Për shkak të vaksinimit të ngadaltë dhe sistemit të mbingarkuar shëndetësor, Gjermania po zhvillon në një betejë të ashpër me një valë të tretë të infeksionit të COVID-19.
[Foto nga VCG]
Politikanët dhe mjekët vendorë kanë bërë thirrje për një mbyllje më të rreptë për të frenuar përhapjen e virusit vdekjeprurës, pas rritjes së ndjeshme në Gjermani të numrit të pacientëve në terapi intensive. Më në fund, kancelarja gjermane Angela Merkel njoftoi të mërkurën se ajo mbështet një “mbyllje unike” dhe një periudhë me “kufizime të rrepta”.
Zëvendëszëdhënësja e qeverisë gjermane Ulrike Demmer vuri në dukje: “Numri i shtretërve të zënë në repartet e terapisë intensive flet qartë. Ai po rritet me shpejtësi shumë të madhe”.
Por, pavarësisht një gjendjeje të tillë, Shoqata e Futbollit e Gjermanisë ka gjetur kohën për t'u kërkuar autoriteteve shëndetësore të Mynihut të lejojnë shikuesit në ndeshjet e "Euro 2020" në stadiumin "Allianz Arena".
[Foto nga VCG]
Si një ndër 12 qytetet pritëse të turneut të shtyrë, që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 11 korrik, në Mynih planifikohet të zhvillohen ndeshjen e grupit ku bën pjesë Gjermania së bashku me Francën, Portugalinë, dhe Hungarinë.
Duket e pavend që diskutohet për numrin e tifozëve kur i tërë vendi gjendet ende në krizë shëndetësore, por presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin ka paralajmëruar se qyteteve që nuk ofrojnë garanci për numrin e spektatorëve mund t'u hiqet e drejta për të qenë mikpritëse të "Euro 2020".
“Kemi disa skenarë, por mund të garantojmë se as që mund të diskutohet për të luajtur ndonjë ndeshje të 'Euro 2020' në një stadium të zbrazët. Çdo qytet organizator duhet të garantojë se do të ketë shikues në ndeshje,” deklaroi Ceferin muajin e kaluar.
Por qytete si kryeqyteti irlandez Dublin dhe qyteti Bilbao i Spanjës Veriore kanë njoftuar se nuk mund të garantojnë praninë e tifozëve dhe se mund të heqin dorë nga statusi i tyre si qytete mikpritëse të "Euro 2020".
[Foto nga VCG]
Sipas planit origjinal, Gjermania, Spanja, Italia, Anglia, Irlanda, Holanda, Azerbajxhani, Rusia, Hungaria, Romania, Skocia dhe Danimarka do të organizojnë nga tre ndeshje të fazës në grupe dhe të paktën një ndeshje në raundin e një të 16-tave ose çerekfinale.
Trevor Birch, kryeekzekutivi i Ligës së Futbollit, pranoi se disa çështje nuk janë zgjidhur ende.
“Po diskutohet transporti i sigurt për COVID”, citoi gazeta “Guardian” Birch-in. “Fatkeqësisht nuk mund të flas më shumë për detajet, sepse ende po diskutohet. Është e qartë se ky është një proces kompleks. Ka shumë palë të interesuara në diskutime”. (Li Huailiang/ Artan)