Verstappen do të garojnë si të barabartë dhe për gjithçka në stacionin e fundit të këtij sezoni në Abu Dhabi, pasi kampioni në fuqi i botës triumfoi në Çmimin e Madh të Arabisë Saudite. Ishte një garë që i pati të gjitha ajo e zhvilluar të dielën në mbrëmje në pistën e Xhid’das, teksa u ndal dy herë nga flamuri i kuq dhe 3 herë të tjera u komandua nga makina virtuale e sigurisë, ndërsa pati edhe një ndëshkim prej 5 sekondash për Maks Verstapenin, që i kushtoi atij vendin e parë dhe i dhuroi rivalit të tij, Hemilton, fitoren. Një fitore që, për më tepër, i barazon të dy rivalët në krye të renditjes së përgjithshme të pilotëve, në kuotën e 369.5 pikëve, duke bërë që gjithçka të vendoset në garën e fundit të sezonit. E vetmja herë që dy rivalë për titullin në Formula 1, shkojnë në garën e fundit me pikë të barabarta ka qenë viti 1974, kur rivalë ishin Emerson Fitipaldi me “MekLaren” dhe Klej Regaconi me “Ferrari”, që në fund u fitua nga Fitipaldi. Por, 47 vjet më pas, Formula 1 e gjen veten në të njëjtin kryqëzim të rrallë, dhe kjo enigmë, që është shndërruar padyshim në një “thriller” të vërtetë do të zgjidhet në mbrëmjen e 12 dhjetorit, në pistën e Abu Dhabit në Emiratet e Bashkuara Arabe.