Partizani ka bërë goditjen e bujshme në ditën e fundit të merkatos duke afruar në skuadër Ergys Kaçen.28-vjecari ishte synim edhe i Tiranës, që i kishte bërë ofertë më parë, por në fund zgjodhi “demat” për 120 mijë euro në vit.Kaçe bëhet keshtu lojtari më i paguar në Superiore, bashkë me Liridon Latifin e Vllaznisë. Më herët të kuqtë zyrtarizuan edhe afrimin e Albion Markut që huazohet nga Lokomotiva e Zagrebit. Mbrojtësi i djathtë sezonin e shkuar mbajti veshur fanellën e Laçit. Po ashtu në ditën e fundit të merkatos “të kuqtë” firmosën me Dean Liçon. Korçari e ka nisur karrierën në ekipet e moshave të Skënderbeut, ndërsa më pas ka luajtur edhe për të rinjtë e Leganes, Sporting e Lazios. Prej verës së kaluar Liço u transferua te Ascoli në Serinë B italiane, dhe është bashkuar me Partizanin në formë huazimi për një sezon.Edhe Dinamo bëri një përforcim shumë cilësor duke marrë me huazim nga Lokomotiva e Zagrebit ish-mbrojtësin e djathtë të Kukësit Edis Maliqi.
Kina dominoi Lojërat Paralimpike të Tokios
Lojërat Paralimpike Tokio 2020 folën kinezisht. Atletët kinezë morën në total 207 medalje,pothuajse dyfishi i Britanisë së Madhe që u rëndit në vendin e dytë.Kina grumbulloi 96 medalje ari,60 medalje argjendi dhe 51 bronxi. Në vendin e tretë u rëndit SHBA me 104 medalje në total,37 prej të cilave ishin ari. Zhang Xuemei,pjesë e kombëtares kineze të basketbollit në karrige me rrota, ishte flamurmbajtësja e Kinës në ceremoninë e mbylljes së “Lojërave Paralimpike 2020”. Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Kinës dhe Këshilli i Shtetit dërguan një letër urimi për të gjithë sportistët. ”Performanca juaj brilante ka vendosur një shembull për shumë kinezë me aftësi të kufizuara, i ka shtuar shkëlqim kauzës së sportit për personat me aftësi të kufizuara dhe ka sjellë lavdi për kombin”, thuhet ndër të tjera në letër.
Kualifikueset e Azisë për Kupën e Botës,Kina përballet me Japoninë të martën
Kina do të luajë kundër Japonisë të martën në orën 17:00 me orën lokale shqiptare, ndeshjen e dytë të raundit final të kualifikueseve te Azisë për “Kupën e Botës Katar 2022”. Të dyja skuadrat vijnë nga humbjet në sfidat e para. Japonia u mposht në mënyrë surprizë 0-1 nga Omani ndërsa Kina u mund 3-0 nga Australia. Përballja e cila sheh Kinën si skuadër pritëse do të zhvillohet nëDoha të Katarit për shkak të kufizimeve anti-covid 19 të shtetit kinez.
Italia ndalet nga Zvicra,Gjermania dhe Spanja fitojnë thellë
Pas penalltisë së humbur në finalen e Europianit, Jorginho tradhëton përsëri Italinë kundër Zvicrës. Mesfushori i Chelsea-t humbi penalltinë përballë portierit Yan Sommer në minutën e 53-të, me kampionët në fuqi të Europës që në fund ishin të detyruar të pajtoheshin me barazimin 0-0 pavarësisht se e dominuan ndeshjen. Ky rezultat mban në krye të grupit Italine me katër pikë më shumë se helvetët, por me dy ndeshje më shumë të zhvilluara. Me shumë gjasa vendi i parë në grup që të siguron një biletë për në Botëror do të vendoset në ndeshjen e kthimit në Itali. Gjithashtu ky barazim vendosi rekord botëror për Italinë pasi çoi në 36 numrin e ndeshjeve pa humbje. Në takimet e tjera të eleminatoreve të Botërorit për zonën e Europës dominuan emrat e mëdhenj të futbollit europian. Kështu, Belgjika mposhti thellë 3-0 Çekinë, me gola të Lukakut, Hazardit dhe Saelemaekers, Spanja shkatërroi 4-0 Gjeorgjinë, ndërsa Gjermania u shfaq si uragan përballë Armenisë, së cilës i shënoi 6 gola. Rumani – Lichtenstein përfundoi 2-0.
Brazil-Argjentinë luhet vetëm 5 minuta. Autoritetet shëndetësore ndërpresin ndeshjen
El Clasico mes Brazilit dhe Argjentinës, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës, zgjati më pak se pesë minuta. Ndërkoha që loja po zhvillohej rregullisht, anëtarë të autoriteteve shëndetësore kombëtare të Brazilit hynë në fushë për të pezulluar ndeshjen, duke kërkuar që katër futbollistë argjentinas të largoheshin nga fusha, pasi nuk kishin respektuar izolimin dhe rregullat kundër Koronavirusit. Katër lojtarë argjentinas të Premier League-s angleze, portieri Martinez, Buendia, Romero dhe Lo Celso, që udhëtuan nga Britania e Madhe brenda 14 ditëve të fundit nuk u futën në karantinë, duke thyer rregullat e vendosura nga autoritetet braziliane. Një rast i pazakontë në këtë kohe pandemie, me ndeshjen që ndërpritet 5 minuta pas startit, kur ndërhyrja e autoriteteve mund të kishte ndodhur fare mirë para se skuadrat të zbrisnin në fushë.Në takimet e tjera të zonës së Amerikës së Jugut, Uruguaji mundi 4-2 Bolivinë,Peru fitoi 1-0 me Venezuelën ndërsa u mbyllën në barazim përballjet Kili-Ekuador dhe Paraguaj-Kolumbi,përkatësisht 0-0 dhe 1-1.
Italia kampione Europe në volejboll për femra
2021 mund të quhet me plot gojën si viti i Italisë. Pas sukseseve të shumta në sporte të ndryshme, radhën për të triumfuar këtë herë e pati skuadra përfaqësuese e volejbollit për femra, që u kurorëzua me titullin e kampiones së Evropës. Një trofe që i mungonte skuadrës “axurre” që nga viti 2009, por mbi të gjitha një titull që shijon vërtet shumë, pasi u fitua brenda në Beograd ndaj ekipit të Serbisë, duke marrë hak në këtë mënyrë edhe për atë eliminim të dhimbshëm në edicionin e kaluar, në fazën gjysmëfinale të këtij aktiviteti. Një muaj më parë në Olimpiadën e Tokios, Serbia e mundi Italinë 3-0 në fazën çerekfinale, ndërsa këtë herë gjërat morën një rrjedhë krejt tjetër. Në finalen e Europianit Serbia fitoi setin e parë 26-24 ndërsa Italia përmbysi gjithçka në tre setet pasardhëse 25-22, 25-19, 25-11.