Foto nga VCG
Kur mbeten më pak se 70 ditë nga fillimi i Lojërave Olimpike të Tokios, kundërshtimi i hapur ndaj kësaj veprimtarie nga publiku japonez nuk po tregon shenja zbutjeje.
Brenda një jave u paraqit një peticion me mbi 350 mijë firma për anulimin e olimpiadës. Nga një sondazh del se mbi 80 % e japonezëve e kundërshtojnë organizimin e Lojërave Olimpike, ndërsa në një intervistë kryeekzekutivi i një kompanie japoneze të tregtisë elektronike e quajti këtë ngjarje sportive një "mision vetëvrasës". Intervista ngjalli jehonë në mbarë botën.
Ky varg incidentesh ndodh në sfondin kur Japonia e zgjeroi gjendjen e jashtëzakonshme, pas një vale të re të rasteve të COVID-19. Tani 9 nga 47 prefekturat japoneze kanë rivendosur masat e rrepta kundër virusit deri në fund të këtij muaji.
"Mendoj se këtë herë olimpida ka të bëjë me faktin nëse i japim përparësi jetës apo një ceremonie të quajtur olimpiadë," tha Kenji Utsunomiya, organizatori i fushatës "Stop Olimpiadës së Tokios", i cili i paraqiti qeverisë peticionin antiolimpik.
Ai shtoi: "Organizimi i Lojërave Olimpike në këto kushte do të thotë që të caktohen burime të çmuara mjekësore për Lojërat."
Duke folur për fushatën kundër Lojërave Olimpike, guvernatorja e Tokios Yuriko Koike u shpreh se ajo do të punonte për një Olimpiadë të sigurt. "Megjithëse ka një pandemi, është e rëndësishme të mbahet një Olimpiadë Tokio 2020 e sigurt," tha Yuriko Koike në një konferencë të rregullt shtypi.
Por duket se kjo nuk ka pasur ndikim te publiku japonez. Në një sondazh fundjavën e kaluar nga gazeta "Asahi Shimbun" 83% e pjesëmarrësve ishin të mendimit se Lojërat Olimpike të Tokios duhet të shtyhen përsëri ose të anulohen. Kjo shifër është shumë më e madhe se 35 % që kërkonin anulimin e olimpiadës në një sondazh të gazetës të zhvilluar një muaj më parë. (Fani/Artan)