Rrugëtimin në sport Ergys Luga e filloi në moshën 9 vjeçare në Akademitë e KF Tirana dhe vazhdoi në akademinë e klubit Dinamo, ku është rritur, stërvitur dhe ka luajtur me shumë sportistë të njohur. Më pas ikja në Gjermani dhe angazhimi në dy ekipe të ndryshme, që u ndal për shkak të një dëmtimi. Ergysi ka mbaruar shkollën e lartë dhe studimet master për “Intepretim dhe Komunikim të gjuhës gjermane”, kurset e Federatës së futbollit për UEFA B dhe UEFA A dhe njëkohësisht punën si trajner në ekipin e moshave të Kamzës, ku fitoi dhe emrin që ka sot. Në një intervistë për CMG ai na tregon për rrugëtimin e tij sportiv si dhe eksperiencën kineze, si trajner futbolli i moshave.
CMG: Ergys, përshëndetje dhe të falenderoj për pjesëmarrjen në Autostradë.
Ergys Luga: Faleminderit për ftesën tuaj të cilën e prita me shumë dëshirë
CMG: Si kanë qenë fillimet tuaja në sport dhe vazhdimësia si trajner futbolli në ekipet e moshave?
Ergys Luga: Karriera ime sportive ka nisur në moshën 9 vjeçare me ekipet zinxhir të moshave, ku jam regjistruar me trajnerin e parë Hyqmet Kuka, te pallati i pionerit. Pastaj karriera vahdoi në rritje dhe shkova te ekipet zinxhir të Tiranës dhe Dinamos. Më vonë kam pasur një eksperiencë të shkurtër në Gjermani në moshën 19 vjeçare, nga ku mund të them që nuk kisha fat sepse për arsye të dëmtimeve të marrra në rininë e hershme, u desh që të vuaj disa dëmtime të cilat ndikuan dhe vazhdimin e karrierës time si futbollist. Pas eksperiencës gjermane, pata fatin që të vazhdoja dhe Universitetin në Tiranë ku u diplomova me titullin master. Sigurisht që mendja nuk mbetej pas futbollit dhe kur shikoja ndeshje futbolli syri nuk shkonte më tek lojtari, por tek kolektivi, çka bëri që të vazhdoj karrierën si trajner, duke kryer kurset përkatëse të UEFA-s në Federatën Shqiptare të Futbollit me lektor Astrit Maçin, Alban Tafajn, Edmond Gizdarin dhe emra të tjerë të shquar të futbollit. Unë u diplomova në UEFA B në vitin 2016 dhe në vitin 2019 në UEFA A dhe gjatë kësaj kohe kam pasur dhe eksperiencë si trajner profesionist te ekipet zinxhir të Tiranës dhe ekipi i parë i Kamzës si ndihmës trajner, përkrah trajnerit Ernest Gjoka.
CMG: Ju Ergys edhe pse u dëmtuat nuk e ndërpretë rrugën e sportit, duke vijuar si trajner për të pregatitur futbollistë të rinj.
Ergys Luga: Gjithmonë futbolli ka qenë theksi i jetës sime, megjithëse isha i pafat në karrierën e futbollit, vendosa që të trajnoj ekipet e moshave dhe të le një gjurmë tek ata fëmijë, që aspirojnë që të jenë futbollistë në të ardhmen.
CMG: Ju gjithashtu keni përfunduar dhe studimet e larta. Mendoni se shkolla ju ka ndihmuar në komunikimin gjatë përgatitjes së futbollistëve të rinj?
Ergys Luga: Puna e trajnerit është punë menaxhuese në radhë të pare, sepse menaxhimi i lojtarëve është një detyrë që kërkon forcë të madhe psikologjike, kërkon komunikim dhe motivim dhe pa këto elementë që të jep arsimi, nuk mund të flasim më për një trajner me anë njerëzore, por mund të flasim për një trajner që le të themi ka aspirata të tjera. Mendimi im është se një trajner nuk mjafton të dijë 1000 ushtrime pa patur bagazhin e duhur shkollor. Flas këtu jo vetëm për futbollin, por dhe bagazh edukativ, sepse ajo është që do t’i bëjë lojtarët që të mësojnë diçka nga futbolli.
CMG: Ergys ju keni disa vite që e ushtroni profesionin e trajnerit të futbollit në Kinë. Na tregoni diçka për këtë eksperiencë tuajën në kontinentin e largët aziatik.
Ergys Luga: Në vitin 2019 u kontaktova nga agjenti sepse kishte një ofertë nga ekipi i Shenzhenit. Kur shkova atje çdo gjë ishte ndryshe. Në Kinë ishte mentalitet dhe jetesë tjetër, por kjo bënte që dhe futbolli të ishte tjetër. E para gjë që unë arrita të bëj ishte përshtatja me mentalitetin kinez. Në atë kohë ishte dhe koha e pandemisë ku dhe jeta e përditëshme ndryshoi, çka ndikoi dhe në futboll, por Kina është një shtet gjigant dhe është një shtet që investon dhe Kina u mundua ta largojë pandeminë dhe të lulëzojë përëri futbolli. Në Shenzhen nuk pata mundësi të qëndroj më shumë se një vit e tre muaj, pata një mundësi të mirë nga veriu i Kinës ku isha dhe drejtor teknik, më pas u ktheva përsëri në jug të Kinës në një qytet afër Shënzhenit, qyteti Guangzhou ku mu afrua detyra e trajnerit të moshave U-19 ku jam akoma dhe në turneun e fundit u përfaqësuam në mënyrën më të mirë.
CMG: Si e shikoni të ardhmen tuaj sportive, të jepni kontributin tuaj si trajner futbolli në Kinë, apo keni menduar që të riktheheni në Shqipëri?
Ergys Luga: Kjo puna e karrierës është pak e komplikuar sepse trajneri vlerësohet në bazë të rezultateve që jep. Unë jam akoma herët dhe kam akoma për të dhënë në Kinë dhe do të jap akoma. Për projekte të mira, sidomos në vendin tim unë jam gjithmonë i hapur.
CMG: Ju ka mbetur peng që nuk vijuat më gjatë karrierën si futbollist për shkak të dëmtimeve?
Ergys Luga: Jo vetëm unë, por çdo trajner e ka këtë, pavarësisht se unë u mundova që ta rikuperoj kohën e kaluar, duke luajtur futboll amator në Kinë sepse atje futbolli është masiv dhe luhet shumë. Komplekset sportive në Kinë janë gjigante, duke i dhënë mundësinë të huajve dhe kinezëve që të luajnë futboll në fushat e mëdha 9-she ose dhe 11-she, ku unë tentova edhe njëherë edhe pse ishte e vështirë dhe trupi nuk përgjigjej më si më përpara, por them se kam mall shumë.
CMG: Shpeshherë keni qënë edhe në rolin e analistit sportiv në emisione të ndryshme sportive televizive. Si e shikoni futbollin shqiptar në këtë kohë?
Ergys Luga: Mund të them që futbolli në Shqipëri është aty ku e kam lënë unë në kuadrin menaxherial, por them se duhet investuar akoma dhe mendoj se duhet të rishikohen ligjet e sporteve. Në futbollin shqiptar mungojnë sulmuesit dhe nuk po kemi prurje në vendin tonë. Të prodhosh lojtarë sot duhet të kesh pjesë logjistike dhe mendoj se këtu ka mbetur të vihet theksi tek pjesa logjistike dhe menaxheriale më shumë në kampionatin shqiptar.
CMG: Ergys faleminderit për intervistën dhe ju uroj suksese në karrierën tuaj sportive.
Ergys Luga: Faleminderit dhe ju uroj punë të mbarë!
Intervistoi: Gazmend Agaj