JURGEN ZELA( BURIMI FB)

JURGEN ZELA( BURIMI FB)

Sporti duket si një nga fushat që konsiderohet i lehtë për t’u marë me të, megjithatë të gjithë harrojnë që bëhet fjalë për një fushë specifike, që mbi të gjitha kërkon dhe pasion. Jurgen Zela, gazetar i Euronews Albania na tregon rrugetimin e tij. Pavarësisht se i ri në moshë, Jurgeni ka krijuar eksperiencën e mjaftueshme për t’u pasurar intelektualisht.

CMG : Jurgen, cikli juaj i aktiviteteve deri në këto momente cili është?

Jurgen Zela: Pa një të djeshme nuk do të kishte një të sotme dhe pa një sotme nuk do të kishte një të nesërme. Gjërat ecin në një rend kronologjik, ashtu si cikli i jetës.

Për çdo objektiv, për çdo destinacion, kërkohet që të kesh një rrugëtim.

Kjo rrugë mund të jetë e lehtë apo e vështirë. Mund të jetë zgjedhje e secilit për të parë se cila rrugë duhet ndjekur.

Normalisht që e djeshmja nuk zhbëhet, por mund të përmirësohet sot.

Janë periudhat e kohës ato të cilat nuk mund të harrohen pavarësisht se çfarë ndodh.

Ne nxjerrim mësim nga ajo që ndodh sot apo nesër, për të pasur një rrugëtim sa më të suksesshëm.


JURGEN ZELA NE PROFESION

JURGEN ZELA NE PROFESION

CMG : Kush është Jurgeni përballë atyre që nuk e njohin?

Jurgen Zela : Të flasësh për veten është më e vështirë se çdo gjë tjetër. Mund të bësh qindra punë dhe aktivitete, por të flasësh për veten mbetet më e vështira.

Në fakt ngjan pak egoiste të flasësh për veten dhe këtë perceptim tek njerëzit e ndan një fije e hollë.

Produkti e krijon personazhin që ti je kështu që është tepër e rëndësishme që njerëzit mos të flasin me fjalë, por me vepra për gjithçka që bëjnë.

E rëndësishme gjithashtu duhet të jetë që të jesh njeri i mire, para se të jesh profesionist i mirë.

Nëse nuk je njeri i mire, nuk mund të jesh as profesionist i mirë.

Unë jam një djalosh që kam punuar shumë dhe vijoj të punoj shumë për të arritur ato qëllime që i kam vënë vetes. Nuk mund të them që kam arritur diçka. Jam i kënaqur, por jo i mjaftuar.

Nëse ke arritur një objektiv duhet të krijosh një tjetër dhe nëse ke arritur një qëllim duhet të shohësh sërish një tjetër.


JURGEN ZELA

JURGEN ZELA

CMG : Çfarë do të thotë që të punosh që moshë të vogël?

Jurgen Zela : Është kulture më vete. Për mua do të thotë shumë kur një i ri ka vullnetin për t'u angazhuar në çfarëdo pune. Nuk është e rëndësishme kur je i ri të bësh punën e ëndrrave, sepse ende nuk ka ardhur momenti. Planet afatgjata janë të gabuara sepse gjërat ndryshojnë në fraksion sekondi. Të punosh në moshë të vogël tregon që e do jetën dhe pret prej saj.

CMG : Tërheqim nga kujtimet disa momente specifike që ju i kujtoni...

Jurgen Zela: Dashuria e parë nuk harrohet asnjëherë. Në vitin 2017 skuadra e Kukësit shpallet kampione dhe unë pata fatin që të jem prezantuesi i festës në qytetin e Kukësit. Origjina ime është nga Kukësi dhe kam emocione për atë skuadër. Të dilja në skenë dhe të thërrisja të gjithë futbollistët e skuadrës ishte një ëndërr!

Një ëndërr sepse nuk e mendoja kurrë që gjërat mund të lidheshin në atë formë. Në daljen e parë me panë fytyrën sepse unë gjithmonë komentoja nga pas dhe ky ka qenë një nga kujtimet e mia më të veçanta.

CMG: Cilët kanë qenë njerëzit që të kanë mbështetur në rrugëtimin tënd?

Jurgen Zela: Trimi i mirë me shokë shumë, thotë një shprehje e urtë popullore, por në botën profesionale padyshim që ka njerëz që të mbështesin apo që edhe të kritikojnë.

Unë kam pasur fatin që njerëzit që më rrethojnë të kenë mendime të ngjashme me mua dhe të më shtyjnë të bëj gjërat e duhura, apo t’i çoj projektet deri në fund.

Në rrugën për të njohur miq të mirë duhet të kesh kujdes për të dalluar pikërisht atë njeri që nuk ka asgjë tendencioze.


JURGEN ZELA NE STADIUM

JURGEN ZELA NE STADIUM

CMG : Nëse flasim për pasionet tuaja jashtë punës, cilat janë ato?

Jurgen Zela :Unë dhe muzika kam pasur dhe vijoj të kem raport shumë të keq.

Madje kur zgjedhim të udhëtojmë në grupime të ndryshme miqësore nuk vendosin asnjë nga këngët që unë sugjeroj, sepse nuk kam shumë njohuri për muzikën.

Por të jem i sinqertë do doja shumë të luaja në një instrument dhe një ditë do ta realizoj, sepse me duket një veprimtari interesante.

CMG: Marëdhënia juaj me futbollin është shumë e ngushtë. Si ka nisur kontakti i parë?

Jurgen Zela: Për ata që më njohin e dinë fort mirë që kur kam qenë i vogël nuk kam qenë ndjekes i futbollit.

Rreth moshës 12 vjeçare kam parë ndeshjen e parë, "Kukësi - Iliria".

Momenti ka qenë rastësor ne gjendeshim në Kukës për pushime dhe tentuam të shohim diçka për qejf. Në një farë mënyre aty lindi pasioni im për të parë edhe më shumë ndeshje.

Më vonë nuk u shkëputa, shkova sërish dhe sërish!

CMG : Marëdhënia që ke me vendin ku jeton. Bëni pjesë tek të rinjtë që duan të largohen nga vendi, apo doni të jepni kontributin tuaj këtu?

Jurgen Zela:Të jem i sinqertë nuk e shoh veten tek ata që duan të largohen nga vendi. Ka dy arsye. Nuk mund të lë kurrsesi familjen time. Nuk e perceptoj dot që të jem larg tyre dhe nuk do doja që të kisha një kusht të tillë.

Gjithashtu angazhimi im që në moshë të vogël në botën e medias nuk do të më bënte të ndihesha mirë me një lëvizje të tillë. Unë dua të jetoj dhe të kontribuoj këtu.

CMG : Dita perfekte për ju?

Jurgen Zela: E sigurtë që nuk është ajo që të rri pushim gjithë kohës. Unë edhe kur jam me pushime bëj diçka, sepse më duket e pamundur që të mendosh se s'po bën asgjë është perfeksion

Intervistoi: Megi Latifi