Luis Gjolena është vetëm 16 vjeç dhe që në moshë të vogël ka filluar të merret me boks, duke arritur në këto katër vite të fitojë shumë medalje. Dëshira e tij e madhe është që të marrë pjesë në kompeticionet ndërkombëtare, duke përfaqësuar Shqipërinë dhe në të ardhmen synon të jetë një trajner i mirë i boksit. Në një intervistë për CMG, Luisi na tregon për fillimet e tij në sportin e boksit, vështirësitë që ka hasur si dhe qëllimet që ai ka për të ardhmen.
CMG: Luis të falënderoj që je me ne në rubrikën “Autostradë”, për të folur për rrugëtimin tënd në sport.
Luis Gjolena: Faleminderit juve që më dhatë mundësinë për këtë intervistë për të folur rreth sportit, që unë ushtroj dhe besoj se do ta vazhdoj derisa të arrij qëllimin tim.
CMG: Je 16 vjeç. Në cilën moshë e ke nisur boksin?
Luis Gjolena: Unë boksin e kam nisur në moshën 12 vjeçare, kam qenë një fëmijë mbipeshë para disa vitesh dhe më shtyu më shumë babi, i cili më tha se do të më çonte të merresha me sport. Unë jam marrë dhe me sporte të tjera, por te boksi kam gjetur më shumë veten, mbasi kam bërë disa ndeshje.
CMG: Vetë e kishe pasion këtë lloj sporti dhe a shikoje ndehsje boksi?
Luis Gjolena: Në fillim unë nuk kam parë asnjë lloj ndeshje boksi dhe kur kam hyrë nuk e kam pasur me qejf, por hyra thejsht sa për të rënë nga pesha. Pra e nisa sa për hobi dhe nuk e prisja se do të më vinte si pasion më vonë.
CMG: Boksi në fakt futet tek sportet e rënda, ndërkohë që e ke fizikun dhe je dhe i gjatë.
Luis Gjolena: Synimi im është të paktën të jem te 1.91 cm i gjatë, pasi ma kërkon edhe pesha e rëndë. Tani jam i gjatë 1.85 por pres që të shkoj 1.91 cm.
CMG: Gjatë këtyre viteve ke marrë medalje, duke arritur fitore në boks në vetëm katër vite aktivitet. Kujt ja dedikon këtë sukses?
Luis Gjolena: Tani suksesin nuk kam se kujt t’ja dedikoj tjetër përveç prindërve të mi dhe trajnerit tim. Shpresoj që të kem të tjera arritje dhe suksese në boks.
CMG: Kush është trajneri që të stërvit?
Luis Gjolena: Trajneri im është Ilir Shameti, të cilin e falënderoj shumë se pa atë nuk do të isha këtu ku jam. Besoj se shumë trajnerë të tjerë kanë dëshirë të më kenë, jo për mburrje, por jam i aftë për atë që bëj.
CMG: E kujton ndeshjen e parë që ke marrë fitoren?
Luis Gjolena: Po e kujtoj ndeshjen e parë, dhe pas asaj ndeshje unë vazhdoj me suksese në boks. Ka shumë të tjerë që nëse e nisin me humbje nuk është se e vazhdojnë, por demoralizohen. Unë për fat të mirë e nisa me fitore dhe aty filloi gjithçka mbi pasionin për këtë sport.
CMG: Deri tani që je vetëm 16 vjeç sa fitore ke marrë në ndeshje?
Luis Gjolena: Unë kam gjashtë fitore dhe vetëm një humbje, por nuk e quaj humbje. Unë atë e quaj një mësim, i cili mua më bëri më të fortë, më të mirë dhe besoj se do jem edhe më i mirë.
CMG: Cilat janë synimet e tua në të ardhmen, duke ditur se do rritesh profesionalisht. Dëshiron të marrësh pjesë dhe në kompeticione ndërkombëtare të boksit?
Luis Gjolena: Për moshën që kam në boksin amator, kam qejf që të përfaqësoj Shqipërinë në Europian. Nuk e di nëse do të jetë e mundur, por shpresoj dhe do ishte kënaqësi shumë e madhe që të përfaqësoja vendin tim dhe të zija një nga tre vendet që merr medalje.
CMG: Sa orë në ditë stërvitesh?
Luis Gjolena: Atëherë, sporti në moshën që kam bëhet një herë në ditë, por unë duke qenë se kam një pasion të madh, një ëndërr ku dëshiroj të jem dikushi, zgjohem në orën 6 të mëngjesit dhe bëj 5 kilometra vrap te Liqeni artificial. Ndërsa seancën e dytë stërvitore e bëj te palestra e profesor Ilir Shametit te ekipi “Enea”.
CMG: Gjatë ndeshjeve je dëmtuar ndonjëherë?
Luis Gjolena: Në ndeshjet e zhvilluara deri sot nuk kam ngrënë asnjë grusht, por në sparingje po, sepse në sparing bëj ndeshje me më të mirë se vetja, pra me më të mëdhenj të cilët i përshëndes sepse janë shokë të mi dhe boksiera profesionistë. Kam mësuar shumë nga çdo eksperiencë, si nga ata ashtu edhe nga trajneri im.
CMG: Luis, ndjek në televizor ndeshje të boksit kombëtar ose ndërkombëtar për të mësuar më shumë rreth këtij sporti?
Luis Gjolena: Unë ndjek shumë ndeshje boksi dhe i miksoj, duke i futur tek stili im dhe më pas i përdor në ring. Përdor pak nga pak nga të gjitha peshat, jo vetëm nga pesha ime sepse jam boksier atlet.
CMG: Na trego diçka mbi ndeshjet e fundit të boksit ku ke marrë pjesë.
Luis Gjolena: Së fundi kam marrë pjesë në Kampionatin Kombëtar, i cili u zhvillua në qytetin e Vlorës ku dola shumë mirë, por fatkeqësisht nuk e di përse e humba dhe uroj mos t’i ndodhë dikujt tjetër sepse është një demoralizim për sportistin. Në këtë ndeshje mua më bënë hile, duke ja dhënë fitoren kundërshtarit. Dua t’u them të gjithëve se nuk do ndalem, por do bëhem më i fortë.
CMG: Edhe humbjet të bëjnë më të fortë për të ecuar përpara sepse çdo fushë ka vështirësitë e veta.
Luis Gjolena: Unë kam vetëm një humbje dhe në fakt këtë nuk e quaj humbje, por do të bëhem më i fortë dhe ashtu ka për të ndodhur sepse ndeshja e parë që kam humbur ishte një mësim për mua. Ndeshjet e tjera kanë qenë vetëm fitore.
CMG: Boksin do ta kesh vetëm si pasion, apo ke dëshirë që të studiosh në Universitetin e Sporteve?
Luis Gjolena: Unë për momentin përveç boksit nuk kam gjë tjetër dhe jam i pavendosur. Boksin e shoh si porfesion në të ardhmen, nuk e shoh thjesht si hobi dhe besoj mbasi të mbyll karrierën time, qejf kam që të jem një trajner më vonë që t’ia jpasoj brezit të ardhshëm.
CMG: Cili është mesazhi yt për bashkëmoshatarët, për rrugën të cilët ata duhet të ndjekin në jetë?
Luis Gjolena: Kush ka ëndrra, të stërvitet sa më shumë. Dua t’u them që të stërviten dhe të mos dorëzohen kurrë, jo vetëm në boks, por edhe në sporte të tjera. Sepse e pamundura nuk ekziston.
CMG: Faleminderit për këtë intervistë dhe suksese!
Luis Gjolena: Faleminderit dhe ju dhe përpara se ta mbyll dëshiroj të përshëndes një mikun tim i cili më ka ndihmuar shumë me fjalët që më thotë. E falënderoj që më ka përkrahur dhe shpresoj që të më përkrahë edhe më tej.
Intervistoi: Gazmend Agaj