Foto nga VCG
Vetëm pesë ditë para ndeshjes së vet të parë për "Euro 2020" kundër Suedisë në Sevilje, përgatitjet e Spanjës për turneun kanë hasur pengesa të mëtejshme, pasi mbrojtësi Diego Llorente u bë lojtari i dytë i përfaqësueses spanjolle që del pozitiv për COVID-19 pas kapitenit Sergio Busquets.
Llorente dhe Busquets janë larguar nga kampi stërvitor me transport mjekësor sipas protokollit, ndërsa lojtarët e tjerë, të cilët do të vaksinohen të mërkurën, do të qëndrojnë në izolim dhe do të bëjnë stërvitje të personalizuar.
Trajneri i Spanjës Luis Enrique ende nuk e ka konfirmuar nëse të dy ata do të hiqen nga përbërja e skuadrës. Llorente dhe Busquets duhet të qëndrojnë të veçuar për të paktën 10 ditë, që do të thotë se nuk do të jenë në gjendje të luajnë në ndeshjen hapëse të Spanjës.
Edhe tetë lojtarë të tjerë të skuadrës spanjolle: Jose Gaya, Mikel Oyarzabal, Thiago, Adama Traore, Aymeric Laporte, Eric Garcia, Fabian Ruiz dhe Ferran Torres, kanë rënë viktima të koronavirusit që nga fillimi i pandemisë.
Spanja nuk është i vetmi ekip i "Euros" që goditet nga COVID-19. Edhe kundërshtarja e vet e Grupit E, Suedia, gjendet në një situatë të ngjashme, pasi Dejan Kulusevski, i cili luan për "Juventusin", dhe mesfushori i një tjetër ekipi italian, "Bolonjës", Mattias Svanberg, dolën pozitivë të martën.
Në fillim të këtij muaji, Skocia u detyrua gjithashtu të tërhiqte gjashtë lojtarë nga miqësorja kundër Holandës, pasi John Fleck rezultoi pozitiv gjatë një kontrolli para ndeshjes. Mesfushori i "Sheffield United" po rri i veçuar në kampin stërvitor të Skocisë në Spanjë dhe mund të mos luajë në ndeshjen e hapjes kundër Republikës Çeke të hënën.
UEFA shpreson që masat ekzistuese antivirus do të sigurojnë një "Euro" të sigurt, po gjendja e tanishme tregon se garantimi i mbarëvajtjes së turneut do të jetë diçka e vështirë. (Artan/Fani)