Kina shprehu pakënaqësinë e fortë dhe kundërshtimin e vendosur ndaj disa njerëzve në ShBA që përpiqen të ndërpresin, pengojnë dhe dëmtojnë përgatitjet dhe zhvillimin e Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2022 në emër të të ashtuquajturave "çështje të të drejtave të njeriut", vuri në dukje të mërkurën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Zhao Lijian.
Zhao i tha këto pasi kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve e ShBA-së Nancy Pelosi bëri thirrje për bojkotimin e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit me pretekstin e çështjes së të drejtave të njeriut. Sipas tij, komentet e disa politikanëve amerikanë janë një farsë tipike amerikane, plot gënjeshtra dhe të kota.
Zhao u shpreh se ShBA-ja nuk është feneri i demokracisë, ndërsa në shoqërinë amerikane kanë depërtuar thellësisht mendimet ekstremiste e ksenofobia, si supremacia e të bardhëve, diskriminimi ndaj afroamerikanëve, urrejtja ndaj aziatikëve dhe islamofobia.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme shtoi se politizimi i sporteve është kundër frymës së Kartës Olimpike, e cila përcakton natyrën e pavarur dhe asnjanësinë politike të sporteve olimpike. Një veprim i tillë do të dëmtojë gjithashtu interesat e sportistëve nga të gjitha vendet e kauzën olimpike ndërkombëtare, dhe pa dyshim do të kundërshtohet nga bashkësia ndërkombëtare, shtoi Zhao.
Në fund, zëdhënësi u bëri thirrje disa politikanëve amerikanë që të ndalojnë manovrat e neveritshme politike me sportet olimpike dhe veprimet kundër sportistëve dhe sportdashësve nga e gjithë bota, duke shtuar se përgatitjet për Lojërat Olimpike Dimërore po zhvillohen mirë, duke u vlerësuar lart nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. (Li Huailiang/ Artan)