“Të gjitha ndeshjet e mbetura të Euro 2020 do të zhvillohen siç është planifikuar. Masat zbutëse të miratuara në secilin prej vendeve ku luhen takimet e Evropianit të futbollit janë plotësisht në përputhje me rregulloret e vendosura nga autoritetet kompetente shëndetësore lokale”, -bëhet e ditur në një raport të publikuar nga UEFA, përcjellin mediet italiane.
“Vendimet përfundimtare mbi numrin e spektatorëve që do të ndjekin ndeshjet dhe kërkesat e hyrjes në kombet pritëse dhe stadiumet bien nën përgjegjësinë e autoriteteve lokale kompetente, dhe UEFA ndjek me përpikëri të gjitha këto masa”, -thuhet në raport.
Këshilltari mjekësor i UEFA-s, Daniel Koch, deklaroi se nuk mund të përjashtohet plotësisht që ngjarjet dhe tubimet mund të kenë sjellë në disa rritje lokale të numrit të rasteve, por kjo nuk do të vlente vetëm për ndeshjet e futbollit, por edhe për të gjitha eventet, që nuk lejohen si pjesë e masave të kontrollit të vendosura nga autoritetet lokale kompetente.
“Fushatat intensive të vaksinimit që janë zbatuar në të gjithë Evropën dhe kontrollet kufitare do të ndihmojnë që mos të ketë një valë e re në kontinent dhe presioni mos të ushtrohet në sistemet e ndryshme shëndetësore, siç ka ndodhur me valët e mëparshme të infektimit”, deklaroi Koch. (Irma)