Dy javë para fillimit, Konfederata Amerikanojugore e Futbollit (CONMEBOL) shkroi të hënën në "Twitter" se "'Copa America' e CONMEBOL-it 2021 do të zhvillohet në Brazil!", në të njëjtat data 13 qershor-10 korrik.
Ky veprim u prit me shqetësim në shumë qarqe.
Brazili është një nga vendet më të prekura nga shpërthimi i koronavirusit, duke zënë vendin e dytë për numrin e vdekjeve, që arrin mbi 460 000 deri më tani, dhe me më shumë se 16.5 milionë raste të konfirmuara.
Por zv.presidenti i Brazilit Hamilton Mourao tha se mbajtja e turneut në vendin e tij paraqiste "më pak rrezik" sesa në Argjentinë, e cila ndodhet në momentin e saj më të keq të epidemisë.
"Epërsia është madhësia e vendit tonë dhe numri i stadiumeve," u shpreh ai, duke shtuar se ata mund ta shpërndanin zhvillimin e ndeshjeve në mbarë Brazilin, duke kufizuar kështu rrezikun e infektimit.
Turneu do të zhvillohet pa shikues.
Presidenti i CONMEBOL-it Alejandro Dominguez tha: "Qeveria e Brazilit ka demonstruar gatishmëri dhe kapacitet për vendimmarrje në një moment vendimtar për futbollin e Amerikës së Jugut. Brazili po kalon një moment stabiliteti, ka infrastrukturë të sprovuar dhe përvojë të mbledhur gjatë kohës, si edhe përvojë të fundit, për të organizuar një veprimtari të kësaj përmase".(Zhan Dian/Artan)