Kampionia në fuqi e futbollit shqiptar Teuta e Durrësit, arrin një tjetër sukses.
Duke mundur të shtunën 3-0 fituesen e Kupës së Shqipërisë, Vllazninë, ajo fiton Superkupën e Shqipërisë. Ky është dhe trofeu i parë i sezonit të ri futbollistik 2021-2022.
Teuta u shpall kampione e Shqipërisë sezonin e kaluar duke u rikthyer te titulli pas 27 vjetësh.
Ajo e arriti këtë vetëm në ndeshjen e fundit falë një golavarazhi më të mirë.
Nga ana e saj Vllaznia, që ishte skuadra që i sfidoi deri në fund bregdetarët në betejën për titull, u ngushëllua me trofeun e Kupës së Shqipërisë.
Kjo sfidë do të mbetet gjithashtu në histori si ndeshja e parë zyrtare në Shqipëri ku u përdor sistemi VAR. Ai do të jetë pjesë e ndeshjeve të Kategorisë Superiore 2021/2022 si edhe e Kupës së Shqipërisë, duke filluar që nga faza çerekfinale e deri në finalen e madhe.