Supersfida e javës së dytë të kampionatit shqiptar Vllaznia-Teuta u mbyll në barazim 1-1.Da Silva kaloi në avantazh vendasit në minutën e 58-të,ndërsa kampionët në fuqi barazuan me Kuembemban. Partizani nuk arriti të fitonte as në Korçë teksa u ndal në barazim 1-1. Goli i pësuar erdhi sërisht pas një gafe të lojtarëve të Partizanit, që për të dytën javë radhazi ja dhurojnë vetë golat kundërshtarëve. Me të njëjtin rezultat u mbyll edhe përballja mes Dinamos dhe Laçit, me këta të fundit që barazuan në minutën e fundit të kohës së rregullt. Kjo ishte java e barazimeve 1-1, pasi kështu u mbyll edhe Tirana-Egnatia. Kukësi ishte e vetmja skuadër që fitoi këtë javë, duke mundur Kastriotin 3-1.

Kategoria e Parë.Bylis dhe Korabi qëndrojnë në krye

Në 8 takimet e javës së dytë të Kategorisë së Parë nuk kanë munguar as rezultatet surprizë. Korabi mposhti Butrintin me rezultatin 2-1, ndërsa, Bylis fitoi 0-1 në transfertë ndaj Erzenit në një përballje mes dy ekipeve që këtë sezon pretendojnë Superligën.Fitore mori edhe Apolonia në shtëpi me përmbysje 2-1 përballë Shkumbinit. Turbina dhe Vora bënë gjithashtu detyrën duke fituar në shtëpi përballë Besëlidhjes dhe Maliqit. Korabi dhe Bylis qëndrojnë në krye të kampionatit në kuotën e 6 pikëve.

Të mërkurën luhen takimet e para të Kupës së Shqipërisë

Futbolli shqiptar do te kthehet në mesjavë me takimet e Kupës së Shqipërisë. Pothuajse të gjitha skuadrat e elitës do të luajnë në transfertë të mërkurën. Tirana luan në Peqin përballë Shkumbinit ndërsa Partizani në transfertën e Tërbunit. Kampionët në fuqi të Vllaznisë kanë një ndeshje shumë të lehtë në letër përballë Labërisë, ndërsa perballje interesante do të jetë ajo mes Erzenit dhe Dinamos. Teuta do të luajë në transfertë përballë Luzit.

Spektakël i Uzunit në Hungari,gjen golin edhe Ernest Muçi

Fundjava që lamë pas ishte spektakolare për lojtarin e kombëtares tonë Myrto Uzuni. Ai realizoi plot 6 gola në fitoren e Ferencvarosh 0-9 përballë Hatvan në Kupën e Hungarisë.Ky është edhe një rekord absolut për legjionarët tanë sa i takon golave të shënuar në një ndeshje.Vijon formën fantastike edhe Ernest Muçi.Ai gjeti rrugën e rrjetës në ndeshjen që Legia e Varshavës luajti përballë Leczna në kampionatin polak. Sulmuesi shqiptar ka marrë me vete të gjithë kundërshtarët, duke dribluar pesë prej tyre për golin e minutës së 27.

Boks,të shtunën Florian Marku ndeshet për titull,në eventin Joshua vs Usyk

Ketë të shtunë më 25 shtator Florian Marku do të rikthehet përsëri në ring. Dëmtimet janë hedhur pas krahëve dhe tani ka ardhur koha për të synuar titullin e parë kampion. 2 operime të kryera kanë bërë që Marku të kishte një pauzë 7- mujore. Boksieri shqiptar i pëlqen sfidat e vështira dhe do të ndeshet në stadiumin e Tottenham-it nën sytë e 70 mijë spektatorëve me kampionin Maksim Prodan. Eventi kryesor i kësaj mbrëmjeje do të jetë ai mes Anthony Joshua dhe Oleksandr Usyk.

Sport nga Kina dhe Bota

Notari Wang Shun shkëlqen edhe në Lojërat e 14-ta Kombëtare të Kinës

Medalisti i artë olimpik, notari Wang Shun i qytetit Zheijang qëndroi në majë të podiumit në 400 metra stil i përzier për meshkuj, në Lojërat e 14-ta Kombëtare të Kinës. Wang, i cili fitoi medalje ari në garën e 200 metrave në Lojërat Olimpike të Tokios, udhëhoqi që në fillim në stilin flutur dhe zgjeroi hendekun me kundërshtarët në sprintin e fundit me një kohë 4 minuta dhe 12.76 sekonda.Liu Zongyu i Shandong përfundoi i dyti me 4: 14.66, ndërsa Tao Guannan nga Guangdong mori medaljen e bronzit me kohën 4: 17.13.

Serie A,Milani barazon me Juventusin,fiton bindshëm Interi

Në supersfidën e javës së katërt në kampionatin Italian Milani del me kokën lart.Gjithcka u mbyll në barazim 1-1 mes Juventusit dhe Milanit, me kuqezinjtë që lënë një rival direkt 8 pikë mbrapa. Juventusi e nisi sfidën menjëherë me gol në minutën e katërt duke shfrytëzuar një kundërsulm që u finalizua nga Morata. Pjesa e dytë foli krejtësisht për Milanin,që me meritë gjeti golin e barazimit me Rebiç.Pas humbjes ndaj Real Madrid,Interi rikthehet bindshëm tek fitorja në kampionat. Zikaltërit mundën 6-1 Bolognan në San Siro. Dzeko shënoi një dygolësh teksa gjetën rrugën e rrjetës edhe Lautaro,Barella,Skriniar dhe Vecino. Një gol i Duvan Zapatës i dha 3 pikë tërëndësishme Atalantës në transfertë përballë Salernitanës. Fundjavë jo e mirë për ekipet e kryeqytetit,me Lazion që barazoi 2-2 me Cagliarin, dhe Romën që u mund nga Verona me rezultatin 3-2.

Premier Ligë,Chelsea,Liverpool dhe Manchester United fitojnë dhe ndajnë kreun së bashku

Chelsea fiton supersfidën e javës së 5-të të Premier League dhe nuk i ndahet Liverpoolit dhe Manchester United duke i barazuar në kuotën e 13 pikëve në krye të renditjes. Në derbin ndaj Tottenham në shtëpinë e Spurs, triumfoi pikërisht Chelsea me shifrat e thella 0-3. Pas një pjese të parë me shumë raste por pa gola, Chelsea i Tuchel tregoi të gjithë supermacinë e tij me dy gola të shpejtë nga Thiago Silva në të 49-ën dhe Ngolo Kante në të 57-ën. Për të vendosur në kasafortë fitoren e bluve mendoi mbrojtësi gjerman Rudiger, që shënoi në shtesë.Liverpooli fitoi thellë 3-0 përballë Crystal Palace. Mane,Salah dhe Keita ishin autorët e golave për skuadrën e Klopp. Fitore mes drithërimash për Manchester United që triumfoi me shifrat 1-2 në fushën e West Ham.Ronaldo dhe Lingard ishin autorët e golave, por meritat më të mëdha në këtë sukses të United i mori portieri David De Gea që në sekondat e fundit të shtesës priti penalltinë e Mark Noble. Nuk ia del të marrë maksimumin e pikëve përballë Southmaptonit, në “Etihad”, Manchester City, me rezultatin përfundimtar 0-0. Merr fitoren e dytë radhazi në kampionat Arsenali, që mundi 0-1 Burnley-n në transferte. Tri pikët “topçinjve” ia siguroi Martin Odegaard me një ekzekutim perfekt të një goditjeje të lirë.

La Liga,Reali fiton me përmbysje ndaj Valencias

Real Madrid mori një fitore të vuajtur 1-2 përballë Valencias duke përmbysur gjithçka në fundin e ndeshjes.Pjesa e parë u mbyll pa gola, por Duro befasoi madrilenët në minutën e 66-të duke kaluar Valencian në avantazh.Kur gjithçka u duk se do të mbaronte me këtë rezultat, mendoi dyshja Vinicius-Benzema. Sulmuesi francez shërbeu për talentin brazilian i cili barazoi shifrat në minutën e 86-të.Dy minuta më vonë, ishte radha e Vinicius të shërbente për Benzema me këtë të fundit që realizoi golin e dytë dhe të fitores për skuadrën e Ançelotit.Reali përfitoi nga barazimi 0-0 i Atletikos përballë Bilbaos,për të rrëmbyer vendin e parë në rënditje.

Ligue 1,Icardi nderon Psg-në kundër Lyonit

Fitore në frymën e fundit për PSG ndaj Lyon me skuadrën e Pochettinos që kishte nevojë për hyrjen e Mauro Icardit nga stoli për të marrë maksimumin e pikëve edhe në javën e 6-të të Ligue 1. Edhe pse kishte në fushë treshen Messi-Neymar-Mbappe që nga fillimi, Psg e kishte të vështirë të gjente golin me Messin që u ndal edhe nga traversa. Në fillimin e pjesës së dytë Lyon zhbllokoi shifrat me golin e brazilianit Lucas Paqueta, por në gjysmën e pjesës së dytë parizienët barazuan shifrat me një penallti të kthyer në gol nga Neymar Jr. Në të 76-ën Messi i la vendin Hakimit, ndërkohë që në 10 minutat e fundit u hodh në fushë edhe Icardi i cili ndryshoi fatet e ndeshjes duke realizuar me kokë në minutën e 93-të golin e fitores për Psg-në, që ruajti kreun në Ligue 1 me 18 pikë në 6 ndeshje.

Bundesliga,Bayerni dhe Dortmundi vijojnë fitoret,Levandovski dhe Haaland makineri golash

Bajerni i Mynihut shpërtheu me goleadë në sfidën e “Allianz Arenas” përballë Bochumit, duke shënuar plot shtatë gola. Kampionët e Gjermanisë, pas barazimit në sfidën hapëse të kampionatit me Gladbachun, i kanë fituar të gjitha takimet e kampionatit, përfshirë edhe përballjen e Championsit ndaj Barcelonës.Erling Haaland është një bishë e vërtetë për Borussian e Dortmundit në këtë sezon.Verdhezinjtë mposhtën 4-2 Union Berlinin në Signal Iduna Park duke marrë fitoren e 3-të rresht dhe të 4-ën në 5 takime. Haaland me këto dy gola shkoi në kuotën e 7 finalizimeve në këtë sezon të Bundesligas duke barazuar Levandovskin në krye të listës së golashënuesve.

Moto Gp,Bagnaia triumfon në San Marino

Francesco Bagnaia fiton Çmimin e madh të San Marinos, etapa e 14-të sezonale e Kampionatit Botëror të MotoGP.Një paraqitje e shkëlqyer e pilotit Italian, që udhëhoqi garën nga fillimi deri në fund, duke arritur kështu suksesin e dytë radhazi në MotoGP.Piloti i Ducatit trimfoi në garën e shtëpisë, pasi dueloi fort me liderin e renditjes së përgjithshme për pilotë Quartararo dhe tashmë ka ngushtuar në 48 pikë diferencën mes tyre.Bastianini fiton një vend në podium për herë të parë në këtë kategori. Marquez renditet i katërti, ndërsa Rossi dhe Dovizioso e mbyllën garët në vendet e fundit.

Italia kampione Europe në volejboll për meshkuj

2021 konfirmohet edhe njëherë si viti i Italisë në sport.Pas triumfeve në Euro 2020,në Olimpiadë dhe volejboll për femra,Italia është shpallur kampione e Europës në volejboll për meshkuj, pasi ka mposhtur 3-2 (22-25,25-20,20-25,25-20, 15-11) në finale Slloveninë.Ndonëse nuk e nisën kompeticionin si favoritë, “axurrët” u paraqitën shumë mirë në këtë turne, duke fituar të gjitha takimet e zhvilluara. Pas 16 vitesh Italia fiton titullin kontinental, të shtatin në historinë e saj. Sllovenia duhet të kënaqet sërish me vendin e dytë, ashtu si dy vite më parë në edicionin e kaluar të Eurovolej. Polonia ka fituar medaljen e bronztë, pasi ka mposhtur 3-0 Serbinë në finalen e vogël të Kampionatit Europian të Volejbollit për meshkuj.