Kur mbetet pak më shumë se nje muaj deri në Lojërat Olimpike Tokio 2020, ekipi olimpik kinez është i sigurtë se do të bëjë një paraqitje të sukseshme falë mbështetjes që po merr nga kombi. “Të gjithë atletët e ekipit kombëtar janë vaksinuar dhe Administrata e Përgjithshme e Sportit e Kinës na ka siguruar mbrojtjen më të mirë,” u shpreh gjimnasti Xiao Ruoteng për “China Daily”, gjatë ceremonisë së prezantimit të uniformës së podiumit, prodhuar nga Anta, që do të mbajë ekipi kinez në Lojërat Olimpike të Tokios.
25-vjeçari Xiao do të bëjë debutimin e tij Olimpik në Tokio, pasi humbi Lojërat “Rio 2016” për shkak të dëmtimit. “Po rekuperohem mirë pas dëmtimeve të mia. Jam në gjendje të mirë dhe do të paraqes versionin më të mirë të vetes në Tokio”, shtoi Xiao.
Ylli i Taekwondo, Zhao Shuai, i cili fitoi medaljen e artë në peshën 58-kilogramë në Lojërat Olimpike Rio 2016, u shpreh se shtyrja për shkak të pandemisë prishi shumë gjëra dhe u desh që të ndryshohej plani i stërvitjes. “Trajneri më ka ndihmuar shumë dhe gjithçka është kthyer përsëri në rrugën e duhur. Që tani ka filluar të ndihet presioni i një evenimenti kaq të madh, por unë jam konfident për aftësitë e mia dhe do të jap më të mirën”,tha Zhao Shuai në ceremoni.
Edhe boksieri legjendar Zou Shiming, i cili është fitues i medaljeve të arta në Lojërat Olimpike “Pekin 2008” dhe “Londër 2012” mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të uniformës së podiumit. Dizajni dhe cilësia e uniformave të Ekipeve Kombetare Kineze po përmirësohen vit pas viti, tha Zou. “Brezi i tanishëm i atletëve kinezë gëzon një ambient më të mirë stërvitje dhe një teknologji më të mirë. Unë e di që ekipi Kinez i boksit është duke u përgatitur për Lojërat Olimpike të Tokios në mënyrën më të mirë të mundshme përballë të gjitha vështirësive të paraqitura nga pandemia. Jam i sigurt që do të bëjnë surprizën në Lojërat Olimpike dhe do të kenë sukses”, u shpreh legjenda e boksit kinez, Zou Shiming.