Presidenti Ilir Meta me Sulejman Demollarin (Balkanweb)
Ikona e futbollit kombëtar Sulejman Demollari, lindi në 15 maj të vitit 1964 dhe konsiderohet si një nga futbollistët më të mirë shqiptarë të të gjitha kohrave. Ai e nisi futbollin si të gjithë fëmijët, duke luajtur nëpër fushat e lagjeve, aty ku ai dëshironte të kalonte gjithë kohën e tij duke luajtur me top. Që në moshë të vogël ai ra në sy për talentin e tij. Kur ishte në shkollën 8- vjeçare “Alqi Kondi”, po zhvillohej një kampionat për shkollat sportive shkolla e tij përfaqësonte ekipin e 17-Nëntorit, sot ekipi i Tiranës. Drejtuesi i klubit futbollistik Dinamo, atëherë Iliaz Çeço vendosi që 3 talentë nga ekipi t’i merrte tek të rinjtë e Dinamos .
Futbollisti Sulejman Demollari (Konica.al)
Në vitin 1981, kur ishte në moshën 17 –vjeçare Sulejman Demollari aktivizohej te ekipi i parë. Në ndeshjen e parë ai shënoi golin e tij të parë tek Dinamo. Më pas u bë ikonë e këtij klubi, duke fituar 3 tituj kampion ku rivaliteti me dy ekipet e tjera të kryeqytetit ishte mjaft i madh.
Sulejmani shënoi me dhjetra gola me ekipin e Dinamos dhe në vitin 1991 kaloi tek ekipi rumun i Dinamos së Bukureshtit, ku që në sezonin e parë, shënoi 18 gola dhe fitoi titullin kampion në Rumani. Në 100 ndeshje të luajtura me Dinamon e Bukureshtit Sulejman Demollari shënoi 38 gola.
Demollari në fushën e lojës (Flas shqip)
Demollari dhe sot është cilësur si lojtari më i mirë i huaj i të gjitha kohërave në klubin e Dinamos së Bukureshtit, në Rumani. Më pas karrierën e tij futbollisti Sulejman Demollari e vazhdoi në Greqi tek ekipi Panionios dhe në Hungari me ekipin e Gyor. Demollari ka shkruar histori me ekipin e të rinjve U-18 të Shqipërisë, duke u kualifikuar për në çerekfinalet e vitit 1984, ku dhe u shpall mesfushori më i mirë i turnout, duke lënë në hije futbollistin e madh hollandez, Marko Van Basten.
Sulejman Demollari në Rumani duke dhënë autografe (Gazeta Si)
Me kombëtaret e të gjitha moshave Demollari ka mbajtur shiritin e kapitenit dhe me cilësitë e tij të padiskutueshme u bë një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave në futbollin shqiptar. Pas përfundmit të karrierës së tij ai mori drejtimin e kombëtareve U-15, U-17, si dhe drejtimin e Kombëtares A, ndërsa në klube me ekipet si, Dinamo e Tiranës, Lushnja, dhe Shkumbini. Në vitin 2018 Demollari u dekorua nga presidenti i Republikës, Ilir Meta me titullin Mjeshtër i Madh i Sportit.
Përgatiti: Sava Lena