Spanja arrin të mposhtë minimalisht Suedinë, duke siguruar biletën për në “Katar 2022”. Ndeshje plot ankth deri në minutat e fundit në “La Cartuja”, teksa në të 86-tën Alvaro Morata me golin e tij çliroi psikologjikisht vendasit.Suedia me një fitore mund të kulifikohej direkt për në Botëror, ashtu siç bëri Serbia, por nuk ja doli dot ndaj skuadrës së Luis Enrikes.Ndërkohë Maqedonia e Veriut shkruan historinë, duke siguruar vendin e dytë në grupin J, pasi mundi në Shkup Islandën me rezultatin 3-1 dhe arriti të sigurojë një vend në fazën play-off, për të vijuar ëndrrën për një vend në Kupën e Botës Katar 2022.

Ja se si funksionon Play-offi i Kupës së Botës për zonën e Europës

Tanimë që faza e grupeve u mbyll dhe 10 skuadra u kualifikuan në Botëror,të shumtë janë tifozët që nuk e kanë të qartë sesi do të funksionojë formula e play-offit,të cilën do ta shpjegojmë në vijim.10 skuadrat që u renditën të dytat në këto eleminatore, së bashku me 2 skudrat me rezultatet më të mira nga Liga e Kombeve (midis atyre që nuk janë kualifikuar ose nuk janë tashmë në play-off), do të ndahen në tre grupe me nga katër skuadra.Katër skuadrat e çdo grupi do të sfidojnë njëra-tjetrën me ndeshje teke në sistemin gjysmëfinale-finale.6 skuadrat që patën rënditjen më të mirë në eleminatore do të njihen si koka grupi,dhe perballjet gjysmëfinale në grupet respektive do ti luajnë në fushën e tyre,ndërsa finalja do të përcaktohet me short se ku do të luhet.Tre fitueset e çdo grupi do të presin biletën për në Katar 2022 duke kompletuar listën me 13 kombëtare që kontinenti europian do të dërgojë në kompeticionin më të madh global.

Premier Liga dhe Bundesliga zyrtarizojnë ndryshimet në kalendarin e sezonit të ardhshëm

Kupa e Botës Katar 2022 do të jetë një risi, pasi do të zhvillohet në stinën e dimrit dhe për këtë arsye, shumë liga europiane e botërore do të duhet të përshtatin kalendarin e tyre, në mënyrë që të ndalen për t’i lënë vend eventit më madhështor.Kështu së fundi Premier League ka publikuar datat e kalendarit për sezonin e ardhshëm, duke njoftuar se kampionati do të ndalet për një periudhë prej plot 42 ditësh, në mënyrë që lojtarët të mund të marrin pjesë në Kupën e Botës.Sezoni i ardhshëm i Premier League do të startojë në fundjavën e parë të gushtit, ose saktësisht më 6 gusht dhe do të luhet deri më 13 nëntor, për t’u rikthyer sërish më 26 dhjetor. Plot 42 ditë pushim për Premier Leaguen, në mënyrë që lojtarët të marrin pjesë në Katar 2022, ndërsa akoma më e gjatë është ndalesa për Bundesligën gjermane, që do të startojë më 6 gusht dhe do të ndalet më 13 nëntor, por do të rinisë sërish vetëm më 20 janar të 2023-shit, pra me një pushim prej më shumë se dy muajsh.

Të mëdhatë e kontinentit në garë për të marrë Pogban

Shanset që Paul Pogba të largohet nga Manchester United në verën e ardhshme janë shumë të larta. Të dyja palët, edhe francezi edhe klubi duken të pakënaqur me njëri-tjetrin. Për pasojë, shumë klube europianë janë hedhur në sulm për të marrë shërbimet e mesfushorit.I pari në listë qëndron ekipi ku Pogba pati shkëlqimin e tij, Juventus. Për Zonjën e Vjetër, francezi është një dëshirë e hershme. Drejtuesit bardhezi po përpiqen të shesin disa lojtarë të ekipit në mënyrë që të grumbullojnë fonde për francezin.Megjithatë, Juventus nuk është vetëm në këtë listë. Konkurrentë të fortë mbeten edhe Real Madridi dhe PSG. Ekipi i Ancelottit po kërkon të rinovojë mesfushën dhe Pogba shihet si lojtari ideal për galaktikët. Ndërkohë, PSG kërkon të rrisë më shumë nivelin në mesfushë dhe afrimi I francezit do të jepte një dorë më shumë në atë repart.

“Last Dance” i legjendës së Moto Gp Valentino Rossi

Valentino Rossi i dha fund karrierës së tij si pilot i MotoGP, pas 26 vitesh në pistat e motoçiklizmit. Pas garës së Valencias, një festë e madhe u zhvillua për pilotin Italian, legjendë e këtij sporti, me 9 tituj kampionë bote në të gjitha kategoritë. Mijëra tifozë e përshëndetën Valentino Rossi, i mallëngjyer nga emocionet. “Do të kisha preferuar që këtë festë ta kisha bërë në Itali, në pistën e Mugello, por kisha frikë se më pas nuk do të më gjenin më. Bëj shaka. Ishte një fundjavë e bukur. Isha i shqetësuar, por më bënë mjaft surpriza. Gjithçka ishte e këndshme, pasi ishte një festë lamtumire e stilit tim, duke kërcyer dhe thyem shumë gjëra”, tha Rossi. “Jam i kënaqur për garën që bëra, u rendita i dhjeti, pas më të mirëve. E shijova shumë garën, festën, gjithçka. Tani, dalëngadalë do të nis të kuptoj se kjo ishte gara e fundit dhe se jam tërhequr nga sporti”, tha Rossi. “Gjithnjë kam dashur ta mbyll ashtu siç kam dashur unë, sipsa stilit tim. Tërheqja nga sporti ishte një arsye për të bërë pak rrëmujë. Duke parë këtë festë, ndoshta rikthehem e tërhiqem vitin tjetër”, u shpreh me humor Valentino Rossi për mikrofonin zyrtar të Moto Gp.

NBA,mundet Golden State,rikthehet tek fitorja Lakers

Vjen humbja e dytë sezonale në NBA për Golden State, që ende mbetet ekipi më i mirë. Warriors u mundën 106-102 në fushën e Charlotte. Kolektiviteti i ekipit vendas bëri diferencën në parket (6 lojtarë realizuan mbi 10 pikë). Rikthehet te fitorja ekipi i Lakers, që mundi 114-106 San Antonio. Anthony Davis me 34 pikë e 15 rebound ishte lider për kalifornianët në këtë sfidë. Humbet skuadra tjetër e Los Anxhelosit, ajo e Clippers, që në fushën e saj u mposht 100-90 nga Chicago. DeRozan ishte protagonist kryesor me 35 pikë. Fitore të rëndësishme jashtë fushe korri skuadra e Brooklyn, që triumfoi 120-96 ndaj Oklahoma, sfidë e dominuar nga miqtë me Durant që shënoi 33 pikë. Zhgënjen skuadra kampione e Milwaukee, që u mund 120-100 nga Atlanta.Ndeshje e madhe nga Young që realizoi 42 pikë e 10 asiste.