Në garën e stafetës 4 herë 200 metra stil i lirë në not, Kina befasoi përfaqësueset e Shteteve të Bashkuara dhe Australisë për të merituar medaljen e artë. Në ndërresën e fundit 19-vjeçarja Li Bingjie preku murin me kohën e përgjithshme 7’ 40” 33, duke vendosur një rekord të ri botëror. Përpara saj për ekipin kinez që shkroi historinë në këtë stafetë, notuan Yang Junxuan, Tang Muhan dhe Zhang Yufei.Katie Ledecky e përshkoi itinerarin e saj për kohën fantastike 1’ 53” 76, megjithatë si 24-vjeçarja e famshme nga Washington D.C ashtu edhe australiania Ariarne Titmus humbën mundësinë për t’u shtuar sukseseve të tyre në këtë olimpiadë edhe një tjetër medalje të artë. Ky është i pari rekord botëror në garat e notit në Lojërat Olimpike të Tokios dhe interesant është fakti që tri skuadrat medaliste ia dolën për të ulur kohën e tyre poshtë rekordit të vjetër, që mbahej nga Australia dhe ishte vendosur në botërorin e vitit 2019.