Foto nga VCG
Rreth katër muaj nga nisja e Olimpiadës dimërore, janë rritur pritshmëritë për atletët olimpikë të Pekin 2022. “Jam shumë i lumtur që më në fund mora lajmin që do të shkojmë në Pekin”, -deklaroi Bruce Mouat, lojtar i “curling”, pasi Shoqata britanike Olimpike njoftoi për grupin e parë pjesëmarrës në Lojëra. Mouat jo vetëm që do të garojë në garat në kategoritë për meshkuj, por do të jetë dhe në çift me Jen Dodds.
Disa atletë janë më fatlumë, pasi patën mundësinë të shijonin një copëz Olimpiadë dimërore, duke marrë pjesë në garat e provës për Pekin 2022, gjatë dy javëve të fundit.
Si konkursi i parë ndërkombëtar në serinë e provave, China Open në patinazhin e shpejtë tërhoqi atletë nga e gjithë Kina, Holanda dhe Koreja e Jugut për të konkurruar në 12 evente nga 8-10 tetor. Veprimtaria, e cila synon të testojë të gjithë elementët e përfshirë në garë, u vlerësua shumë nga patinatorët për masat strikte të parandalimit dhe kontrollit të pandemisë, ambientet e pajisura mirë dhe organizimin sistematik.
“Godina është madhështore dhe shumë e bukur, si dhe masat për parandalimin e infektimeve që janë zbatuar në Kinë më kanë bërë të ndihem më e sigurt”, -shpjegoi kampionia olimpike për të rinjtë, holandezja Isabel Grevelt.
"Është një pistë e bukur dhe u ndjeva mirë që mund të bëja patinazh këtu. Cilësia e akullit është e lartë dhe ambientet janë perfekte", tha Yang Binyu, e cila fitoi medaljen e parë të artë për delegacionin kinez në patinazhin masiv të shpejtësisë për femra në Lojërat Olimpike Dimërore për të Rinjtë, Lozanë 2020. (Irma)