Dy çifte të përziera dyshe kino-amerikane vazhduan të lënë mbresa në Kampionatin Botëror të Pingpongut në Hjuston të Teksasit, duke kaluar në një të tetat të enjten mbrëma.
Pavarësisht kohës së kufizuar të stërvitjes, çiftet arritën të fitonin ndeshjet e tyre të para relativisht lehtë të martën. Duke vijuar paraqitjen e mirë, Jha Kanak dhe Wang Manyu fituan me Lubomir Pistej dhe Barbora Balazova nga Sllovakia 11-8, 11-9, 12-10 të enjten mbrëma, ndërsa Lin Gaoyuan dhe Lily Zhang përmbysën rezultatin duke mposhtur dyshen gjermane Qiu Dang dhe Nina Mittelham 12-14, 11-8, 11-3, 12-10.
Shoqata Kineze e Pingpongut dhe Shoqata e Pingpongut e ShBA-së i paraqitën së bashku një kërkesë Federatës Ndërkombëtare të Pingpongut për të lejuar çiftet kino-amerikane të ndesheshin në kampionat në një lëvizje historike për të shënuar 50-vjetorin e "diplomacisë së pingpongut".
Pesëdhjetë vjet më parë, ekipi i pingpongut i ShBA-së u ftua nga ekipi kinez për të vizituar Kinën në përfundim të Kampionatit Botëror të 31-të në Nagoja të Japonisë. Pingpongistët amerikanë mbërritën në Pekin më 10 prill 1971, duke u bërë grupi i parë amerikan që vizitonte Kinën që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës më 1949.
Ekipi kinez i pingpongut e bëri vizitën e kthimit në ShBA vitin e ardhshëm, duke thyer kështu akullin prej dy dekadash në marrëdhëniet Kinë-ShBA dhe duke çuar në normalizimin e lidhjeve dypalëshe. (Artan/Fani)