Fjalët e trajnerit të "Liverpool"-it Jurgen Klopp duket se dëshmojnë përçarjen brenda 12 klubeve elitare, që tronditën botën e futbollit kur njoftuar planin e tyre për një Superligë Evropiane.
"Kur jam i përfshirë në ndonjë gjë, unë i pranoj kritikat, por ne nuk jemi të përfshirë. Ekipi nuk ka asnjë lidhje me këtë. Nuk më pëlqen dhe nuk dua të ndodhë," tha Klopp-i kur u pyet të hënën në lidhje me valën e kritikave ndaj kampionëve anglezë, të cilët janë ndër themeluesit e ligës së re.
Qëndrimi i Klopp-it gjeti jehonë nga zëvendëskapiteni i "të kuqve" James Milner, i cili ishte edhe më kritik ndaj turneut, në të cilin "Liverpool"-i dhe 11 gjigantë të tjerë do të luanin çdo vit pa qenë e nevojshme të kualifikoheshin.
"Lojtarët pa dyshim nuk kanë asnjë të drejtë fjale për këtë, kështu që pritja që na u bë në fushë sonte, u duk pak e padrejtë. Ne jemi këtu për të luajtur futboll dhe nuk kemi asnjë kontroll mbi këtë," theksoi ai.
Duke shfrytëzuar konfliktin e brendshëm, presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin ka deklaruar që klubet dhe lojtarët e përfshirë në "Superligë" mund të ndalohen "sa më shpejt të jetë e mundur" nga të gjitha veprimtaritë që organizon UEFA.
"Lojtarët e ekipeve që mund të luajnë në ligën e mbyllur, do të ndalohen të luajnë në Kupën e Botës dhe 'Euro', kështu që ata nuk do të jenë në gjendje të përfaqësojnë ekipet e tyre kombëtare në asnjë ndeshje," tha ai në një konferencë shtypi.(Zhan Dian/Artan)