Pas fitores së madhe në “Puskas Arena” të Budapestit, Kombëtarja Shqiptare e sheh veten 90 minuta larg fazës playoff të kualifikueseve të Botërorit 2022. Sfida vendimtare për fatet e kuqezinjve luhet të martën në mbrëmje në Tiranë përballë kundërshtarit tonë direkt,Polonisë. Në grupin I, Anglia e ka blinduar vendin e parë me 19 pikë,ndërsa kombëtarja jonë numëron 15 të tilla, një më shumë se Polonia.Me tre pikë në mbrëmjen e sotme dhe tre pikë hipotetike në ndeshjen e fundit përballë Andorës,skuadra jonë siguron matematikisht vendin e dytë në grup. Lajmi i mirë është fakti që për sfidën ndaj polakëve janë shitur të 22 mijë biletat e vëna në dispozicion nga FSHF-ja dhe stadiumi “Air Albania” do të jetë i tejmbushur, për të përkrahur pareshtur djemtë kuqezi në fushën e blertë.
Pikëpyetjet e tifozëve mbi fazën playoff,ja si do të funksionojë
Teksa afrohemi drejt fundit të fazës së grupeve dhe shanseve të larta të Shqipërisë për të marrë vendin e dytë në grupin I,të shumtë janë tifozët që e kanë të paqartë se si funksionon formula për skuadrat europiane për të prerë një biletë në Katar 2022.Formula e re e Fifas përcakton që nga kontinenti Europian, vetëm 13 kombëtare do të luajnë në Kampionatin Botëror. Fillimisht 10-të vendet e para të grupeve respektive e sigurojnë automatikisht pjesëmarrjen.Dhjetë vendet e dyta do të shkojnë në fazën playoff, ku do tu bashkohen edhe 2 skuadrat me rezultatet më të mira nga Liga e Kombeve. Këto 12 skuadra do të ndahen në 3 grupe me nga 4 skuadra, dhe fituesja e çdo grupi do të sigurojë një biletë për në Kupën e Botës.4 skuadrat e çdo grupi do të ndeshen me njëra-tjetrën me sistemin gjysmëfinale-finale, me ndeshje teke në një shtet mikpritës që do të përcaktohet nga shorti i Uefas.
Erzeni udhëheq kampionatin në volejboll për meshkuj
Në javën e dytë të Kampionatit Kombëtar në volejboll për meshkuj, skuadra e Erzenit mori kreun e rënditjes, me 6 pikë të plota, pas fitores 3-0 ndaj Elbasanit (25-17, 25-7, 25-13). Ndeshje e dominuar dhe fituar me lehtësi nga shijakasit. Tirana mori fitoren e parë këtë sezon. Bardheblutë fituan 3-0 me sete ndaj Vllaznisë, (21-21, 25-17, 25-18), një sfidë mes dy ekipesh pretendente këtë sezon. Po 3-0 fitoi edhe Skënderbeu, që në Korçe mposhti Farka Volley (25-14, 25-22, 25-11).
Haxhi Krasniqi mundet nga Boesel,humb titullin e kampionit
Boksieri shqiptar Haxhi Robin Krasniqi nuk ia ka dalë të mbrojë titullin kampion bote të konfederatës IBO. Sportisti nga Juniku i Kosovës u mund nga gjermani, Dominic Boesel.Kundërshtari i Krasniqit u shpall fitues pas 12 raundesh me vendim të ndarë të gjyqtarëve. Dy prej gjyqtarëve shpallën fitues Boesel me rezultatin 115-114 dhe 116-112, ndërsa Krasniqi ishte fitues në kartën e plotësuar nga gjyqtari i tretë me rezultat 115-114. Vendimi i gjyqtarëve nuk u prit mirë nga Krasniqi dhe shqiptarët e shumtë që kishin mbushur stadiumin në Magdeburg të Gjermanisë. Boesel dhe Krasniqi tashmë janë me rezultat të barabartë në përballje direkte me nga një fitore secili,pasi rreth një vit më parë boksieri shqiptar e mundi me knockout në raundin e tretë.
Eklent Kaçi vijon të shkruajë me gërma të arta emrin e tij në sportin e bilardos
Eklent Kaçi, kampioni i botës në bilardo në disiplinën e dhjetës, ka triumfuar së fundmi në Predator Austria Open 2021, pasi mposhti amerikanin Tyler Styer 2-0 me sete (4-1 dhe 4-0).Më herët i riu shqiptar mundi në çerekfinale Mohammad Soufi 2-0 me sete(4-0, 4-1),ndërsa në gjysmëfinale e pati më të vështirë ndaj polakut Mateusz Sniegocki.Kundër tij Kaçi e fitoi setin e parë 4-3 dhe të dytin 4-2. Tashmë bilardisti kthehet në Shqipëri me dy trofe të tjerë, ku pa diskutim më i rëndësishëm është ai i kampionit të botës që e mori në Florida muajin e shkuar.
Li Tie shpreson që Kina të rikthehet të luajë në shtëpinë e vet
Trajneri i Kinës Li Tie mezi pret që skuadra e tij të jetë në gjendje të luajë kualifikeset e Kupës së Botës në shtëpi nga nëntori.Në ndeshjen e fundit Kina mundi Vietnamin 3-2 falë një goli fitues nga Wu Lei në minutën e fundit të takimit që u luajt në Sharjah të Emirateve të Bashkuara Arabe. Fitorja, e cila prishi serinë e humbjeve të Kinës dhe mbajti gjallë shpresat e dobëta për kualifikim, u arrit në një stadium bosh me vetëm disa anëtarë të stafit të ekipit kinez që brohorisnin në tribuna.Për trajnerin Li,pavaresisht se Kina ishte ekipi mikpritës në letër,kjo nuk mund të quhet një ndeshje e luajtur në shtëpi. Ne jemi të etur për t'u kthyer në Kinë sa më shpejt të jetë e mundur dhe për ti luajtur ndeshjet tona në shtëpi dhe në stadiumet tona,u shpreh trajneri Li Tie,duke shpresuar që masat e vendosura nga qeveria kineze për parandalimin e Covid-19 do të zbuten.
Federata Kineze e futbollit në kërkim për trajnerin e ri të Kombëtares së femrave
Federata Kineze e futbollit ka nisur proçesin e gjetjes së një trajneri të ri për kombëtaren e femrave.Referuar njoftimit të dhënë nga federata, kandidati duhet të ketë nënshtetësi kineze dhe të jetë nën moshën 60 vjeç. Për më tepër, ai ose ajo duhet të ketë përvojën e stërvitjes në ekipet kombëtare të moshave ose skuadrat e Superligës së femrave.Kriter favorizues sigurisht që do të jetë trajnimi në Superligën e futbollit kinez të meshkujve. Skuadra kineze nuk arriti të kaloje fazën e grupeve në Tokio 2020, pas humbjes 5-0 nga Brazili, barazimit 4-4 me Zambian dhe humbjes 8-2 nga Holanda. Kontrata e trajnerit të mëparshëm Jia Xiuquan përfundoi pas Lojërave Olimpike.Deri tani skuadra është stërvitur përkohësisht nga trajneri Shui Qingxia.
Franca fiton Ligën e Kombeve,Italia zë vendin e tretë
Franca është fituesja e edicionit të dytë të Nations League. “Gjelat” kanë fituar në një finale të çmendur kundër Spanjës me rezultatin 2-1.Pjesa e parë, ku të dyja ekipet qëndruan në pritje duke studiuar njëri-tjetrin, nuk kishte ritmin e duhur. Kështu, gjatë kësaj pjese u regjistrua vetëm një goditje në portë nga ana e Spanjës.E kundërta ndodhi në pjesën e dytë ku të dyja ekipet “ndezën motorët”.Ishte Franca ajo që rrezikoi e para me Theo Hernandez, por goditja e tij u ndal vetëm nga tranversa.Në aksionin e radhës Spanja është më e qartë dhe e çon topin në rrjete me Oyarzabal. Kur pritej që ekipi spanjoll të fitonte terren nga goli i shënuar, vetëm dy minuta më vonë mendoi Benzema që shënoi një supergol në trekëndëshin e portierit Unai Simon, duke e çuar rezultatin në barazim 1-1.Pas golit të barazimit Franca e rriti edhe më shumë presionin duke gjetur avantazhin pak minuta më vonë me yllin e saj Kilyan Mbappe që shfrytëzoi një asist të Theo Hernandez. Sulmuesi i PSG i çoi shifrat në 2-1 për Francën në një aksion shumë të kontestuar pas një pozicioni jashtë loje të dyshimtë.Dy nga futbollistët e përmbysjes së madhe të Francës ndaj Belgjikës në gjysmëfinale përmbysën edhe Spanjën, me Francën që iu gëzua një suksesi të merituar. Italia prek poduimin në Nations League, pasi mundi Belgjikën në “Allianz Stadium” me rezultatin 2-1. Ndeshja nisi me shumë ndryshime në formacionet e të dyja skuadrave, e gjithashtu me mungesa.Barella konkretizoi me gol dominimin e lehtë të Italisë ndërsa Berardi dyfishoi shifrat duke shndërruar në gol një penallti të fituar nga Chiesa.Skuadra e Mancinit administroi mjaft mirë minutat e mbetura, por 4 minuta nga fundi i kohës së rregullt, kundërsulmi i Belgjikës solli golin e de Ketelaere. Goli i parë me përfaqësuesen për 20-vjecarin, por ishte vetëm një iluzion, pasi Italia nuk gaboi më në minutat e fundit, duke ruajtur fitoren dhe duke u rikthyer te suksesi, por gjithashtu, duke ruajtur dominimin në ndeshjet direkte me Belgjikën.
Goli i Mbapesë në finale,edhe shumica e francezëve e shohin si gol të parregullt
Finalja e edicionit të dytë të Ligës së Kombeve, Franca-Spanja, në fund të së cilës “Gjelat” fituan trofenë, do të mbahet mend gjatë për shkak të një episodi të diskutueshëm, që rezultoi vendimtar në përcaktimin e fituesit. Mbappe realizoi golin e dytë për francezët duke qenë më I avancuar se mbrojtësit spanjollë në momentin e pasimit të topit, por sistemi VAR e konfirmoi të rregullt golin, pasi konstatoi prekjen e lehtë të topit nga Garcia. Duke qenë se Mbappe nuk i ushtron presion Garcias, prekja e topit nga spanjolli aktivizon ne aksion talentin francez. Në këtë rast, edhe nëse Mbappe është më i avancuar, nuk mund të quhet pozicion jashtë loje.Në Spanjë, ku ndihen të dëmtuar nga ky vendim, por edhe në Francë po diskutohet shumë për këtë pikë të rregullores, madje duke analizuar dinamikën e aksionit, hidhet dyshimi se si është e mundur që gjyqtarët e kanë dalluar atë prekje të lehtë të Garcias dhe e kanë konsideruar të vullnetshme.Edhe në sondazhin e gazetës prestigjioze franceze “L’Equipe” lexuesit kanë votuar në masën 46% se pozicioni i Mbappesë ishte i parregullt, 36% i rregullt dhe 23% mendojnë se pamjet nuk janë të qarta për të qenë të bindur nëse është ose jo pozicion jashtë loje.
Cristiano Ronaldo vijon të thyejë rekorde
Cristiano Ronaldo nuk njeh moshë dhe vijon të thyejë rekorde të njëpasnjëshme, duke shkruar historinë e futbollit. Së fundi portugezi u bë protagonist, duke shënuar një gol në miqësoren ndaj Katarit.Me këtë realizim, portugezi çoi në 112 numrin e golave të shënuar në përfaqësuese, duke thelluar edhe më tej rekordin e vendosur po nga ai vetë muajin e kaluar, ndërsa i dyti është iraniani Ali Daei me 109 gola.Megjithatë ajo që kishte më shumë vlerë ishte prezenca në fushë, pasi CR7 regjistroi ndeshjen e 181-të me fanellën e Portugalisë, duke parakaluar Sergio Ramos, që numëronte 180 ndeshje me Spanjën dhe duke u bërë futbollisti me më shumë takime të luajtura me një përfaqësuese europiane.
Argjentina dhe Brazili marshojnë të qeta drejt Boterorit Katar 2022
Argjentina rigjen fitoren në ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës për Amerikën Latine, pas barazimit pa gola në ndeshjen e fundit kundër Paraguajit.Kampionët në fuqi të kontinentit amerikano-jugor kanë mposhtur bindshëm 3-0 Uruguajin. Messi zhbllokon ndeshjen në minutën e 38-të, ndërsa De Paul dyfishon rezultatin një minutë para se të përfundojë pjesa e parë. Lautaro Martinez, një nga më të mirët e takimit, vulos fitoren me golin e shënuar në minutën e 62-të.Brazili ka barazuar në transfertë kundër Kolumbisë pa gola 0-0. Skuadra e drejtuar nga Tite praktikisht e ka siguruar biletën për në Katar, sepse kryeson grupin me 28 pikë të grumbulluara në 10 ndeshje dhe me golavarazhin më të mirë, pasi ka shënuar deri tani 22 gola dhe ka pësuar vetëm 3 të tillë. Kili ka mposhtur 2-0 Paraguajin falë golave të Brereton në minutën e 69-të dhe Isla në minutën e 72-të.Në ndeshjet e tjera Bolivia ka fituar 1-0 përballë Perusë,ndërsa Ekuadori i vendit të tretë, është mundur me përmbysje 2-1 nga Venezuela e vendit të fundit.Me Brazilin dhe Argjentinën që kanë blinduar dy vendet e para,në luftë për dy vendet e tjera që të sigurojnë një biletë për në Kupën e Botës janë Uruguaji, Kolumbia dhe Ekuadori që ndahen me një pikë nga njëra-tjetra.Vendi i pestë do të luajë në playoffin interkontinental.
Formula 1,Botas triumfon ne Turqi
Valteri Botas ka triumfuar në çmimin e madh të Turqisë. Piloti finlandez zhvilloi një garë të shkëlqyer duke arritur të ruaj vendin e parë që nga xhiro hapëse deri në atë të fundit.Botas la pas tij Max Verstappen, i cili bashkë me podiumin këtë garë, mori edhe kryesimin e përgjithshëm të pilotëve duke lënë pas me dy pikë shtatë herë kampionin në fuqi Lewis Hamilton,qe nga ana e tij pati një fundjavë zhgënjyese duke u rënditur i pesti. Vendin më të ulët në podium e mbajti piloti tjetër i Red Bull, Sergio Perez. Sakaq Charles Leclerc humbi një pozicion nga fillimi i garës duke e mbyllur Çmimin e Madh të Turqisë në vendin e katërt.
Boks,Tyson Fury fiton triologjine ndaj Wilder
Tyson Fury mbrojti me sukses “Gjerdanin e Artë” në peshën e rëndë në WBC teksa fitoi me knock out në raundin e 11-të ndaj Deontay Wilder. “Gipsy King” pas fitores e cilësoi këtë si një duel të mrekullueshëm, dhe triologjinë më të mirë që ka parë bota e sportit. Atmosfera u bë elektrizuese në Las Vegas në raundet e tretë dhe të katërt .Në të tretin Fury hodhi në tapet Wilder, dhe pas ngritjes këtë të fundit nuk e mbanin dot këmbët, por u shpëtua nga gongu i mbarimit të raundit.Megjithatë Wilder reagoi fuqishëm në të katërtin duke e hedhur dy herë në tapet Tyson Furyn, i cili pa humbjen t’i kalonte para syve . Në momentin që kuptoi lojën e kundërshtarit, britaniku ruajti distancën dhe lëvizi më mirë në ring duke qenë dominues pasi tek Wilder filloi të ndjehej shumë lodhja me kalimin e raundeve.Pasi e hodhi në tapet edhe në raundin e 10-të,e djthta vrastare e Furyt erdhi në raundin e 11-të, ku Wilder ra knockout dhe nuk ishte në gjëndje të ngrihej më në këmbë. Me fitoren e Fury-t u mbyll dhe një prej rivaliteteve më të ndezura të boksit profesionist, me sfidën e parë në 2018, që u mbyll në barazim,ndersa 2 te tjerat u fituan nga britaniku. Tyson Fury korri fitoren e 31-të në karrierë, duke qëndruar i pamposhtur dhe ka vetem 1 barazim,të regjistruar pikërisht ndaj Wilder.