[Foto nga VCG]
Ndërsa "Barcelona" po bënte çdo përpjekje për të përmbysur disavantazhin 2-1 në një "El Clasico" plot me rrufe, bubullima dhe shi të rrëmbyeshëm, Lionel Messi u kap nga kamera duke u dridhur në fushë. Pas përpjekjes së kotë për t'i bërë ballë të ftohtit, gjashtë herë fituesi i "Topit të artë" vrapoi për në anë të fushës dhe e ndërroi bluzën e lagur.
Sidoqoftë, kjo nuk arriti ta ndryshojë fatin e katalonjasve. Pavarësisht nga "rrethimi" i zonës së rreptësisë të "Realit" të Madridit dhe epërsisë numerike pas një kartoni të kuq, Messi dhe shokët e tij të ekipit të rraskapitur humbën rastin më të mirë për të marrë vendin e parë në "La Liga".
Messi nuk arrin kështu të shënojë në shtatë "El Clasico" radhazi, si kurrë më parë gjatë karrierës së tij. Për t’i bërë gjërat edhe më keq, superylli argjentinas ende nuk e ka rinovuar kontratën, gjë që do të thotë se mund të jetë hera e fundit që ai luan në këtë ndeshje të rëndësishme.
Në stadiumin "Alfredo Di Stefano", Karim Benzema i çoi përpara kampionët në fuqi, ndërsa një goditje e lirë e devijuar e Toni Kroos-it e dyfishoi epërsinë e tyre në minutën e 28-të. "Barça" e ngushtoi rezultatin me anë të Oscar Mingueza-s, por iu mohua kërkesa për një 11-metërsh nga gjyqtari Gil Manzano kur Martin Braithwaite u rrëzua pas një ndërhyrjeje nga Ferland Mendy.(Artan)