Medaljet për Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Dimërore 2022 u paraqitën të martën në një aktivitet për numërimin mbrapsht të 100 ditëve nga hapja e Lojërave Dimërore, me temë "Së bashku për një të ardhme të përbashkët".
Medaljet quhen "Tongxin", që do të thotë "zemër e përbashkët", dhe përmbajnë pesë unaza bashkëqendrore që mishërojnë filozofinë tradicionale kineze të harmonisë midis qiellit, tokës dhe njerëzve. Ato simbolizojnë gjithashtu unazat olimpike, të gdhendura në rrethin e brendshëm, dhe frymën olimpike që bashkon botën përmes sporteve.
Në unazat përreth është gdhendur emri zyrtar i Lojërave: "Lojërat Olimpike Dimërore XXIV Pekin 2022", së bashku me modelet e reve dhe flokëve të borës, me unazën e jashtme pa zbukurime.
Ana e pasme ka në qendër emblemën e “Pekin 2022”, me emrin zyrtar të Lojërave të gdhendur në kinezisht më poshtë. Unazat përreth imitojnë gjurmët e yjeve, me 24 pika që përfaqësojnë edicionin e 24-t të Lojërave Olimpike Dimërore. Pamja e përgjithshme, e cila i ngjan një harte qiellore, mbart dëshirën që sportistët të arrijnë përsosmëri dhe të shkëlqejnë si yje në Lojëra.
Medaljet e Lojërave Paralimpike 2022 kanë modele të ngjashme me unaza bashkëqendrore si medaljet olimpike, por me logon paralimpike në qendër dhe fjalët "Lojërat Paralimpike Dimërore të Pekinit 2022" të gdhendura më poshtë. Fjalët “ari”, “argjendi” ose “bronzi” janë gjithashtu të shkruara në alfabetin “Braille” për medaljet përkatëse.
Emblema e Lojërave Paralimpike Dimërore dhe 13 pika, duke iu referuar edicionit të 13-të të Paralimpiadës, shfaqen në anën e pasme.
Dizajni i medaljes është frymëzuar nga një disk i dyfishtë nefriti me një vrimë rrethore në mes i quajtur "Bi". Ashtu si nefriti mendohet si një zbukurim fatsjellës dhe i paçmuar në kulturën tradicionale kineze, medalja është një dëshmi e nderit dhe përpjekjeve të pandërprera të sportistëve.
Në këtë veprimtari u paraqitën gjithashtu filmi promovues i “Pekin 2022” dhe kënga e tij "Flokët e nxehta të borës ".(Çang Çuo)