Tre jave larg Lojërave Olimpike të Tokios, delegacioni kinez po bën përgatitjet e fundit. 317 atletë kinezë e kanë siguruar pjesëmarrjen e tyre përmes raundeve kualifikues. Lista përfundimtare mbetet ende për t’u konfirmuar nga “Komiteti Olimpik Kinez”. Sidoqoftë sipas Xinhua, raportohet se do të jetë një total prej 413 atletësh, që do të dërgohet në Tokio. Edhe pse me shumë kampionë veteranë që janë tërhequr nga sporti, shpresat e Kinës për medalje të arta janë të mëdhaja në sportet e saj tradicionale si peshëngritja, zhytja, ping-pongu, gjimnastika, qitja dhe badmintoni. Këto gjashtë sporte kanë kontribuar me rreth 70 përqind të 224 medaljeve të arta olimpike verore, që vendi ka fituar që nga debutimi i tij në 1984. Të gjithë sportistët e ping-pongut janë gati për të marrë medaljet e arit në të gjitha disiplinat, megjithëse jemi të vetëdijshëm që në kategorinë e femrave, Japonia do të jetë një kundërshtar i fortë si në lojën teke ashtu edhe në atë dyshe.
Festimet e njëqindvjetorit të Partisë Komuniste të Kinës i kanë ofruar ekipit frymëzim shtesë për të kapërcyer çdo sfidë që ka përpara, tha Liu Guoliang, president i Shoqatës Kineze të ping-pongut. Si fituesit në fuqi të medaljes olimpike në volejboll për femra, ekipi kinez është në presion për të sjellë më shumë lavdi. Pas një viti e gjysmë pa ndonjë kompeticion ndërkombëtar, ekipi i stërvitur nga legjenda Lang Ping, përsosi lojtaret e saj rezervë përmes pesë humbjeve të vështira gjatë gjysmës së parë të Ligës së Kombeve të Volejbollit në Itali muajin e kaluar. Kur skuadra u kompletua pasi disa lojtarë kryesorë mbaruan karantinën e tyre, ekipi kinez përfundoi turneun me shtatë fitore radhazi, duke përfshirë fitoret ndaj rivalëve të mundshëm për podium në “Lojërat Olimpike të Tokios”, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Fanellat e bardha sollën fat në çerekfinalet e Euro 2020
Spanja, Italia, Danimarka dhe Anglia janë katër skuadrat që siguruan kalimin në gjysmëfinale, teksa e përbashkëta e këtyre ekipeve është se në sfidat përkatëse çerekfinale mbajtën të veshur fanellën e bardhë. Spanjollët kanë si fanellë të parë të kuqen, por në çerekfinale luajtën me fanellën e bardhë, pasi Zvicra cilësohej si skuadër pritëse e për rrjedhojë kishte të drejtë të luajë me fanellën e saj të parë, që gjithashtu është e kuqe.
E njëjta situatë edhe me Italinë në mbrëmje, që u detyrua të braktisë blunë e saj karakteristike, për të veshur fanellën e bardhë përballë Belgjikës, që si skuadër pritëse luajti me të kuqen e përhershme. Edhe Danimarka u detyrua të heqë dorë nga bluza e saj e parë, pasi kishte të njëjtën ngjyrë me Republikën Çeke dhe kjo e fundit pati të drejtën të luajë me fanellat e kuqe, ndërsa Anglia veshi fanellën e parë, pasi nuk kishte përplasje me të verdhën e Ukrainës.
E bardha rezultoi fatsjellëse, pasi të katër skuadrat që luajtën me atë ngjyrë fanelle, ia dolën të kalojnë në gjysmëfinale, aty ku Italia do të përballet me Spanjën dhe Anglia do të provojë të eliminojë edhe Danimarkën. Në fakt në gjysmëfinalen e parë të martën e 6 korrikut, Italia cilësohet skuadra pritëse në “Wembley” dhe do të rikthehet te fanella e saj e parë, bluja, ndërsa Spanja do të mund të zgjedhë mes të kuqes tradicionale, apo të bardhës fatsjellëse. Pritëse cilësohet edhe Anglia ndaj Danimarkës, ndaj Kane me shokë do të vijojnë të luajnë me fanellën e parë, atë të bardhën, ndërsa Danimarka do të rikthehet te e kuqja, ngjyrë me të cilën luajti dy ndeshjet e para në grup, të cilat i humbi që të dyja. E bardha rezultoi fatsjellëse në fazën çerekfinale të Europianit dhe supersticiozët në Itali e Danimarkë kanë arsye për t’u ndjerë të shqetësuar para sfidave gjysmëfinale.
Milani shumë aktiv në merkato, por ende nuk ka zyrtarizime
Me hapjen zyrtarisht të merkatos më 1 Korrik, Milani është në kërkim të një trekuartisti për të zënë vendin e lënë bosh nga Calhanoglu. James Rodrigues, Sabitzer dhe Coutinho janë emrat më të lakuar, por së fundmi ka dalë nga mediat italiane edhe kandidatura e Iscos. Ai ka vetëm 1 vit kontratë të mbetur me Realin dhe vlera e kartonit të tij llogaritet në afro 20 milionë euro, një shifër kjo e përballueshme për arkat e klubit kuqezi. Gjithashtu Milani do të blejë patjetër edhe një ose dy sulmues.Giroud është emri i përfolur prej javësh por ditët e fundit sipas mediave, Milani është shumë i interesuar për serbin e Ajaxit, Dusan Tadic. Ai pëlqehet nga Maldini dhe Masara, pasi i kryen të gjitha rolet në sulm. Me Chelsean ndërkohë Milani po negocion edhe për 2 emra të tjerë përvec Giroud,bëhet fjalë për Ziyech dhe Bakayoko. Milani deri tani ka blerë përfundimisht kartonin e Fikayo Tomorit për rreth 28 milion euro,me mbrojtësin anglez që i bindi drejtuesit e Milanit me performancën e tij në 6 muajt e sezonit të shkuar. Milani do të mundohet të përfitojë edhe nga shitjet e disa lojtarëve.Për Pobegan dhe Haugen ka oferta konkrete me klubin kuqezi që kërkon 15 milionë euro për secilin.
Milwaukee Bucks-Phoenix Suns, finalja e madhe e NBA
Milwaukee Bucks rikthehet në finalen e NBA pas 47 vitesh. Skuadra nga Wisconsin mposhti Atlanta Hawks në ndeshjen e 6-të të finales së konferencës së lindjes me rezultatin 118-107, duke e mbyllur serinë me shifrat e përgjithshme 4-2 me ndeshje dhe duke marrë në duar trofeun e kampionit të konferencës, por mbi të gjitha duke siguruar finalet e mëdha ku përballë do të ketë Phoenix Suns.Me super yllin e tyre Giannis Antetokunmpo, i cili vijon të jetë i dëmtuar rolin e liderit e morri përsipër Khris Middleton që shënoi 32 pikë.Milwaukee do të kërkojë të shpallet kampione e NBA pas 50 vitesh.
Max Verstappen afrohet edhe më shumë me titullin
Max Verstappen fiton përsëri dhe thellon avantazhin me rivalin e tij Lewis Hamilton. Piloti holandez i Red Bullit regjistroi fitoren e 3-të radhazi dhe të 5-ën në këtë sezon pasi triumfoi duke dominuar në Çmimin e Madh të Austrisë në shtëpinë e Red Bullit në pistën e Spielberg. Verstappen përfitoi edhe nga vendi i 4-t i Hamilton në këtë garë, duke u shkëputur më shumë në krye të klasifikimit të përgjithshëm. Tashmë diferenca mes tyre në renditjen e përgjithshme ka shkuar në 32 pikë. Verstappen do tentojë deri në fund për të fituar titullin e parë kampion në Formula 1 me skuderinë Red Bull.Në vendin e dytë u rëndit piloti i Mercedesit Valtteri Bottas, ndërsa vendin tjetër në podium e mori Lando Norris i Mclaren, i cili vazhdon të zhvillojë sezonin më të mirë në karrierë. Zhgënjeu përsëri Ferrari edhe në këtë garë, me Carlos Sainz që e mbylli I pesti dhe Le Clerc i teti.
Cristiano Ronaldo me shumë mundësi do të qëndrojë tek Juventusi
Kjo që sapo nisi mund të jetë një javë vendimtare për të vendosur të ardhmen e Cristiano Ronaldos. Pas disa ditësh do të zbarkojë në Torino, menaxheri i CR7-ës Jorge Mendes i cili do të diskutojë nga afër me presidentin Andrea Agnelli dhe drejtuesit e tjerë të klubit bardhezi se çfarë do të ndodhë me vazhdimësinë e Ronaldos te Juvja. Nëse do krijohen të gjitha kushtet që ylli portugez të qëndrojë atëherë me shumë gjasa 5-herë fituesi i Topit të Artë do të vazhdojë aventurën me Juventusin pasi ka edhe një vit kontratë me bardhezinjtë.Në muajt e kaluar është diskutuar shumë për largimin e Cristiano Ronaldos por duke parë vështirësitë ekonomike që ka krijuar pandemia e COVID-19 te të gjitha klubet e mëdha europiane do të jetë shumë e vështirë që CR7 të lëvizë nga Torino. Për momentin të gjitha rrugët e çojnë 36-vjeçarin drejt qëndrimit te Juventusi për të paktën edhe një sezon, kjo edhe për faktin se asnjë klub tjetër nuk është i gatshëm të paguajë 29 milionë euro aq sa kërkon Agnelli për kartonin e CR7 dhe t’i japë Ronaldos një pagë prej 30 milionë eurosh në sezon. Trajneri i ri i bardhezinjëve Massimiliano Allegri nga ana e tij shpreson që ta ketë Cristianon në skuadrën e tij edhe për sezonin e ri dhe kjo është një tjetër indicie për qëndrimin e CR7-ës te Juvja.
Përgatiti K. Sula