Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, thotë se Lojërat Olimpike në Tokio duhet të mbahen, në mënyrë që t’i tregojnë botës se çfarë mund të arrihet me plan dhe masa të duhura.
Duke folur në Tokio para Komitetit Ndërkombëtar Olimpik më 21 korrik, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se bota ka nevojë për Olimpiadë “si festë për shpresë”.
“Lojërat Olimpike kanë fuqi për të bashkuar botën, për ta frymëzuar dhe për të treguar se çfarë është e mundshme”, -tha ai.
Fjalimi i Tedros erdhi ndërsa u raportuan tetë infektime të reja në mesin e pjesëmarrësve në Lojëra, duke e çuar numrin total të infektimeve në 79.
Shefi i OBSH-së tha se Lojërat Olimpike nuk duhet të gjykohen nga numri i rasteve me koronavirus, meqë eliminimi i rrezikut është i pamundur.
“Shenjë suksesi është që çdo rast të identifikohet, izolohet dhe gjurmohet, në mënyrë që të ndalet zinxhiri i përhapjes”, -tha ai.
Tedros paralajmëroi megjithatë se më shumë se 100 mijë vetë do të vdesin nga Covid 19 në të mbarë botën nga tani e deri në fundin e Lojërave Olimpike.
Ai gjithashtu paralajmëroi se po gënjen veten kushdo që mendon se Covid 19 kaloi sepse rastet janë nën kontroll në vendin e tij.
Më herët, kreu i komitetit për organizim të Lojërave Olimpike, Toshiro Muto, tha se nuk mund të përjashtojë mundësinë e anulimit të këtij eventi nëse ka ndonjë shpërthim të koronavirusit.