Dajan Shatraj gjate nje ndeshje te regbise (foto Instagram)
Dajan Shatraj ka mbaruar studimet për menaxhim agrobiznes dhe së fundi ka studiuar edhe për marketing. Prej vitesh ai është pjesë e klubit të regbisë në Shqipëri, këtij sporti kaq të veçantë e të bukur. Në një rrëfim për CMG Dajani sjell eksperiencën e tij në sportin e regbisë si dhe objektivat që ai ka në të ardhmen, përsa i përket këtij sporti por edhe fushës së marketingut për të cilën ka studiuar.
CMG: Si e nisët sportin e regbisë dhe si ndjeheni në këtë lloj sporti, i cili në Shqipëri pak vite ka që luhet ?
Dajan Shatraj: Sporti i regbisë në fakt në Shqipëri ka nisur që në vitin 2011 nga një grup djemsh në një moshë shumë të vogël në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” dhe me kalimin e kohës mori një hov të madh. Ky është një sport shumë i populluar në Europë dhe Australi dhe me origjinë nga Jorkshire i Anglisë. Në bashkëpunim me shumë organizata këtu por edhe me ekipe të tjera të Ballkanit, ne ja dolëm dhe arritëm që ta përhapnim si sport, të punojmë dhe të sjellim shumë lojtarë dhe vitet e fundit kemi marrë pjesë edhe në Ballkan Superligë. Karriera ime me këtë sport ka nisur që në vitin 2013 me disa shkëputje të vogla, por në vitin 2015 fillova mjaft mirë dhe tani jam në një nivel shumë të mirë, por dhe si ekip jemi në një nivel shumë të mirë që mund të konkurojmë shumë vende në Ballkan.
CMG: Ju e keni pasion si sport regbinë dhe besoj se do të vazhdoni të merreni dhe në të ardhmen me këtë sport?
Dajan Shatraj: Patjetër që po sepse është kthyer në një pasion, gjithmonë kam pasur qejf sportet ekstreme. Unë e kam nisur që në gjimnaz me mundjen dhe këtu pastaj bëra lidhjen me regbinë, thjesht një shëtitje nga liqeni dhe pashë djemtë që po u ndeshnin dhe me kalimin e kohës e kuptova që përveç “përleshjeve” që ka regbija e pashë që ishte një sport shumë miqësor, shumë social, me kultura të veçanta dhe më pëlqeu. Tashmë e kam shumë pasion dhe stërvitem shumë, i dedikohem shumë këtij sporti sepse siç kanë bërë dhe vendet e tjera që nëpërmjet regbisë e kanë zhvilluar atë, dua dhe unë dhe të gjithë djemtë e Tiranës që të kontribuojmë në shoqërinë shqiptare. Sepse është një sport shumë social.
CMG: Dajan për çfarë keni studiuar dhe me çfarë merreni aktualisht përveç regbisë?
Dajan Shatraj: Unë kam shumë dëshirë të jem një konsulent marketingu në të ardhmen, pse jo t’i vij në ndihmë të gjithë bizneseve për nevojat e tyre. Unë kam mbaruar studimet për menaxhim agrobiznes, pastaj në studimet e fundit kam vazhduar për marketing. Gjithmonë kam qenë i angazhuar me fushën e marketingut me reklamat dhe unë kam dashur të mësoj shumë nga reklamat se si zhvillohen ato. Gjithashtu kam prekur dhe botën e aktrimit si figurant dhe aktor i thjeshtë.
CMG: Ju jeni i ri në moshë dhe njëkohësisht bëni shumë gjëra që sigurisht të pëlqejnë. Si arrini t’i menaxhoni të gjitha këto me kohën?
Dajan Shatraj gjate nje roli ne film (foto Instagram)
Dajan Shatraj: Në fakt për të qenë shumë i suksesshëm duhet që pikë së pari të kesh një habitat ku të ndjehesh mirë, të kesh një punë që edhe pse të punosh duket sikur nuk ke punuar asnjëherë. Gjithmonë këtu jam përpjekur që të jem në habitatin tim, të bëj gjithë gjërat që unë dua dhe pse jo këto gjëra të jenë çelësi i suksesit tim, i objektivave dhe vizionit tim në të ardhmen.
CMG: Në cilën nga këto fusha e shikoni më shumë veten dhe a keni menduar ndonjëherë të largoheni nga Shqipëria?
Dajan Shatraj: Gjithmonë e kam parë veten tek sporti dhe e kam pasur ëndërr që të isha pjesë e kombëtares së Shqipërisë, normalisht në disiplina të ndryshme, por pse jo regbija ishte një zgjidhje shumë e mirë sepse kishte shumë disiplina përbrenda. Në fakt nuk e shoh veten vetëm këtu, por edhe te pjesa e marketingut sepse e kam pasur qejf kur isha shumë i vogël, pavarësisht se dhe nocioni ka qenë pak i vështirë në atë moshë, por tani kam shumë dëshirë që të kontribuoj në bizneset shqiptare dhe të kem një zhvillim profesional shumë të lartë. Këtë zhvillim dua që ta kem edhe jashtë vendit, pse jo jashtë të marr dhe një kulturë. Në Europë e shikoj veten shumë sepse edhe përshtatem si karakter. Bota ofron më shumë cilësi edhe pse këtu ka shumë mundësi dhe ju them të gjithëve që të provojnë sa më shumë sepse mundësitë dalin dhe rrugës. Shqipëria ofron mundësi në mënyrë indirekte, por që bota ka kualitet tjetër dhe standarde të tjera. Ne kemi shumë potencial, por pse jo të shkojmë jashtë dhe të zhvillojmë anën profesionale dhe atë zhvillim profesional që kemi dhe të gjithë atë eksperiencë që ndoshta mund të kemi krijuar, ta sjellim këtu dhe ta zhvillojmë.
CMG: Cila ka qenë mbështetja nga familja gjatë rrugës së arsimimit tuaj, por edhe në zhvillimin e karrierës profesionale?
Dajan Shatraj: Ne jemi një familje me shumë djem ku unë kam dhe dy vëllezër më të mëdhenj dhe patjetër që babai dhe mamaja më kanë mbështetur shumë. Mamaja ime është shumë sportiste dhe fandashëse e regbisë dhe gjithmonë më ndjekin të gjithë. Edhe vëllezërit janë suporti im maksimal në çdo aspekt. Ata kanë kontribuar shumë dhe po kontribuojnë akoma që pse jo të jem një regbist i mirë, por gjithashtu dhe një marketier i zoti dhe të gjitha dëshirat e mia të plotësohen.
CMG: Fusha e marketingut të ka pëlqyer vetë, apo ka qenë edhe një nxitje e familjes?
Dajan Shatraj: Unë zgjodha edhe pjesën e marketingut të agrobiznesit sepse duke parë që vendi jonë ka potencial, thashë pse jo të marr një drejtim tjetër sepse edhe pak eksperiencë kisha dhe në agrobiznes. Marketingu në fokusin e vet biznesin ka. Po të dish marketingun mund të marketosh bujqësinë dhe shumë tregje të specializuara. Unë mendoj se me marketingun mund të arrij shumë gjëra.
Dajan Shatraj ne interviste per CMG
CMG: Po bota e artit dhe televizionit është thjesht një hobi, apo një rrugëtim që do e ndjekësh në të ardhmen?
Dajan Shatraj: Dëshira për aktor është e madhe, por tani aktrimi është diçka shumë e specializuar që kërkon një shkollim shumë të veçantë, por nuk i dihet sepse me atë vizion që kam, objektivat e mia dhe dëshirën e madhe që kam për të kontribuar, pse jo aktrimi të jetë një copëz nga dëshirat e mia. Unë mendoj gjithmonë se një njeri duhet të plotësojë të gjitha dëshirat e veta.
CMG: Së fundi një përshëndetje për të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani.
Dajan Shatraj: Një përshëndetje shkon për të gjitha ata që na ndjekin duke i falenderuar shumë, është një radio shumë e mirë dhe falenderoj shumë stafin dhe ju që më bëtë pjesë të këtij rrëfimi dhe kësaj experience që normalisht vlen për të gjithë.
Intervistoi: Gazmend Agaj