Foto: VCG
Kina do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios me më shumë se 400 atletë që garojnë, nga të cilët 318 kanë siguruar tashmë vendet e tyre në 224 gara për 30 disiplina të ndryshme.
Në Rio 2016, Kina mori pjesë me një rekord prej 416 atletësh në 26 disiplina dhe 210 aktivitete, duke përbërë delegacionin më të madh olimpik kinez të dërguar ndonjëherë jashtë shtetit, bën të ditur “Xinhua”.
Përveç kësaj, shumë ekipe njoftuan stërvitjen e tyre, duke përfshirë atletikën me 50 atletë, notin me 30, vozitjen me 28 dhe qitjen me 24.
Kina aspiron të konkurrojë për medalje ari në zhytje, pingpong, qitje, gjimnastikë dhe peshëngritje, të cilave u shtohen medalje të tjera të mundshme në badminton, taekuondo, vela, vozitje, karate, boks për gra, volejboll për gra, not dhe atletikë.
Në ekipin e zhytjes me 10 persona, kampionët e botës, Shi Tingmao dhe Cao Yuan, do të garojnë në më shumë se një veprimtari, ndërsa atletët Quan Hongchan dhe Chen Yuxi mund të bëhen kampionët e parë olimpikë kinezë të lindur pas 2005-s.
U njoftua gjithashtu formimi i ekipit të basketbollit për femra prej 12 lojtarësh, ndërsa ai për burra nuk arriti të kualifikohej për herë të parë në 37 vjet.
Lista e plotë e delegacionit kinez në Tokio do të shpallet së shpejti. Lojërat Olimpike, të cilat u shtynë për një vit për shkak të Covid-19, do të fillojnë më 23 korrik. (Elona)