Euro 2020 për herë të parë në historinë 60 vjeçare të këtij kompeticioni u zhvillua në 11 qytete mikpritëse përreth të gjithë kontinentit. Më konkretisht në Londër, St Petersburg, Baku, Mynih, Romë, Sevilje, Amstërdam, Bukuresht, Budapest, Kopenhagen dhe Gllasgou. Italia u shpall kampione Europe për herë të dytë në historinë e saj, pasi mundi Anglinë në finale. 120 minuta lojë u mbyllën në barazim 1-1 me gola të Luke Shaw dhe Leonardo Bonucci. Tek penalltitë gabuan më shumë anglezët. Portieri italian Donnaruma priti penalltitë e Sanchos dhe Sakës,ndërsa Rashford goditi shtyllën. Belotin dhe Jorginhon, që gabuan penalltitë në radhët e azurrëve i shpëtoi portieri i tyre.
Italia u bë kombëtarja e parë që arrin të fitojë 2 seri penalltish në finalet e një europiani, pasi më herët eleminuan dhe Spanjën në gjysmëfinale me 11-metërsha. Trofeu i dytë në këtë kompeticion erdhi për Italinë pas 53 vitesh, distanca më e gjatë kohore mes dy titujve të fituar nga një kombëtare, në të gjithë historinë e Europianëve. Gjatë këtij rrugëtimi Italia theu rekordet e veta duke arritur 13 fitore radhazi dhe shkoi në shifrën e 34 ndeshjeve pa humbje. Giorgio Chielini u bë kapiteni më i vjetër që fiton një Europian, në moshën 36 vjec e 331 ditë. Leonardo Spinazola u shpall 2 herë njeriu i ndeshjes në këtë turne,kundër Turqisë dhe Austrisë. Federicho Chiesa e fitoi këtë çmim gjithashtu 2 herë, në ndeshjet përballë Uellsit në grupe dhe Spanjës në gjysmëfinale.Manuel Locatelli u shpall lojtari i ndeshjes kundër Zvicrës, ku arriti të shënonte 2 gola.Lorenzo Insigne ishte lojtari i ndeshjes në çerekfinalen kundër Belgjikës ndërsa në finalen e madhe u shpall Leonardo Bonucci. Portieri i Italisë Gianluigi Donnaruma u shpall lojtari i turneut. Çmimi i lojtarit më të mirë të ri të Europianit shkoi për spanjollin Pedri. Cristiano Ronaldo me 5 gola u shpall golashënuesi më i mirë në 360 minuta të luajtura. Çeku Patrick Schick realizoi gjithashtu 5 gola, por nuk dha asnjë asist në 404 minuta të luajtura. Në formacionin më të mirë të Euro 2020 Uefa perzgjodhi një skemë 4-3-3, me Donarumën në portë. Në mbrojtje, 2 italianë dhe 2 anglezë, Walker e Spinazola nga krahët dhe Bonuci e Maguire në qendër. Treshja e mesfushës përbëhej nga italiani Jorginho, danezi Hojbjerg dhe spanjolli Pedri. Ne sulm Uefa përzgjodhi Raheem Sterling, Federicho Chiesën dhe Romelu Lukakun. Në total në këtë kampionat europian u shënuan 142 gola, rekord në të gjithë historinë e europianëve,me një mesatare 2.78 gola për ndeshje.Dy golat e shënuar nga Ronaldo përballë Francës e çuan atë në kuotën e 109 golave me Kombëtaren, duke barazuar rekordin e ish- sulmuesit Iranian Ali Daei. Polaku Kacper Kozlowski u bë lojtari më i ri që luan në një Kampionat Europian në moshën 17 vjec e 246 ditë. Anglezi Jude Bellingam vendosi rekordin e më të riut që luan në një ndeshje të fazës me eleminim direkt në moshën 18 vjec e 4 ditë. Në këtë europian u shënuan 11 autogola, më shumë se në të gjithë europianët e tjerë të marrë së bashku. Goli i Patrik Schick në ndeshjen Skoci-Republika Çeke u shpall goli më i bukur i Euro 2020.
Bonucci & Chielini 2 liderët e Italisë
Statistika dhe kuriozitete të veçanta nga Euro 2020.
Italia dhe Spanja shënuan më shumë gola në këtë Europian, plot 13 të tillë.Ndjekin Danimarka me 12 gola,Anglia me 11,Belgjika me 9 dhe Hollanda me 8 gola.
-Spanja ishte skuadra që mbajti më shumë topin nën zotërim,me mesatare 66.8%. Pas saj Gjermania me 59.3%. Në vendin e tretë Hollanda me 54.8% mbajtje topi, ndërsa kampionët e Italisë ishin në mesataren 53.6%. Këtë mesatare Italisë ia uli shumë gjysmëfinalja kundër Spanjës e cila ishte e vetmja ndeshje në këtë rrugëtim, ku italianët u dominuan bindshëm në mbajtjen e topit. Top 5 e kompleton Portugalia që e mbajti topin në këtë Europian në 53.5% të kohës.
-Spanja është e padiskutueshme në vendin e parë edhe në përqindjen e pasimeve të sakta. Spanjollët patën një saktësi që arrin në 89.3%, por jo me ndonjë diferencë shumë të madhe me skuadrat e tjera të mëdha. Gjermania ka po 89.3% pasime të sakta ndërsa Franca vjen e treta me 89%. Ndjekin Portugalia me 88.5% dhe Italia me 87%.
-Kampionët e Italisë ishin skuadra që goditi më shumë portën. Plot 128 tentativa drejt kuadratit nga Kombëtarja azure, ndërsa pas tyre vijnë spanjollët me 111 gjuajtje drejt portës. Gjysmëfinalistët e Danimarkës rënditen të tretët me 96 goditje ndërsa “Top 5” e kompletojnë Zvicra me 69 dhe Anglia me 64 gjuajtje në total në portën e kundërshtarëve.
-Një skuadër fituese duhet të ketë patjetër një presing të mirë për ti marrë sa më shumë topa kundërshtarëve dhe për të mos i lejuar të ndërtojnë aksione të rrjedhshme. Jo më kot edhe në këtë klasifikim qëndrojnë të parët kampionët e Italisë me 291 topa të rikuperuar në total. Pas tyre vijnë Spanja me 267, Danimarka me 265 dhe Anglia me 264.
-Dy finalistët Italia dhe Anglia ishin skuadrat, futbollistët e të cilave kompletuan më shumë driblime, nga 121 secila. Danezët janë të tretët me 103 dhe spanjollët vijnë pas tyre me 81 driblime në total.
-Skuadra me më shumë ndeshje pa pësuar gol në këtë Europian ishte Anglia. Tre Luanët e mbajtën të paprekur portën e tyre në 5 përballje. Pas tyre vijnë Italia e Belgjika me nga 3 herë dhe Hollanda, Republika Çeke, Suedia e Spanja numërojnë secila nga 2 ndeshje pa pësuar gol.
-Italia ishte skuadra që mori më shumë kartona të verdhë. Kampionët në 93 faulla të shkaktuar janë ndëshkuar 12 herë me karton të verdhë. Pas tyre vjen Zvicra me 11 kartonë të verdhë dhe 1 të kuq. Polonia ka marrë 8 kartonë të verdhë në vetëm 3 ndeshje të lujtura ndërsa Franca numëron të njëjtin numër kartonësh me polakët, por me 1 ndeshje më shumë të zhvilluar.
-Zvicerani Steven Zuber ishte njeriu assist i “Euro 2020” me 4 të tillë.Pas tij vijnë 4 futbollistë që dhanë nga 3 asist secili: spanjolli Dani Olmo, anglezi Luke Shaw, italiani Marco Verrati dhe danezi Emile Hojbjerg.
-Leonardo Spinazzola ishte futbollisti më i shpejtë i Kampionatit Europian, duke kapur shpejtësinë maksimale 33.8 km/ore. Pas tij me një shpejtësi maksimale pak më të ulët, 33.5 deri në 33.7 km/orë, vijnë hungarezi Nego, francezi Coman, hollandezi Gakpo dhe anglezi Rashford.
-Jorginho ishte futbollisti që vrapoi më shumë në këtë Europian. Italiani përshkoi në total 86.6 km. Pas tij vjen mesfushori anglez Philips me 83 km. Pedri me 76.1, Kane me 74,3 dhe Sterling me 68.3 km në total janë ata që plotësojnë Top 5.
-Patrik Shik dhe Alvaro Morata janë lojtarët që goditën më shumë kuadratin e portës,plot nëntë herë. Pas tyre vijnë Ronaldo e Kane me 8 goditje ndërsa Olmo dhe Danezi Maehle regjistruan nga 7 goditje në katërkëndëshin e portës secili.
-Reece James i cili luajti vetëm 2 ndeshjet e para si titullar me Anglinë është lojtari me përqindjen më të saktë të pasimeve. Ai nuk ka gabuar gati asnjë pasi ka 99% saktësi në pasime. Pas tij vijnë të tjerë mbrojtës, belgu Boyata me 97.5, gjermani Hummels me 97.3 dhe spanjolli Garcia me 96.7% saktësi në pasime.
-Marco Verrati është lojtari më agresiv i Euro 2020, me 30 ndërhyrje në total. Ai është shumë i shkëputur nga ata pas tij që numërojnë më shumë ndërhyrje tek kundërshtari. Locatelli numëron 15,austriaku Lainër 14,po aq sa Sergi Buskets. Anglezi Philipps plotëson “Top 5” me 13 ndërhyrje në total.
-Zvicerani Akanji është futbollisti me më shumë topa të fituar bashkë me mesfushorin Italian Jorginho. Të dy numërojnë nga 46 topa të fituar. Pas tyre vjen ukrainasi Matvienko me 44 dhe më pas me radhë janë Di Lorenzo e Walker me 40 dhe danezi Simon Kjaer me 39.
-Portieri që bëri më shumë pritje në kompeticionin e këtij viti ishte zvicerani Yan Sommer, me 21 në total. Pas tij vijnë me 18 pritje turku Cakir dhe uellsiani Ward. Portieri i nënkampionëve të Europës, Jordan Pickford regjistroi 16 pritje.
Argjentina fiton Coppa America
Kupa e Amerikës 2021 u zhvillua paralelisht me Kampionatin Europian. Argjentina kampione!
Argjentina u kurorëzua kampione e Copa America 2021 me një fitore 1-0 me gol të Di Marias kundër rivalëve të Brazilit në “Estadio Maracaná” për të rifituar titullin pas një pritje të gjatë 28 vjeçare. Kombëtarja albiceleste shkon në 15 tituj të fituar në total duke barazuar Uruguajin.Pas tyre vjen Brazili me 9 Kupa të Amerikës së Jugut. Kili, Paraguaj dhe Peruja e kanë fituar nga 2 herë këtë kompeticion ndërsa Bolivia dhe Kolumbia nga 1 herë, në rastet kur ky trofe u zhvillua në shtëpinë e tyre. Uruguai ka fituar titullin e parë në vitin 1916 dhe ishin dominant në vitet e para të këtij kompeticioni derisa Argjentina nisi të sfidonte hegjemoninë e tyre. Lionel Messi u shpall lojtari i turneut. Me 4 gola dhe 5 asist ai ishte lideri i skuadrës dhe njeriu vendimtar drejt titullit kampion. Emiliano Martinez u shpall portieri më i mirë. Ai ishte vendimtar në kualifikimin në finale të Argjentinës me pritjet e penalltive kundër Kolumbisë në gjysmëfinale. Çmimin e golashënuesit më të mire, Messi duhet ta ndajë me Luis Diaz, kolumbianin që gjithashtu shënoi 4 gola. Në formacionin më të mirë të turneut, federata e Conmebol përzgjodhi këto 11 futbollistë: Në portë Emi Martinez, në mbrojtje kiliani Isla dhe venezueliani Estupinan ndërsa në qendër argjentinasi Romero dhe braziliani Marquinhos. Në mesfushë ishin Casemiro, Rodrigo De Paul dhe peruani Yotun. Treshja e sulmit përbëhej nga Neymar dhe dy golashënuesit Messi dhe Diaz. Argjentina dhe Brazili me nga 12 gola ishin skuadrat që shënuan më shumë gola, të ndjekur nga Peruja me 10 gola. Këta të fundit ishin kombëtarja që pësoi më shumë gola,plot 14. Pas tyre vjen Bolivia me 10 dhe Ekuadori me 9 gola të pësuar. Në total u shënuan 65 gola në 28 ndeshje, me një mesatare prej 2.32 gola për ndeshje.