Foto nga VCG
Flaka Olimpike për Lojërat Dimërore të Pekinit 2022 iu dorëzua të martën organizatorëve kinezë në një ceremoni të mbajtur në stadiumin “Panathenaic” në Athinë. Në vendin e Olimpiadës së parë moderne në 1896-n, presidenti i Komitetit Olimpik Grek dhe anëtari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) Spyros Capralos ia kaloi flakën e Lojërave Yu Zaiqing, përfaqësues i posaçëm dhe nënkryetar i Komitetit Organizues të Pekinit 2022, bën të ditur “Xinhua”.
Delegacioni kinez u largua nga stadiumi me urimet më të mira për Lojërat Olimpike Dimërore, që do të zhvillohen nga 4 deri më 20 shkurt, të cilat do të pasohen nga Paralimpiada.
Zëvendëskryeministri grek Panagiotis Pikrammenos, zëvendësministri i Kulturës dhe Sportit Lefteris Avgenakis, kryetari i Bashkisë së Athinës Kostas Bakojanis, anëtarë të IOC dhe personalitete të tjera greke dhe të huaj morën pjesë në eventin sportiv.
"Si unë, ashtu edhe të gjithë grekët, ju urojmë fat në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit. Historia juaj, kultura juaj, traditat tuaja, besimi juaj në vlera dhe dashuria juaj e madhe për sportin, na japin sigurinë se do të organizoni lojëra të shkëlqyera shkurtin e ardhshëm. Ashtu siç bëtë në vitin 2008, me Lojërat Olimpike Verore", -tha Capralos.
"Të përkushtuar ndaj një qasjeje të gjelbër, gjithëpërfshirëse, të hapur dhe të pastër për përgatitjen dhe organizimin e Lojërave, ne do të ofrojmë lojëra të sigurta dhe të shkëlqyera, që shpresojmë se do të ndihmojnë në promovimin e Lëvizjes Olimpike dhe ndërtimin e një komuniteti global të një të ardhmeje të përbashkët", -tha Yu në fjalimin e tij.
Në fund të ceremonisë, flaka u transportua në aeroportin e Athinës për t'u nisur për në Pekin, qyteti i vetëm që pret Lojërat Olimpike Verore dhe Dimërore. (Elona)