Foto: atsh
Bashkia e Tiranës firmosi një marrëveshje bashkëpunimi me Ambasadën e Greqisë në Shqipëri, për bashkorganizmin e edicioneve të Maratonës së Tiranës për 3 vitet e ardhshme, por gjithashtu edhe të aktivitetit tjetër të suksesshëm sportiv, që çeli siparin verën e kaluar, Tiranathlon.
Kryebashkiaku Erion Veliaj falënderoi ambasadoren greke Sophia Philippidou, duke e cilësuar bashkëpunimin në sport, por edhe në art e kulturë si diplomacinë më të mirë mes dy vendeve, përcjell “ATSH”.
“Organizimi i Maratonës së Tiranës dhe i Tiranathlonës është kthyer në një kartolinë për të gjithë miqtë që kanë ardhur nga Greqia, apo vende të tjera, që ndoshta më përpara nuk e kanë njohur Shqipërinë, bukurinë e këtij vendi dhe mikpritjen e njerëzve tanë”, -deklaroi Veliaj.
Ambasadorja e Greqisë, Sophia Philippidou, tha se marrëveshja nënshkruhet pas suksesit të aktivitetit të fundit, ku bashkia e Tiranës dhe ambasada ishin bashkorganizatore të Tiranathlon, në Parkun Helen, në Liqenin e Farkës. Diplomatja greke theksoi se bashkëpunimi do të shtrihet edhe në fusha të tjera, në kuadër të eventeve të vitit të ardhshëm, kur Tirana do të jetë Kryeqyteti Evropian i Rinisë.
Kryebashkiaku Veliaj ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës e jo vetëm, të marrin pjesë në maratonë të dielën e 17 tetorit.
Ajo do të ketë 4 kategori: Marathon (42.195); Half Marathon (21.0975 km); Tirana 10K dhe “We too”. Nuk do të mungojë as gara “Fun Run”, e cila do të zhvillohet më 16 tetor me të rinjtë e shkollave të mesme të Tiranës. (Irma)