Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, përshëndeti ekipin olimpik shqiptar përpara nisjes për në aktivitetin botëror “Tokio 2020”. Ministrja Kushi shprehu bindjen se sportistët elitarë do ta përfaqësojnë denjësisht vendin sikurse kanë bërë edhe në kampionatet e tjera ndërkombëtare.
Ajo theksoi vullnetin e palëkundur të MASR për të mbështetur sportin në përgjithësi dhe veçanërisht sportistët elitarë që do të përfaqësojnë vendin në “Tokio 2020”, përcjellin mediet shqiptare.
“Performanca juaj, emocionet, përpjekjet tuaja, ndoshta edhe lotët e gëzimit që i japin magjinë Lojërave Olimpike. Është pikërisht kjo magji që të gjithë presim me padurim të përjetojmë pas pak ditësh në Tokio”, tha Kushi, duke i cilësuar Lojërat si një nga aktivitetitet më prestigjioze sportive botërore, që përcjellin edhe një mesazh shumë frymëzues, të bashkojnë të gjithë botën ku të gjithë luajnë në mënyrë të barabartë, nuk ka diskriminim dhe të gjithë respektojnë rregullat e përbashkëta. (Irma)